Ndërlidhjet

Punëtorëve iu shkelen të drejtat


Punëtorë në Kosovë
Punëtorë në Kosovë
Punëtorëve në sektorin privat në Kosovë vazhdojnë t’iu shkelen të drejtat që iu siguron Ligji i punës. Shkeljet më të shumta punëtorëve në Kosovë iu bëhen te mosrespektimi i kontratave të punës dhe stërzgjatja e orarit të punës.

Kështu, të paktën, vlerësojnë përfaqësues të punëtorëve dhe shoqatave ekonomike në Kosovë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara, Haxhi Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk janë të kënaqur me zbatueshmërinë e Ligjit të punës dhe kërkon nga institucionet kompetente që të marrin masa konkrete për ata që shkelin të drejtat e punëtorëve.

“Nuk mund të themi se nuk respektohet fare Ligji i punës, por jo në masën e duhur. Ky ligj nuk respektohet nga sektori privat, pasi që sektori publik qëndron shumë më mirë. Në sektorin publik ka probleme të mëdha”, bën të ditur Arifi.

Arifi thekson se nenet e Ligjit të punës, të cilat nuk kanë gjetur zbatim të duhur në Kosovë, janë nenet që kanë të bëjnë me orarin e punës. Punëtorët, sipas tij, bëjnë punë më shumë se sa që është e paraparë në Ligjin e punës.

“Punëtorëve iu shkelen shumë të drejta gjatë kohës sa ata janë në marrëdhënie pune. Nuk bëhen pagesat në kohën e duhur, punojnë me orar të stërzgjatur. Bëjnë punë, të cilat nuk janë të paraqitura në kontratë e shumë shkelje tjera”, shprehet Arifi.

Organi, i cili bën inspektimin e zbatimit të Ligjit është Inspektorati i punës. Edhe sipas raporteve të këtij Inspektoratit, është theksuar se ka mosrespektim të të drejtave të punëtorëve, konkretisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar ky inspektorat ka bërë mbi 3000 inspektime, dhe ka shqiptuar mbi 100 gjoba. Gjoba më e lartë që është shqiptuar, kishte vlerën 118 mijë euro, ndërsa ajo më e ulëta 500 euro.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëdhënësve thonë se Ligji i punës ka gjetur mirëkuptim ndërmjet punëtorët dhe punëdhënësve. Megjithatë, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, joformaliteti në punësim vazhdon të mbetet tejet i lartë.
Mbetet ende sfidë joformaliteti në punësim, i cili është tejet i lartë dhe nuk i përmbahet asnjë kontrate, e lërë më rregullave që dalin nga Ligji i punës

“Mbetet ende sfidë joformaliteti në punësim, i cili është tejet i lartë dhe nuk i përmbahet asnjë kontrate, e lërë më rregullave që dalin nga Ligji i punës. Kjo është shkelje e rëndë ndaj punëtorit”, thekson Shahini.

Sidoqoftë, Shahini thekson se shumë nene të këtij ligji kanë qenë të vështira për t’u zbatuar nga punëdhënësit, por pavarësisht kësaj, punëdhënësit janë munduar që të bëjnë respektimin e tij.

“Ne, si Aleancë e Biznesit, kemi bërë ftesë te të gjithë anëtarët tanë, te bizneset që çdo punëtor të ketë kontratën e punës, që ai të mbrohet ligjërisht”, thotë Shahini.

Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e punës, kapin shumën deri në 35 mijë euro.

Ligji i punës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor të vitit 2010, ndërsa zbatimi i tij ka filluar që nga 1 janari i vitit 2011.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG