Ndërlidhjet

Shqipëri: Fushatë elektorale e dominuar nga liderët


Fushata e PS-së
Fushata e PS-së
Partitë politike në Shqipëri janë ngërthyer në një fushatë të ethshme zgjedhore, të dominuar më së shumti nga liderët e tyre.

Ky, për analistin Artan Hoxha është një zhvillim logjik, bazuar në konceptin si funksionojnë subjektet politike në Shqipëri, të njohura si parti liderësh.

Çfarë shfaqet më pak, por që zhvillohet me të njëjtin intensitet, madje më thellë, deri qytetari më i thjeshtë, sipas tij, është fushata e strukturave.

"Ne shohim majën e ajsbergut që është fushata e liderëve, por në të vërtetë fushata fillon nga maja dhe përfundon deri në shtëpitë dhe pikat më të vogla ku janë votuesit. Në kuptimin që partitë janë parti liderësh, por gjithsesi duhet të jemi realistë që fushata zhvillohet edhe në nivelin e medias lokale dhe jashtë syve të mediave, gjithashtu", thotë Hoxha.

Por, media gjuan dhe ekspozon liderët, që dukshëm kanë monopolizuar edhe këtë fushatë zgjedhore.

Analisti Eduard Zaloshnja i sheh partitë e mëdha me dy qasje të ndryshme, ku dominimi absolut i liderit te Partia Demokratike, ndryshon nga bipolariteti që shfaq shpesh në fushatë Partia Socialiste.

“Nuk ka pasur një lider absolut të së majtës, gjithnjë ka pasur konkurrent. Dikur ka qenë Majko -Nano, pastaj Meta-Nano, pastaj Rama-Nano, Rama-Meta, pra nga e majta kemi pasur udhëheqje dypolare, tripolare vazhdimisht. Në traditën 22-vjeçare të Partisë Demokratike, gjithmonë Sali Berisha ka qenë njeriu kryesor i fushatës, personalizimi i fushatës gjithmonë ka qenë prezent në garat elektorale të PD-së", konsdieron Zaloshnja.

Kjo fushatë, siaps zaloshnjës, është kuruar në formë dhe përmbajtje. Stili është anglo- amerikan, thotë ai, duke iu referuar konsulentëve që kanë zgjedhur tri partitë kryesore, PD-ja, PS-ja dhe LSI-ja.

Sali Berisha
Sali Berisha
“Pra, nga njëra anë kemi kompani amerikane që konsulon Partinë Demokratike dhe kemi një kompani angleze që i jep konsulencë Partisë Socialiste, një kompani amerikane që konsulon LSI-në. Në traditën anglo-amerikane fushatat kanë si synim të energjizojnë në radhë të parë militantët, pra bazën e partisë, votuesit e vendosur të partisë", shton Zaloshnja.

Ndërsa, analisti Artan Hoxha thotë aë për të mbërritur te votuesit, partitë kanë diversifikuar dhe metodat e të bërit fushatë:

“Të gjitha partitë politike kanë gjetur një harmoni metodash për të përçuar mesazhet e tyre politike deri te zgjedhësi më i fundit. Këtu kujtoj se po përdoren metoda si të atyre që quhen Town Halls, apo bashkëbisedim i drejtpërdrejtë me një grup qytetarësh, metodat e mitingut, metodat e komunikimit në rrjetet sociale, metodat e debatit politik, metodat e shpërndarjes së materialeve të shkruara, të thjeshta".

Energji të tëra shpenzohen për një qëllim, vjeljen e sa më shumë votave në 23 qershor, që sipas Zaloshnjës, shpesh e gjitha rezulton në një, siç shprehet ai, inflacion premtimesh.

“Kudo në botë, në kohë fushate kemi premtime që ndoshta janë tej realitetit, por në Shqipëri kjo 'sëmundje' është më e rëndë dhe premtimet gjatë kohës së fushatës kalojnë çdo logjikë të realitetit", vlerëson Zaloshnja.

Fushata filloi zyrtarisht më 24 maj, por partitë i kanë ndezur motorët elektoralë muaj më parë.

Kjo dukuri shpesh bën që në Shqipëri të mbetet e paqartë se kur fillon dhe kur mbaron fushata për garën e ardhshme politike, kurse pas çdo palë zgjedhjesh, krijohet një periudhë po aq e gjatë kontestesh mbi rezultatin zgjedhor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG