Punësimi sezonal i të rinjve në shumë vende, është praktikë efikase. Përmes punës që ata bëjnë gjatë sezonit të verës, krijojnë një buxhet që u shërben më pas për plotësimin e nevojave të tyre.
Të rinjtë kosovarë thonë se për shkak të papunësisë së madhe që po mbretëron dhe për shkak të situatës aktuale jo të mirë ekonomike dhe sociale në Kosovë, punësimi sezonal për ta do të ishte me shumë domethënie.
Në rubrikën e përjavshme, VOX, të Radios Evropa e Lirë ata japin mendime të ndryshme rreth asaj se po t'u ofrohej një shans për të punuar gjatë sezonit të verës, çfarë do të bënin.
Por, lidhur me atë se ka ose jo oferta dhe çfarë janë mundësitë për të siguruar një punësim të tillë, ata kanë mendime dhe përvoja të ndryshme.
Burim Munishi thotë se me gjithë dëshirë do të punonte gjatë sezonit të verës. Ai shton se ka punuar disa herë në punësim sezonal si kamerier në Ulqin të Malit të Zi.
"Unë me gjithë qejf punoj. Po të kisha mundësi 2-3 muaj do të punoja prapë. Unë kam punuar si kamerier në Ulqin. Edhe në dasma gjatë verës, si punë sezonale", tregon Burimi.
Edhe Linda, 23-vjeçare thotë se po t'i jepej një shans për punësim sezonal, do ta pranonte me dëshirë. Por, ajo thotë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ofertë të tillë.
"Pa dyshim që do të ishte një ofertë shumë e mirë. Duke e marrë parasysh që në Kosovë është papunësi e madhe dhe kushtet ekonomike të vështira. Nuk do të ishte problem edhe nëse është punë afatshkurtër, vetëm gjatë sezonit të verës", pohon Linda.
Por, ka edhe të tillë që sezonin e verës dëshirojnë ta shfrytëzojnë për pushim. Njëri nga ta është Arlind Mehmeti.
"Jo nuk do të punoja, por do të pushoja. Verën do ta kisha shfrytëzuar për pushime. Unë punoj si banakier. Asnjëherë nuk kam pushuar verës, por do të doja t'i kisha dy muaj që t'i shfrytëzoj për pushime", tregon përvojën e tij Arlindi.
Mendim të ngjashëm ka edhe Nita Kastrati, studente:
"Unë, meqë kam punuar gjatë tërë vitit, po mendoj që do të shkoj në pushime. Por, jo në vende të shtrenjta se nuk kam mundësi. Nuk do të pranoja që të punoj punë sezonale, por do ta shfrytëzoja verën pak për pushime".
Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se punësimi sezonal është i mirëseardhur për të gjithë banorët e aftë për punë.
Ata thonë se Kosova nuk është duke fituar nga punësimi sezonal që ofrojnë vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tyre, shtete si Spanja, Italia, Franca dhe vende të tjera, punësojnë miliona punëtorë sezonalë brenda një viti.
Vegim Kuçi, student, thotë se ka tre vjet me radhë që ka gjetur punë si kamerier gjatë sezonit të verës në Ulqin.
"Unë do të shkoja të punoja... Unë kam punuar në Ulqin, si kamerier. Është një ndryshim, nuk është keq. Unë për vete kam punuar tri sezone. Është krejt ndryshe kur punon në det. Është atmosferë krejt tjetër", konsideron Vegimi.
Ndërkaq, Mentor Kastrati thotë se ofertat për punësim sezonal, janë të pakta.
"Oferta nuk ka edhe shumë, por duhet kërkuar. Pavarësisht se është vështirë, por duhet të jesh më i gjindshëm, dhe të interesohesh, të pyesësh dhe të gjesh një punë sezonale, sepse mendoj se pak të holla secilit të ri i nevojiten", shprehet Mentori.
Derisa Alban Gashi mendon se punësimi sezonal është i mirëseardhur dhe, sipas tij, nëse ka ose jo oferta, varet edhe nga interesimi i vetë atyre që dëshirojnë të punojnë.
"Varet edhe prej të rinjve a kërkojnë a jo punë. Duhet të interesohesh, sepse janë disa organizata që kërkojnë punëtorë për punë sezonale. Vetëm duhet hulumtuar", thotë Albani.
E, Liridoni, 25 vjeç mendon se për punësim sezonal, krejt çka kërkohet është puna si kamerier:
"Ka interesim. Mendoj se puna e kamerierit kërkohet më së shumti. Ka njerëz që hapin lokale verës dhe i kanë tarracat e mëdha dhe kërkojnë punëtorë. Lidhje nëpërmjet shokëve, ka oferta".
Sidoqoftë autoritetet në Prishtinë kanë përfunduar përgatitjet për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë, pasi Kosova që nga viti 2004, ka të realizuar vetëm me këtë shtet marrëveshje për punësim sezonal.
Sipas zyrtarëve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, deri në fund të qershorit, rreth 118 studentë do të udhëtojnë për punësim sezonal në Gjermani. Ata thonë se ka numër të madh të studentëve që interesohen për këtë projekt, por kriteret e autoriteteve gjermane janë të vështira për zbatim.
Megjithatë, që nga koha e zbatimit të këtij projekti për punësim sezonal, kanë përfituar 1600 studentë.