Ndërlidhjet

Hoxhaj: Beogradi po humb vullnetin për zbatimin e marrëveshjes


Qeveria e Kosovës do të ngrejë shqetësimin e saj për mos zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Për ngecjet në zbatimin e marrëveshjes, Prishtina zyrtare fajëson Beogradin, duke kërkuar të njëjtën kohë edhe nga Brukseli që të marrë një qëndrim të qartë si ndërmjetësues në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shqetësimi i Prishtinës në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, pritet të adresohet nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj gjatë seancës së rregullt tre mujore për Kosovën që mbahet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në një prononcim nga New York-u për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se do ta njoftojë Këshillin e Sigurimit se marrëveshja e arritur në dialogun me Beogradin në masën më të madhe nuk po zbatohet për fajin e Serbisë.

“Marrëveshja është historike dhe do të mbetet historike vetëm nëse implementohet si e tillë dhe kuptohet që për ne si qeveri, implementimi, implementimi dhe vetëm implementimi i saj kanë qenë tri fokuset kryesore që kemi pasur gjatë këtyre muajve që nga 19 prilli kur edhe është arritur”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka vlerësuar se kjo marrëveshje do të hapte një kaptinë të re në raportet midis Kosovës dhe Serbisë, por që kjo të ndodhë, ai ka thënë se ajo do të duhej të zbatohej në formën në të cilën edhe është arritur.

Hoxhaj ka thënë se në takimet e fundit të delegacioneve të dyja vendeve në Bruksel, është vërejtur mungesa e vullnetit politik te Beogradi për zbatimin e obligimeve të marra dhe përparimeve në temat që janë në tavolinë tash e dy vjet.

“Ka një mungesë të vullnetit politik në Beograd që të ndodhë implementimi i marrëveshjes për normalizim midis Kosovës dhe Serbisë si dhe të njëjtën kohë nuk ka vullnet të arrihen marrëveshje për fushën e energjisë e telekomunikacionit si tema që janë diskutuar gjatë dy viteve të fundit në kuadër të dialogut teknik si dhe në nivelin politik”, ka thënë Hoxhaj.

“Prandaj, mendoj që është koha e fundit që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues dhe lehtësues të merr një qëndrim të qartë në mënyrë që Beogradi të demonstroj vullnet dhe zbatoj marrëveshjen dhe të arrijë marrëveshjet tjera që tash e sa kohë po diskutohen”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Në anën tjetër, Beogradi përmes ministrit të Jashtëm Ivan Mrkiq ka paralajmëruar se do të paraqesë argumentet e veta në lidhje me marrëveshjen e 19 prillit.

“Tani pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë me autoritetet e Prishtinës ka disa interpretime madje edhe krijuese e imagjinare që nuk i përgjigjen marrëveshjes së arritur”, ka thënë Mrkiq.

Dallimet kryesore mes interpretimeve që i bëjnë palët marrëveshjes së 19 prillit, kanë të bëjnë me thelbin e marrëveshjes.

Prishtina beson se me këtë marrëveshje serbët nga komunat veriore përmes zgjedhjeve të lira dhe organeve të reja lokale do të integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës, përderisa Beogradi insiston në ruajtjen e neutralitetit të organeve të reja në komunat serbe në raport me pavarësinë e Kosovës.

Debatet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit si zakonisht pasojnë raportin tre mujor të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Në raportin e tij më të fundit ai ka vlerësuar se zbatimi i marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet një sfidë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG