Ndërlidhjet

Kosovë: Qeveria ka respektuar liritë fetare, por ka edhe probleme


Në raportin më të ri të Departamentit amerikan të shtetit për Liritë Fetare Ndërkombëtare për vitin 2012, në pjesën për Kosovë, theksohet se “Kushtetuta dhe ligjet e tjera dhe politikat i mbrojnë liritë fetare dhe në praktikë, përgjithësisht, qeveria i ka respektuar liritë fetare”.

Prirja për respektin e qeverisë për liritë fetare nuk ka ndryshuar në mënyrë të dukshme gjatë vitit.

“Liderët religjiozë kanë theksuar mungesën e mekanizmit, që i lejon grupet religjioze të regjistrohen dhe të marrin status juridik, e cila ka krijuar një numër të sfidave praktike në kryerjen e aktiviteteve ditore”, thotë raporti.

Më tutje, theksohet se “ka pasur raporte për abuzim shoqëror ose diskriminim, të bazuar në përkatësinë religjioze, besimin ose praktikën” dhe me këtë rast përmendet se “zyrtarë të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) kanë raportuar incidente të rastësishme të vjedhjes dhe vandalizmit dhe një sulm kundër klerit ortodoks serb”.

Përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, sipas raportit, janë takuar me liderë politikë dhe religjiozë, për të kërkuar dialog ndërfetar dhe për të inkurajuar zgjidhje të shqetësimeve të grupeve fetare.

Në këtë kuadër, “zyrtarët e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara kanë bërë presion për miratimin e legjislacionit,që e kodifikon mbrojtjen për Kishën Ortodokse Serbe dhe i kanë mbështetur përpjekjet për zgjidhjen e kontestit të pasurisë, që involvon Manastirin e Deçanit dhe grupe lokale”. Më tutje në raport shkruan se “Ambasada i ka financuar programet e mbrojtjes, që përfshinin rikonstruktim dhe konservim të kishave dhe xhamive në gjithë vendin”.

Në raportin e Departamentit amerikan të shtetit për liritë fetare në Kosovë, për vitin 2012, theksohet se popullata e Kosovës është 1.74 milionë, sipas regjistrimit zyrtar qeveritar, të dhënat e të cilit janë publikuar në muajin Tetor.

“Sipas të dhënave, 95.6% e popullatës identifikohet si myslimane, 2.2% si romano katolike, dhe 1.4% si serbë ortodoksë”, shkruan në raport dhe precizohet se grupet e tjera janë më pak se 1% secili.

“Religjioni dhe etniciteti janë ngushtë të lidhur: serbët në përgjithësi i takojnë Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa shumica e shtetasve aktivë fetarë me prejardhje shqiptare e identifikojnë vetveten si myslimanë”, thuhet në raport.

Kritikët e regjistrimit theksojnë se ai nuk i ka përfshirë banorët e rajonit verior të Mitrovicës, dhe kjo gjë në mënyrë domethënëse e nënvlerëson përfaqësimin e serbëve, që i takojnë Kishës Ortodokse Serbe, konsideron raporti.

Në raport më tutje theksohet se legjislacioni “i ndanë grupet religjioze nga institucionet publike” dhe siguron “të drejta të barabarta për të gjitha grupet religjioze, përcakton se vendi nuk ka një fe zyrtare dhe e ndalon diskriminim në bazë të religjionit dhe etnicitetit”.

Raporti konstaton se “nuk ekziston mekanizëm juridik për regjistrimin e grupeve fetare”.

Në pjesën përfundimtare të raportit të gjatë, theksohet se “përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarët qeveritarë amerikanë gjatë vizitave, janë takuar me liderët politikë dhe religjiozë për të kërkuar tolerancë fetare.

Zyrtarë të ambasadës rregullisht i kanë diskutuar çështjet e lirisë fetare me liderët e Kishës Ortodokse Serbe, me myslimanët, me katolikët, me protestantët dhe me komunitetin hebre, dhe kanë promovuar dialog ndërfetar.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë kërkuar dialog ndërmjet pjesëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe anëtarëve shqiptarë të qeverisë dhe të shoqërisë civile.

“Ambasada ka dhënë fonde për mbrojtjen dhe restaurimin e projekteve për vendet religjioze me rëndësi kulturore në gjithë vendin, përfshirë kishat në Bogosavec dhe Hoçë të Madh, një xhami në Pejë dhe freskat e rrezikuara në Manastirin e Deçanit”, thuhet në fund të raportit të gjatë të Departamentit amerikan të shtetit për liritë fetare në Kosovë në vitin 2012.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG