Dhuna në shkolla mes nxënësve vazhdon të ekzistojë si fenomen. Në rubrikën tonë të përjavshme, VOX, kemi marrë mendimet e disa të rinjve lidhur me atë, se si e shohin ata një fenomen të tillë ende prezent në shkolla.
Vlora Kastrati, studente, thotë se dhuna e fëmijëve ndaj fëmijëve të tjerë shfaqet dhe reflektohet edhe nga dhuna në familje e atyre fëmijëve. Sipas saj, meqë është shumë e pranishme në shkolla, do të duhej që në mënyrë institucionale të bëhet vetëdijesimi i fëmijëve përmes programeve të caktuara.
“Mendoj se ka dhunë në shkolla dhe kjo reflektohet nga dhuna në familje. Nuk mendoj se shkolla është e sigurt për shkak se askush nuk merret me atë punë. Nuk i kushtojnë kujdes, as profesorët, as mësuesit, për atë që fëmijët shfaqin dhunë ndaj njëri-tjetrit. Mendoj se do të ishte mirë të ketë programe të posaçme, që do t’i vetëdijesonin fëmijët lidhur me këtë dukuri”, shprehet Vlora.
Edhe Arlinda , 25-vjeçare, thotë se dhuna në shkolla mes nxënësve, ekziston:
“Po, pa dyshim, mendoj që ka dhunë. Shkolla publike mendoj se nuk është e sigurt, sepse dyert janë të hapura gjatë tërë kohës dhe mund të hyj dhe dalë kush të dojë, dhe mendoj se dhuna është më e shprehur, derisa ato private mendoj se janë pak më të sigurta”.
Ndryshe, zyrtarët e Policisë së Kosovës, bazuar në statistikat e tyre, thonë se shkalla e incidenteve ku janë të përfshirë nxënësit, ka rënë dukshëm vitin e kaluar, krahasuar me vitet paraprake, por ende mbeten shqetësuese.
Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2012, janë shënuar 351 incidente në gjithë Kosovën, të natyrave të ndryshme, ku janë përfshirë nxënësit.
Por, ka edhe të atillë që thonë se nuk kanë dëgjuar se ka dhunë në shkollat e Kosovës. Njëra nga to është Hata Prokshi, qytetare:
“Nuk kam dëgjuar për dhunë në shkolla. Ndoshta në shkolla fillore mund të ketë”.
Ndërkaq, Kaltrina Ahmeti, e cila ka përfunduar shkollën e mesme “Fehmi Lladrovci” në Drenas, mendon se sidomos në shkollat e mesme, fenomeni i dhunës mes nxënësve është mjaft i shprehur.
“Unë mendoj se ka dhunë në shkolla, sidomos në shkolla të mesme. Sa kam qenë unë në shkollën e mesme, ka pasur. Si fenomen, ka qenë i shprehur. Ka pasur therje me thika, rrahje. Policia kanë qenë e pranishme, por nuk e di a janë marrë institucionet më tej me raste”, tregon Kaltrina.
Ndërkaq, Labinot Gashi, thotë se krahasuar me vitet paraprake, kjo dukuri ka rënë kohëve të fundit.
“Unë mendoj se tash ka më pak. Janë më të sjellshëm nxënësit. Para disa vjetësh mendoj se ka pasur më shumë dhunë në shkolla, ka qenë më i shprehur si fenomen. Tash sado pak mendoj se janë vetëdijesuar nxënësit se dhuna nuk është mjet që duhet përdoret në shkolla, as nga ana e arsimtarëve , por as nga vetë nxënësit mes vete”, shprehet Gashi.
E, Arta Nagavci thotë se për aq sa ka informacion lidhur me këtë çështje, ka dhunë në shkolla.
“Unë nuk jam shumë e informuar se a ka, a jo dhunë në shkolla. Së fundmi, kam parë në internet një video që po qarkullon ku shihet se ka dhunë mes nxënësve të shkollave fillore, përndryshe më herët kur unë para pak vjetësh kur kam qenë në shkollë të mesme, ka ekzistuar si fenomen”, pohon Arta.
E reja Zara Nebihu thotë se së fundmi përmasat e dhunës janë në rënie, krahasuar me vitet paraprake:
“Ditët e sotme mendoj se nuk ka edhe aq shumë dhunë në shkolla, për shkak se rrethanat kanë ndryshuar. Unë në shkollën që e kam kryer , nuk ka pasur ndonjë rast të rëndë që vlen të përmendet”.
E, për gjeneratën e tij, duke treguar lidhur me fenomenin e dhunës në shkolla, tregon Fisnik Asllani , i cili sapo ka përfunduar shkollën e mesme:
“Ka dhunë. Kam qenë edhe vetë në shkollë. Te ne nuk ka pasur shumë dhunë. Unë jam gjeneratë 1992 .Por, tash varet nga gjenerata në gjeneratë. Tash mendoj se ka më shumë. Institucionet nuk ndërmarrin asgjë. Ushtrojnë dhunë, harrohet ajo punë dhe nxënësit vazhdojnë shkollimin sikur të mos kishte ndodhur asgjë” .
Por, ekspertët e fushës së psikologjisë, vlerësojnë se janë një numër faktorësh që po e shkaktojnë nxitjen e dhunës te të rinjtë. Sipas tyre, ndër faktorët e parë që e nxisin dhunën nëpër shkolla, është toleranca shoqërore ndaj fenomenit të dhunës.
Ata thonë se mbetemi ende shoqëri tradicionale, e cila bazohet në zgjidhjen e problemeve përmes forcës, duke shtuar se ky fenomen, nuk manifestohet vetëm në shkolla, por dhe në familje dhe në rrethe të tjera shoqërore, ku zgjidhjet kërkohen duke u bazuar në forcë.
Ndërkaq, Xixëllonja Fazliu, nxënëse, thotë se edhe pavarësisht dhunës së shprehur në shkolla mes nxënësve, institucionet shkollore krejt çka mund të bëjnë është të para-përjashtojnë, apo edhe përjashtojnë fëmijët e dhunshëm.
“Mendoj se mes nxënësve ka pak dhunë, por nuk mendoj se ka dhunë nga ana e mësimdhënësve. Shkollat ndërmarrin ndonjëherë para-përjashtime, apo ka pasur edhe raste të përjashtimeve të ndonjë nxënësi”, tregon Xixëllonja.