Ndërlidhjet

Shqipëri: Organizatorët e zgjedhjeve


Zgjedhjet në Shqipëri - foto nga arkivi
Zgjedhjet në Shqipëri - foto nga arkivi
Fushata zgjedhore e vitit 2013 u mbështet gjatë gjithë kohës prej ideve për të maksimalizuar fitoren.

Ajo u kurua në çdo detaj dhe siç thotë Gerton Bejo, një prej njerëzve që qëndron pas fushatës së LSI-së, në rastin e kësaj force politike u synua të shmanget kakofonia dhe gjuha konfliktuale.

Ndryshe nga subjektet e tjera, LSI u fokusua te një çështje, kjo dhe si përzgjedhje e kompanisë që mori dorë organizimin e fushatës.

"Punësimi është aspekti kryesor i mirëqenies dhe standardit të jetesës së njeriut. Fillohet nga punësimi. Pra është i qëllimshëm fokusi tek punësimi", thotë Bejo.

Për LSI-në, është çështja që zgjedh të mbrosh apo promovosh, që bën fushatën dhe jo lideri. Kjo ishte një nga arsyet pse kjo forcë politike në opozitë zgjodhi të mos përqendrohet vetëm tek Ilir Meta në fushatë thotë, Rezart Shehu gjithashtu një nga njerëzit që kanë organizuar fushatën.

"Nuk mendoj se është lideri, ashtu siç ndodh në partitë e tjera ku gjithçka dhe të gjithë projektorët përqendrohen tek lideri, nuk është lideri fokusi i fushatës, është tema, arsyeja sepse njerëzit duhet të votojnë. Lideri bashkë me ekipin e tij dhe forcën e tij politike drejton një projekt dhe një plan", shprehet Shehu.

E gjithë fushata e LSI-së, ka ruajtur një linjë, me devijime që nuk kanë prekur thelbin, shton Bejo.

"Njohja e mirë e terrenit që ka vetë forca politike e detyron nganjëherë edhe strategjinë që në momente të caktuara të shkojë edhe me logjikën e subjektit partiak. Automatikisht pa dalë nga qëllimi kryesor", thekson Bejo.

Fushata e Frymës së Re Demokratike, një tjetër parti në opozitë, është fokusuar te takimet e drejtpërdrejta me zgjedhësit, thotë Mirela Bogdani drejtuese e shtabit elektoral të partisë.

"Çfarë kemi zgjedhur ne si forma të përçimit të mesazhit, si strategji, janë më shumë takimet më të kufizuara me grupe njerëzish. Jemi përqendruar në tre gjëra, takime me tematika të caktuara, me grupe të caktuara ose në rajone të caktuara, p.sh me lagje. Sepse kështu ti ke mundësi të dëgjosh problematikat dhe nevojat që kanë njerëzit", thotë Bogdani.

Bogdani me një eksperiencë britanike në këtë fushë, thotë se ky është stili anglez i të bërit fushatë, që shmang pompozitetin e mitingjeve që preferohen në Shqipëri dhe i beson kontaktit me njerëzit. Por në këtë përzgjedhje ka prevaluar dhe një tjetër aspekt thotë Bogdani.

"Kjo ka edhe efektin më të madh (takimet e vogla), ka edhe shpenzime më të ulëta. Është çështja e shpenzimeve të mëdha të fushatës, gjë që për mua përbën paradoks. Paradoks në kuptimin që një vend i varfër, në kushtet e një krize globale që na rrethon dhe bëhen shpenzime të tilla marramendëse. Nuk jemi dakord në parimin që të shfrytëzohen fonde publike siç janë shfrytëzuar në këtë fushatë sidomos nga partia në pushtet", thekson ajo.

Aleanca Kuq e Zi, e cila gjithashtu garon për herë të parë në 23 qershor, ka zgjedhur një metodë origjinale të të bërit fushatë, duke njoftuar me daulle takimin e saj me zgjedhësit.

Ja si e motivon përzgjedhjen e kësaj forme, Augent Xhaferraj, organizator i fushatës.

"E vetmja mënyrë që na ka ngelur është të dalim rrugë më rrugë me tupana e daulle. Duke u rënë daulleve është njëra nga mënyrat që ne të na dëgjohet zëri. Që nga vendimi që u mor para një muaji kur ne vendosëm të hyjmë të vetëm në zgjedhje, kemi hasur në një bllokim mediatik".

"Ne jemi futur edhe në zonat më të thella, zonat më periferike që vështirë se ka shkelur ndonjë nga liderët tanë. Kemi dalë para dy vitesh me tenda dhe me stenda, në të gjithë hapësirën shqiptare. Këtë fushatë sërish e kemi organizuar edhe në këtë mënyrë
", bën të ditur Xhaferraj.

Është fakt i njohur tashmë se për dy partitë e mëdha, fushata është kuruar nga kompani amerikane për PD-në dhe britanike për PS-në.

Fushata është fokusuar te dy liderët me mitingje të mëdha dhe entuziaste te townhall-et apo këndi i fjalës.

Ndryshe nga partitë e vogla, strategët e fushatave të partive të mëdha, janë më pak disponibël të flasin për median.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG