Ndërlidhjet

Paragjykimet përçajnë e lëndojnë njerëz


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Paragjykimet vijnë nga një gjykim paraprak ende i pashqyrtuar, në lidhje me një çështje, ngjarje, fenomen, individ dhe shoqëri.

Ndonëse dihet se paragjykimet nuk duhet të bëhen dhe shumë herë këto paragjykime që bëhen për njerëzit, shkaktojnë edhe përçarje dhe lëndojnë të tjerët, kjo dukuri vazhdon të mbetet e pashmangshme te të rinjtë e Kosovës.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e disa të rinjve lidhur me paragjykimet që ata i bëjnë për çështje, individë apo ngjarje të caktuara.

Fillimisht, të gjithë i dënojnë paragjykimet, por prapë vazhdojnë ta bëjnë këtë. Thonë se paragjykimet që i bëjnë, kryesisht janë negative dhe bëhen pa u mbështetur në fakte.



Valon Dalipi, 20 vjeç, është nga qyteti i Prishtinës, student në Universitetin Publik. Ai thotë se paragjykimet janë bërë pjesë e pandashme e shoqërisë në Kosovë. Këto paragjykime, shton ai, janë nga më të ndryshimet dhe kapin njerëz të ndryshëm.

Paragjykime të mëdha, mendon ky i ri, po bëhen për politikanët.

“Mendoj që të rinjtë paragjykojnë shumë. Paragjykohen politikanët se të gjithë janë të korruptuar. Paragjykohen studentët, të cilët marrin bursa se mund të ketë fituar bursë për shkak të lidhjeve familjare, apo familjarëve që mund t’i ketë të punësuar në institucione”, thotë Valoni.

Në raste të shumta paragjykimet thonë ata, bëhen për shkak të mungesës së informacioneve që të rinjtë i kanë për njerëzit, të cilët udhëheqin institucionet e vendit.

Naim Hasani nga komuna e Shtimes, tregon se paragjykimet që bëjnë në shoqëri për njerëzit e ndryshëm, janë paragjykime negative. Dukuri jo e mirë dhe që nuk do të duhej të ishte tek një shoqëri e civilizuar, por siç thotë ai, nuk mund t’i shmangesh.

“Ka shumë paragjykime, për çdo gjë, sidomos ne të rinjtë paragjykojmë sot se ekonomia e Kosovës dhe çështjet tjera politike, kanë ardhur si pasojë e mos aftësisë së krerëve të institucioneve. Këto janë paragjykime pasi që nuk mund të thuhet se të gjithë janë të paaftë. Është dukuri negative, por që ne vazhdojmë të paragjykojmë”, shprehet Naimi.

Diamant Abazi nga qyteti i Gjilanit, student, tregon se në fakultete, paragjykimet më të mëdha bëhen për studentët kur kalojnë provimet. Edhe nëse ata janë përgatitur për atë provim, prapë ka paragjykime se mund të mos ketë ditur, por që provimin e kaloi, pasi, siç shprehet ai, profesori e kishte të familjes.

“Paragjykimet më të mëdha po bëhet në fakultete. Për shembull ka shumë raste kur paragjykohet një student, se provimin e ka kaluar pas pasur dije, por vetëm se profesori i ka njohur familjarët e atij studenti. Mund të mos jetë kjo e vërtetë se studenti mund të ketë mësuar aq shumë, derisa flitet se ai provimin e kaloi se i ndihmoi dikush”, thotë Diamanti.

Paragjykimet vazhdojnë deri edhe te stili i veshjes, thotë Adelina Ukaj.

“Shumë ka paragjykime. Paragjykohet një person se si duket, çfarë ka veshur, pse është veshur kështu. Normalisht, paragjykimi është dukuri e keqe, pasi që nuk mund të paragjykosh dikë apo të flasësh për një person nëse nuk ke ndenjur me të dhe nuk e di se çfarë personi është”, thotë Adelina.

Saranda Cakaj thotë se këto paragjykime që po ndodhin, po cenojnë shoqërinë. Shumë herë paragjykimet, thekson ajo, mund të kenë përkeqësuar lidhjen e një shoqërie apo edhe vendin e punës.

“Të rinjtë në Kosovë, janë ata të cilët paragjykojnë shumë. Jemi vendi që paragjykojmë më së tepërmi në gjithë rajonin. Paragjykojmë, si në dukje, si për provime sikur për profesor. Paragjykohet kur sheh dikë në rrugë duke ecur”, pohon Saranda.

Ngjashëm, shprehet edhe Korab Vokshi, student i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës:

“Sipas mendimit tim, paragjykuesit në Kosovë në numër janë të shumtë. Paragjykojnë për çdo temë për gjithçka, paragjykimet janë të pashmangshme në çdo aspekt”.
XS
SM
MD
LG