Ndërlidhjet

Vendimi për amnistinë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerëson se miratimi i Ligjit për Amnistinë është në pajtim me Kushtetutën.

Opinioni i kushtetueses u bë i ditur përmes një njoftimi për medie, në të cilin thuhet se vendimi i saj ishte unanim që Ligji për Amnistinë sa i përket procëdurës së ndjekur për miratimi e tij është në pajtim me Kushtetutën.

Por megjithatë në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese vlerëson se për nga përmbajtja ka nene të këtij ligji që bien ndesh me aktin më të lartë juridik në Kosovë, siç është asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, zjarrvënia, moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të veprave, dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale dhe falsifikimi i dokumenteve.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Amnistinë ishte deponuar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu dhe 12 deputetëve të tjerë më 19 korrik të këtij viti.

Ligji për Amnistinë është miratuar më 11 korrik me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, por ai ka mbetur pa u nënshkruar nga presidentja Atifete Jahjaga për shkak se u dërgua për në Kushtetuese.

Ky akt ligjor është produkt i dialogut Prishtinë-Beograd, me të cilin synohet amnistimi i të gjithë serbëve veriorë, si parakusht për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Para dhe pas miratimit të tij, shoqëria civile ka protestuar dhe ka mbledhur mbi 12 mijë nënshkrime peticion për ta kundërshtuar atë, pasi në këtë amnisti përfshiheshin edhe qytetarë të tjerë përveç atyre në veri. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG