Ndërlidhjet

Shqipëri: Politikat e reja të taksimit


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e re përballet me kërkesën e biznesit për të rimenduar politikën e saj për një prej pikave më të forta të programit fitues më 23 qershor, taksën progresive.

Edhe pse mbështesin taksën e sheshtë, modeli i demokratëve në qeverisje, biznesi ofron një formulë të moderuar për taksimin progresiv që nuk e shmang tërësisht atë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i bën Qeverisë këtë propozim:

“Të taksohen në mënyrë progresive të gjitha ato sipërmarrje, të cilat kanë imunitet nga vendimet e dala nga Qeveria shqiptare apo nga legjislacioni që i favorizon këto aktivitete. Pra, do të thotë që të gjitha ato aktivitete që janë të licencuara dhe në një farë mënyre, kanë një treg të sigurt monopoli dhe me rentabilitet pothuajse të pritshëm”.

Taksimi progresiv vetëm i atyre bizneseve që kanë një situatë monopol në treg apo kanë nivel të lartë fitimi, siç thotë Jaka, nuk do të ishte sjellje diskriminuese e Qeverisë karshi tyre.

“Është shumë e rëndësishme që Qeveria shqiptare të mendojë për një treg të lirë dhe konkurrues jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit dhe në Evropë. Në rastin konkret, unë jam 100% i sigurt që nuk ka asnjë lloj diskriminimi, por ka një shpërndarje të drejtë të të ardhurave dhe fitimeve", thotë Jaka.

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, thotë se biznesi ka të drejtë të kërkojë nga qeveria të mos ndryshojë shpesh politikat e taksave. Duke e konsideruar të drejtë propozimin e përfaqësuesve të biznesit, Civici ndalet te situata që mund të krijojë për disa sipërmarrje aplikimi i taksës progresive.

“Janë dy kategori biznesesh që luftojnë, si të thuash, në jetën e përditshme për të përballuar konkurrencën. Janë biznese kryesisht të mesme, të vogla, ose edhe të mëdha, por delikate në situatën e tyre. Për ta, një rritje e nivelit të taksave do të ishte një goditje për sa i përket mundësisë për të qenë kompetitiv në treg”, shprehet Civici.

Nisur nga disa deklarata publike, Civici thotë se qeveria e ka lënë hapur derën për të negociuar me biznesin një formulë që do të kënaqte me siguri të dyja palët. Por, krahas këtij shqetësimi, që lidhet me politikën e taksave, në kurriz të biznesit rëndon një borxh i madh që Qeveria e larguar nuk arriti ta shlyejë.

Duket se Qeveria e re do të duhet të mendojë edhe për këtë. Madje, sipas Civicit, ta shlyejë brenda një periudhe sa më të shkurtër pasi, siç thotë, për disa biznese e ardhmja varet pikërisht nga ky borxh.

“Është rreth 400 milionë euro borxhi i dukshëm ose i padukshëm. Kryeministri Rama është angazhuar që do ta shlyejë sa më shpejt këtë borxh. Si ekspert, them se pavarësisht se është një borxh i lënë nga Qeveria e kaluar, por duke pasur parasysh nivelin e kredive të këqija në Shqipëri, implikimin që kanë shumë nga këto biznese me bankat kryesore në vend dhe mbi të gjitha, nevojën që ka Shqipëria për rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, natyrisht që duhet shlyer sa më shpejt, sepse në rast të kundërt, këto biznese mund të asfiksohen, mund të hyjnë në një treg joformal të shkëmbimit të parave, çka është shumë e dëmshme për ekonominë shqiptare”, thekson Civici.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG