Ndërlidhjet

Mungesa e marrëveshjes zvarrit integrimet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Rezultati i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësohet se do të ndikojë në perspektivën evropiane të dyja vendeve. Që nga fillimi i dialogut, Brukseli u kishte vendosur marrëveshjen të dyja palëve si një kriter për avancimet e tyre në proceset integruese.

Me marrëveshjen me Prishtinën, Serbia do të fitonte datën e nisjes së dialogut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Kosovës, përfarimin me nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit - MSA.

Deputeti Lutfi Haziri, kryetar i komisionit parlamentar për integrime evropiane i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do të duhej ta merrte parasysh edhe faktin që pala kosovare ka qenë e gatshme për marrëveshje që nga 4 marsi. Andaj, ai nuk pret që edhe Kosova të sanksionohet.

Kosova ka treguar gatishmëri dhe angazhim serioz. Jo vetëm për shkak të konsensusit politik, i cili është afër, dhe mbështetja që pjesa më e madhe e opozitës i ka dhënë këtij procesi, por edhe për faktin që Kosova që nga 4 marsi ka pranuar vendosjen e firmës në dokumentin i cili parasheh implementimin e të gjitha vendimeve që kanë dalë nga ky proces".

"Këshilli i ministrave do të duhej që të ndante palën që është sjellë me konstruktivitet dhe të angazhuar për të arritur marrëveshje në procesin e normalizimit që të mos e pengoj në rrugën evropiane”, ka thënë Haziri.

Lëvizja drejt Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, është vetëm hapi i parë i vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Por, fati i këtyre integrimeve si për Kosovën ashtu edhe Serbinë, sikur është ndërlidhur që nga takimi i marsit të vitit 2012 i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, thotë analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti.

Kosova nuk njihet si shtet nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Andaj procesi i bisedimeve me Serbinë dhe rezultati i tyre mund të vlerësohet në bazë të asaj se është arritur apo jo marrëveshja e cila do të ndikonte në proceset integruese.

Naim Rashiti, beson se shtetet mbajnë mendime të ndryshme në lidhje me perspektivën evropiane të dyja vendeve, por rezultatet e dialogut do të jenë të rëndësishme për të marrë një vendim politik.

“Fati i perspektivës evropiane të dyja vendeve është ndërlidhur që nga takimi i Këshillit të Ministrave të marsit të vitit 2012 dhe është vështirë të mendohet që njëri vend të merr karrotën e BE-së e tjetri jo".

"Do të jetë shumë e vështirë për Kosovën që shtetet anëtare të BE-së ta përkrahin mandatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nëse Serbia nuk e merr datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE
”, ka deklaruar Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Dialogu Kosovë – Serbi, për Prishtinën mund të jetë i rëndësishëm vetëm sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, përderisa për procesin e liberalizimit të vizave, mendohet se nuk do të ketë shumë ndikim.

Deputeti Lutfi Haziri thotë se liberalizimi ndërlidhet kryesisht me çështje tjera.

Neve na është thënë që proceset janë të ndara. Dialogu i parë, për Stabilizim Asocim është i varur nga gjetjet e studimit të fizibilitetit. Dialogu i dytë për liberalizim të vizave varet nga implementimi i bllok rekomandimeve që dalin nga Komisioni Evropian".

"Dialogu i tretë është më i rëndësishëm, është ai mbi sundimin e ligjit për të cilin është thënë vazhdimisht se përderisa Kosova nuk arrin rezultate të prekshme dhe bindëse, duhet të harrohet që liberalizimi i vizave dhe MSA-ja mund të vijnë lehtë
”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, Qeveria e Serbisë ka vendosur unanimisht të mos e nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Qeveria serbe kërkon nga BE-ja vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën.

Arsyetimi që është thënë ka të bëjë me, siç thuhet, mos-garantimin e sigurisë dhe të drejtave të njeriut për komunitetin serb në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG