Ndërlidhjet

Thaçi: Vizita e Vuçiqit në veri për zbatimin e marrëveshjes


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mirëpret angazhimin e Qeverisë së Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Angazhimin dhe rolin e Serbisë në zbatimin e marrëveshjes, Thaçi e sheh si të rëndësishëm, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, ku autoritetet kosovare nuk kanë qasje.

Vizita e paralajmëruar e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuçiq në komunat veriore të Kosovës për javën e ardhshme, sipas kryeministrit Thaçi është në funksion të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

Thaçi është shprehur i bindur se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të zbatohet në tërësi.

“Këto angazhime janë në kuadër të lehtësimit dhe bindjes së serbëve në veri që kjo marrëveshje është zgjidhja e vetme për të ardhmen e tyre. Prandaj, ne duhet të jemi inkurajues për të gjithë akterët që mund të ndihmojnë në bindjen e njerëzve për ta pranuar marrëveshjen”, tha ai.

Kryeministri Thaçi ka thënë edhe këtë herë se në komunat veriore, në pjesën e dytë të vjeshtës së këtij viti, me ndihmën e OSBE-së, do të organizohen zgjedhjet e para sipas ligjeve të Kosovës.

Po në funksion të fillimit të zbatimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, pritet që javën tjetër të vizitojë komunat veriore ku liderët lokalë serb janë zotuar se nuk do të respektojnë marrëveshjen Prishtinë - Beograd, ngase sipas tyre, ajo i ndan ata nga Serbia dhe i fut nën ombrellën e Prishtinës.

Njëri nga liderët e serbëve veriorë, Slavisha Ristiq, u ka thënë medieve serbe se Vuçiq dhe asnjë zyrtar tjetër nga Beogradi nuk do t’i bindin serbët e atjeshëm që të zbatojnë marrëveshjen me Prishtinën.

Ai ka përsëritur qëndrimin se liderët e këtij komuniteti nga komunat veriore do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Serbisë me kërkesën për interpretimin e marrëveshjes së arritur me Prishtinën.

Duke u ndërlidhur me problemet e zbatimit të marrëveshjes në veri të Kosovës, analisti serb, Dushan Janjiq thotë se Beogradi, për një kohë të gjatë nuk i ka trajtuar njësoj serbët e Kosovës, ngase i ka ndarë ata në serbë lojal dhe jo lojal ndaj Prishtinës zyrtare.

Beogradi, kur i ka ftuar në konsultime serbët e Kosovës, i ka thirrur vetëm ata që marrin pjesë në organet e Serbisë, pavarësisht nëse janë nga veriu apo pjesët tjera, por nuk i ka ftuar serbët që marrin pjesë në institucion të e Kosovës. Mirëpo tani, realiteti ka ndryshuar dhe do të detyrohet t’i ftoj edhe ata në konsultime”, ka thënë Janjiq.

Javën e ardhshme, Prishtina dhe Beogradi pritet të vazhdojnë dialogun në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. Mirëpo, për zbatimin e kësaj marrëveshje, sipas zyrtarëve të lartë serb, do të nevojitet paraprakisht edhe një dakordim i Beogradit me serbët e komunave veriore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG