Ndërlidhjet

Shqipëri: Zgjedhjet me KQZ-në "gjysmake"


Komision Qendror i Zgjedhjeve rrezikon të futet në zgjedhjet e 23 qershorit me vetëm katër anëtarë, nga shtatë që parashikon ligji.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjoncaj, thotë se kjo forcë politike nuk tërhiqet nga pozicioni për t’i rikthyer institucionit legjitimimin e cenuar, siç thotë ai, nga mazhoranca, me shkarkimin e një prej anëtarëve.

"Riformatimi i KQZ-së është një çështje e deklaruar tashmë publikisht prej nesh. Çështja duhet të kthehet në origjinë pra duhet të kthehet aty ku ju prek legjitimiteti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", thotë Gjoncaj.

Në mungesë të një marrëveshjeje, që në të gjitha rastet duhet të pranojë rikompozimin si kusht, Gjoncaj thotë se do të shkohet në zgjedhje me këtë KQZ.

"Ne jemi gati dhe e kemi ofruar konsensusin për ta zgjidhur këtë çështje, por nëse ngërçi do të vazhdojë, për shkak të kokëfortësisë së mazhorancës, ne do t’i bëjmë zgjedhjet me këtë KQZ. Pa dyshim që zgjedhjet janë të cenuara!", shprehet ai.

E përgatitur dhe për një skenar të tillë, vetë KQZ-ja, e mbetur me 4 anëtarë, e ka një plan B mbi situatën jo normale të krijuar.

Klement Zguri anëtar i Komisionit thotë se vendimet që do të duhet të merren pas procesit të 23 qershorit, mund të trajtohen fare mirë nga Kolegji Zgjedhor.

"Për vendime që do të kenë të bëjnë me ankimime, me rezultatin, me pavlefshmëritë, subjektet zgjedhore mund të shkojnë në Kolegjin Zgjedhor dhe të jetë kolegji ai që do marrë një vendim të caktuar", thekson Zguri.

Dhe kjo në asnjë rast, sipas tij, nuk do të cenonte legjitimitetin e zgjedhjeve.

"Në aspektin ligjor sigurisht që zgjedhjet do jenë legjitime, për sa kohë që institucioni ka numrin e domosdoshëm ligjor për të funksionuar. Por absolutisht do të më duhet të them se në rast se KQZ-ja do të ketë formatin e plotë sigurisht që besueshmëria do jetë më e madhe", bën të ditur Zguri.

Në dukje palët politike nuk duan që KQZ të shkojë në zgjedhje me katër anëtarë. Por në realitet nuk po bëjnë asgjë, që kjo të mos ndodhë.

Opozita nga njëra anë nuk po dërgon asnjë propozim për të zëvendësuar 3 anëtarët e dorëhequr dhe mazhoranca nga ana tjetër, refuzon propozimin opozitar për rikompozim.

Nën këtë panoramë, KQZ-ja po përpiqet të reflektojë normalitet, duke zhvilluar mbledhje e marrë vendime edhe pse me 4 anëtarë.

Gjoncaj thotë se në të paktën tre raste institucioni ka prodhuar vendimmarrje të paligjshme.

"Vetëm ditët e fundit ne jemi ballafaquar me tre raste të cilat kërkonin një vendimmarrje të cilësuar të Komisionit dhe Komisioni ka proceduar pa këtë vendimmarrje. Që do të thotë se aktet e prodhuara prej tij janë miratuar me katër vota dhe në vështrim të ligjit, janë akte të pavlefshme", thotë Gjoncaj.

Por, Zguri thotë se çdo vendimmarrje e KQZ-së, edhe pse me një realitet jo normal, është bazuar në ligj.

"Nuk mund të them që është një situatë normale sigurisht, ndërkohë që është numri ligjor i domosdoshëm i anëtareve për të zhvilluar mbledhje dhe për të marrë vendimet e duhura. Në rastin kur do të kërkohen vendime të cilësuara, kam parasysh këtu aktet normative, KQZ u referohet akteve normative të zgjedhjeve të mëparshme për shkak se në përcaktimin ligjor ato kanë karakter të përhershëm", sqaron Zguri.

Rreth një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, KQZ mbetet një nga pikat më të ashpra të debatit politik. Debat që zhvillohet në distancë dhe që ka zbehur çdo shans për negocim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG