Ndërlidhjet

Basha apo Olldashi në krye të PD-së?


Përkrahës të PD-së në Shqipëri
Përkrahës të PD-së në Shqipëri
Të hënën, 100 mijë anëtarë të Partisë Demokratike do të votojnë për kryetarin e tyre të ri. Dy kandidatët, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, zhvilluan fushatë intensive, por pa platformë. Analisti Lutfi Dervishi thotë se ky ishte një element thelbësor që i mungoi garës.

”Kemi parë një përpjekje të të dy kandidatëve për të marrë votat e anëtarësisë, por jo një debat, një platformë, apo një ndryshim të madh. Emëruesi i përbashkët është që të dy kandidatët mbështesin dhe falënderojnë zotin Berisha dhe theksojnë që do të vazhdojë të ketë rol në Partinë Demokratike”, thotë Dervishi.

Analisti Blendi Sala thotë se përqendrimi i kandidatëve tek akuzat ndaj kundërshtarëve politikë, ishte zgjedhje për më shumë vota anëtarësh.

”Në një farë mënyre, e shikoj sikur i janë drejtuar militantëve të PD-së dhe po marrin atë krahun më ekstrem që kërkon të dëgjojë gjëra më të forta. Për një opozitë të ardhshme të fortë, për rrëzimin e së majtës nga pushteti. Personalisht, do të kisha preferuar një fushatë, e cila do të fliste më shumë për PD-në e së ardhmes, në një model tjetër", thekson Sala.

Ndërkaq, analisti Dervishi shkon më tej kur thotë se krahas platformave mungoi dhe debati mes dy kandidatëve:

”Debati ka të bëjë me atë çka ndodhi, që Partia Demokratike arriti rezultatin më të ulët elektoral që nga viti 1997. Debati ka të bëjë dhe me faktin sesi do të vijë kjo forcë politike në pushtet”.

E, pavarësisht platformave apo debatit të munguar, të paktën gara ishte reale konsideron Lutfi Dervishi:

”Në kuptimin e rivalitetit për të mbledhur përkrahës, po, kjo është garë, ndryshe nga garat formale që janë zhvilluar të themi në LSI apo në PS ku duhet thënë me siguri të madhe dihej fitimtari si ditën e parë ashtu dhe të fundit. Në këtë kuptim ka pasur garë. Në kuptimin e një lloj debati, jo”.

Por, cili do të jetë roli i liderit historik të PD-së në verdiktin e anëtarësisë blu më 22 korrik?!

Përgjatë gjithë fushatës, Sali Berisha u përpoq të ruajë kandidatët nga çdo ndikim që do të prishte barazinë në garë. Por, kjo përpjekje, vlerëson analisti Blendi Sala, ishte e pamjaftueshme për të mbajtur të fshehur preferencën e tij mbi fituesin.

”Për mendimin tim, zoti Berisha e ka dhënë sinjalin për të preferuarin e tij dhe ka një ide të qartë të paktën në publik brenda dhe jashtë PD-së se Lulzim Basha do të ishte njeriu që Berisha do të preferonte në vijimësi të partisë”, vlerëson Sala.

Kjo në asnjë rast, sipas Salës, nuk do të jetë arsye që Olldashi të mos njohë rezultatin.

”Mendoj se zoti Olldashi është aq i përgjegjshëm dhe aq i vjetër në PD, që të dijë kur të tërhiqet. Ai po e bën këtë garë shumë seriozisht, por do të vijë një moment kur edhe për hir të partisë, por dhe për të pranuar një realitet që ai nuk mundet ta ndryshojë, do ta pranojë humbjen dhe do të kishte një tërheqje të qetë brenda strukturave të partisë”, shton Sala.

Por, fjalën e fundit mbi fituesin do ta thotë anëtarësia blu ditën e hënë. Në të gjithë vendin janë ngritur rreth 57 qendra votimi, që do të hapen në orën 8 të mëngjesit, e do të mbyllen në 19.00. Ndërkaq, numërimi i votave është parashikuar të zhvillohet në Tiranë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG