Ndërlidhjet

Shpërthim në veri të Mitrovicës


Shpërthimi në Mitrovicë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:29 0:00

Shpërthimi në Mitrovicë

Një shpërthim ka tronditur të premten para agimit pjesën veriore të Mitrovicës, duke shkaktuar dëme në një ndërtesë afariste, por pa viktima në njerëz.

Banorët e Lagjes së Boshnjakëve, ku ka ndodhur shpërthimi, thonë të kenë dëgjuar shpërthimin, por që deri në mbylljen e rrugës së lagjes, nuk e dinin sigurt se kush ishte cak.

Adem Mripa, përfaqësues i lagjes, thotë për Radion Evropa e Lirë, ta ketë njoftuar policinë në mëngjes për këtë shpërthim.

“Prej shtëpisë sime 100 metra larg ka ndodhur shpërthimi. Ka ndodhur afër Postë- telekomit [të Serbisë]. Ajo ka ndodhur në 05.25 minuta sot në mëngjes”, thotë Mripa.
Ky është incidenti i dytë brenda 24 orëve në veri të Kosovës.

Të enjten në mëngjes ishin sulmuar dy makina të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ku është vrarë një doganier nga Lituania, dhe është plagosur të paktën edhe një koleg i tij.

Një ditë pas incidentit tragjik, forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, janë udhëzuar nga komandanti i tyre që të jenë syçelë.

Gjenerali italian që para pak ditësh mori drejtimin e KFOR-it, Salvatore Farina, bëri të ditur të premten se nuk ka në plan që të dërgojë përforcime në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne tashmë kemi forcat tona në veri. Ne do të jemi shumë vigjilentë, të paanshëm, të matur! Por, të vendosur”, tha komandanti i KFOR-it, Farina.

Situata e tensionuar ka bërë që edhe serbët veriorë të jenë të brengosur.
Disa prej tyre thonë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e fundit, po bezdisin banorët e Mitrovicës, sepse problemet nuk po ndalen.

“Po më duket shumë e mundimshme dhe e papërshtatshme. Ne jemi mësuar që të jetojmë të gjithë bashkë, dhe të gjithë ata që po i shkaktojnë këto probleme, po më duket se janë pasojë e ndarjeve [telasheve] partiake, ose dikush nga jashtë po i shkakton. Populli është naiv dhe po i beson gjithkujt”, shprehet Millosh Popoviq, rreth të shtatëdhjetave.

Adem Mripa, të cilit i është sulmuar shtëpia në disa raste, thotë po ashtu të mos jetë i habitur nga incidentet e shtuara.

“Ka qenë një shpërthim i zakonshëm si çdo herë. Ne jemi mësuar me ato shpërthime, por vetëm po këqyrim se ku po shpërthen dhe po e lusim Zotin tek unë jo”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Duket se janë prapë këto grupe të cilat nuk po pajtohen me këto zgjedhje, edhe pritet destabilizim deri në zgjedhje”, shton ai.

Edhe serbët ndajnë të njëjtën ndjenjë se, telashet e shpeshta matanë Ibrit, janë bërë aq të zakonshme, sa që edhe faktori i frikës te ta është më i ulët.

“Nuk është sigurt [në veri]. Gjithmonë këtu ka pasur probleme! Unë tani për tani kam vendosur të rri këtu. Unë dhe gruaja punojmë, fëmijët tanë po rriten këtu dhe shpresoj se ata do të rriten këtu. Do të shohim koha do të na dëshmojë. Ka incidente, ka gjëra shumë të këqija, ka të shtëna, por kjo po zgjat, ndoshta një orë ose pesë orë! Një ditë ose pesë ditë, por pastaj po qetësohet! Çka t’i bëjmë?!”, thotë Jovan Popoviq, i cili jeton në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës bënë të ditur se shpërthimi i mëngjesit kishte ndodhur në një shtëpi të braktisur, që është pranë ndërtesës së “Telekom Srbija”. Nga detonimi, është dëmtuar pak muri i jashtëm i ndërtesës!

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG