Ndërlidhjet

Turizmi i "heshtur"


Pamje e Maleve të Sharrit
Pamje e Maleve të Sharrit

Ndonëse një vend i vogël me një sipërfaqe prej 10. 908 kilometrash katrorë, Kosova është vend, i cili mund të jetë një destinacion turistik që ofron turizëm veror dhe dimëror.

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si pesë rajonet kryesore turistike në Kosovë.

Por, pavarësisht të gjitha këtyre resurseve të mjaftueshme turistike, sipas njohësve të fushës së turizmit, ky potencial nuk ka arritur të promovohet për faktin se institucionet e Kosovës nuk janë treguar të organizuara karshi këtij sektori dhe shumë vende turistike kanë probleme me infrastrukturë rrugore.

Investimet në shumë vende, ku konsiderohet se mund të zhvillohet turizmi, thonë ata, kanë munguar nga institucionet e Kosovës.

Zekë Çeku, ekspert i fushës së turizmit, është udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë. Ai tregon se Kosova, ashtu si është, ofron vende të jashtëzakonshme turistike, por këto vende duhet të promovohen.

“Kosova ka potenciale të mrekullueshme në të gjitha aspektet edhe natyrore edhe kulturore, turizëm ka gjithandej Kosovës. Kemi turistë që vijnë vazhdimisht, por problemi është se ne nuk jemi të organizuar si duhet dhe bëjmë farë pak me prezantimin e Kosovës si destinacion turistik në botë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zekë Çeku.

Kosovën, thekson Çeku, krahasuar me vendet tjera të rajonit e dallon mikpritja dhe shërbimi i mirë që iu bëhet turistëve. Brenda këtyre tre vjetëve, sipas Çekut, ka pasur rritje të numrit të turistëve. Turistët që vijnë në Kosovë janë më së shumti nga Britania e Madhe, Danimarka, Japonia po ashtu edhe Kanadaja dhe Amerika.

“Gjithashtu, është trashëgimia kulturore që është në listën e organizatës botërore të trashëgimisë botore, ka edhe objekte të tjera që meritojnë të jenë në atë listë, por për fat të keq askush nuk interesohet që t’i përgatisë ato, t’i prezantojë dhe të kërkojë pranimin që të hyjnë në atë listë të trashëgimisë botërore”, thekson Çeku.

Përveç pesë rajoneve për turizmin malor, Kosova është e pasur dhe e njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë: Gryka e Rugovës, Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, një numër i konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimes dhe bifurkacionin e Lumit Nerodime.

Një vend mjaft atraktiv dhe i përshtatshëm për turizëm dimëror, është kompleksi turistik Brezovica. Për këtë kompleks kanë filluar të përshpejtohen procedurat për dhënien në shfrytëzim të autorizuar për 99 vjet me kontratë të koncesionit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë hapjen e kërkesave për shprehje të interesit dhe ka pranuar ofertat nga 5 kompani të interesuara për këtë projekt.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë për Radion Evropë e Lirë se kjo ministri ka një plan strategjik për promovimin e turizmit, por që deri tani nuk është bërë sa duhet për të promovuar këtë sektor.

“Nëse themi se është bërë mjaft në promovimin e turizmit, atëherë nuk kemi të drejtë, mirëpo ka filluar dhe po vazhdon me një ritëm shumë më të lartë të promovimit të Kosovës me potencialet e veta. Vetëm në vitin e kaluar janë organizuar 13 konferenca për promovimin e investimeve në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe promovimin e turizmit”, deklaron Istrefi.

Javë më parë, projekti “Majat e Ballkanit”, që përfshin organizata lokale turistike në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara ka marrë çmimin ndërkombëtar, “Tourism for Tomorrow”.

Pasuritë natyrore të Pejës në Kosovë, Plavës e Gucisë në Mal të Zi, të Thethit e Valbonës në Shqipëri, me këtë çmim futen në hartën botërore të turizmit.

Prezantimi i këtyre aseteve natyrore kishte bindur jurinë profesionale të forumit të kompanive lidere të turizmit, që vendi i parë t’i takojë këtij projekti.

Zëdhënësi i komunës së Pejës, Arianit Demaj, thotë se marrja e këtij çmimi tregon se Peja është një vend atraktiv për turizëm.

“Ne besojmë se ky projekt do të shërbejë si një bazë dhe udhërrëfyes për të gjithë turistët që duan të vizitojnë Pejën, Rugovën dhe të gjitha bukuritë tona, dhe atëherë me siguri në bazë të këtyre vizitave, do të tërheqin investime të huaja", shprehet Demaj.
XS
SM
MD
LG