Ndërlidhjet

Varfëria, kërcënim për trazira sociale


Ilustrim
Ilustrim
Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

Këto të dhëna, të cilat janë publikuar nga Banka Botërore kanë ngritur shqetësime të mëdha në Kosovë. Kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale e këtyre qytetarëve, sipas ekspertëve të ekonomisë, mund ta dërgojë vendin në trazira sociale.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati, i quan mjaft shqetësuese të dhënat e publikuara nga Banka Botërore për nivelin e lartë të varfërisë.

Kjo gjendje ekonomike dhe sociale, konsideron Kastrati, duhet të analizohet mirë dhe të merren hapa konkretë, në të kundërtën ky numër i personave të varfër, shton ai, do të shënojë rritje çdo ditë e më shumë.

“Raporti i Bankës Botërore është mjaft shqetësues, sepse numri i qytetarëve të varfër ekstrem dhe të moderuar, është shumë i madh. Kjo gjendje është produkt i një ekonomi të paorganizuar, i një tregu të egër dhe një ekonomie tepër neoliberale ku aspekti social është krejtësisht në dorën e dytë”, vlerëson Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Orientimi zhvillimor i Kosovës kryesisht bëhet përmes shërbimeve, e shumë më pak në zhvillimin e ekonomisë reale, posaçërisht prodhimit.

Sipas Kastratit, shteti i Kosovës më tepër është i interesuar që ta mbushë arkën e buxhetit përmes doganave, përmes tregtisë, e shumë më pak përmes orientimeve zhvillimore, përmes fuqizimit të eksportit, si dhe mbështetjes së sektorit të bujqësisë, i cili, siç thotë Kastrati, do të mund t’u ndihmonte të varfërve dhe do të zbuste problemin social.

“Në Kosovë, përveç jetës reale, e cila është mjaft e vështirë, është edhe një barrë psikologjike, sepse gjithnjë e më tepër po shkëputet një numër i vogël i shumë të pasurve dhe një numër i madh i shumë të varfërve, pra shtresa e mesme është gjithnjë e rrezikuar të kalojë në fazën e të varfërve dhe një numër i vogël pretendon të kalojë në fazën e të pasurve”, shton Kastrati.

Banka Botërore ka miratuar dy objektiva, që kanë të bëjnë me eliminimin e varfërisë ekstreme deri në 2030 dhe promovimin gjithëpërfshirës të mirëqenies.

Theksi për uljen e varfërisë ekstreme është në përputhje me angazhimin për të pasur varfëri ekstreme të sanksionuar në objektivin e parë të Qëllimeve të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të cilat u miratuan në vitin 2000.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat e Bankës Botërore kanë qenë të pritura, pasi që institucionet e Kosovës nuk kanë bërë diçka më shumë për zbutjen e këtij problemi thelbësor që ka Kosova.

“Mendoj që klima objektive që është krijuar pas shpalljes së pavarësisë, marrja e kompetencave të plota në menaxhim me pasurinë dhe mundësitë për zhvillim, nuk janë shfrytëzuar në masën e duhur dhe në vend që të përmirësohet situata, të zhvillohet vendi, të zvogëlohet papunësia dhe varfëria, ne kemi një gjendje çdo herë të përkeqësuar nga viti në vit”, shprehet Shatri.

Varfërinë thekson Shatri mund ta identifikosh shumë lehtë që është e lartë në Kosovë. Gati në çdo cep të rrugës, shton ai, ka lypsarë, të cilët kërkojnë lëmoshë. Sipas tij, e gjithë kjo gjendje e rëndë sociale, mund të shkaktojë trazira sociale dhe destabilizim të situatës në vend.

“Derisa nuk ka investime, nuk ka hapje të reja të punës, derisa nuk kalojmë nga ekonomia konsumuese në atë të prodhimit, normal që do të shkojmë duke u varfëruar dhe ka mundësi të përkeqësohet deri në shqetësim social që mund ta destabilizojë vendin edhe në aspektet tjera”, konsideron Shatri.

Sidoqoftë, zyrtarë të institucioneve të Kosovës vazhdimisht deklarojnë se janë duke punuar për zbutjen e varfërisë përmes strategjive për punësim të qëndrueshëm.
XS
SM
MD
LG