Ndërlidhjet

Fillon paraqitja e pickimit të rriqrave


Sipas profesionistëve shëndetësorë, Kosova do të vazhdojë të jetë zonë endemike me ethe hemorragjike, krime kongo.

Sali Ahmeti, infektolog ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar rastet e para të pickimit nga rriqrat.

"Kjo është një sëmundje që ka sezonalitet të shfaqjes së saj, dhe muajt sezonal për mundësinë e shfaqjes janë muaji maj, qershor dhe korrik. Këtë vit në mënyrë intensive kemi rritur gatishmërinë për ballafaqimin e kësaj sëmundjeje".

"Në vatrat endemike kemi filluar me pasur pickim të rriqrave, por jo raste të sëmundjes, por këto janë paralajmërimet e para për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes
", thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas zotit Ahmeti, sa i përket klinikës infektive, tashmë janë bërë gjitha përgatitjet për ballafaqim me sëmundjen e etheve hemorragjike.

"Ne si klinikë jemi të përgatitur mirë, kemi edhe një repart të ri, dhe janë kushtet e mira për trajtim. Gjithashtu kemi ekip me përvojë që do të mund të ballafaqohet me këtë sëmundje, por kemi edhe barnat adekuate të mjaftueshme", shprehet ai.

Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se tashmë janë bërë përgatitjet për dezinfektimin e zonave endemike.

Jusuf Dedushaj, epidemiolog, deklaron se është kërkuar që të lansohet edhe strategjia kombëtare, për eliminimin e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

"Ky është një nga problemet madhore të Kosovës, do ta zbusim këtë situatë. Kemi kërkuar edhe nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që të lansohet strategjia kombëtare për mënjanimin e kësaj sëmundjeje, por në mungesë të mjeteve po mundohemi të bëjmë atë që mundemi dhe këtë problem ta mbajmë në kontroll", bën të ditur Dedushaj.

Zoti Dedushaj shton gjithashtu se janë duke punuar në vetëdijesimin e popullatës, gjë që konsiderohet si shumë e rëndësishme në uljen e numrit të njerëzve që pickohen nga rriqrat.

"Është duke u punuar në një projekt ndërkombëtar me ekspertët më të njohur, përfshirë edhe ekspertët tonë, ku janë paraparë mjekët vendorë në bashkëpunim me ata ndërkombëtarë të mbajmë ligjërata për vetëdijesimin e popullatës, duke u shpërndarë edhe fletëpalosje se si njerëzit të ruhen nga pickimi i rriqrave e që është shumë e rëndësishme", thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, numri më i madh i viktimave është shënuar në vitin 2001, dhe 2011, kur si pasojë e pickimit të rriqrave, përkatësisht etheve hemorragjike, kanë humbur jetën 7 persona.

Simptomat e para te pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, lodhja, molisja dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG