Ndërlidhjet

Shqipëri: Qëndrime të kundërta për çmimin e tokës


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria skicoi një hartë të re të vlerës së tokës, nisur prej konstatimin në terren se harta ekzistuese nuk u përgjigjej çmimeve reale në treg.

Drejtori i Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, Avenir Peka, thotë se harta e re është shumë pranë realitetit.

“Kuptohet që asgjë nuk është perfekte dhe harta e vlerës nuk mund të pretendohet që ka 100 për qind saktësi. Por, në krahasim me hartën ekzistuese, saktësia ka arritur nga 48 deri në 49 për qind që ishte, në mbi 85 për qind. Funksionon dhe një mekanizëm që çdo fundvit harta e vlerës ripërpunohet me të dhëna vjetore në mënyrë që t’i përafrohet sa më shumë vlerës reale", thotë Peka.

Përveçse do të diktojë çmimet në tregun e shitjes dhe blerjes së tokës, harta do të ndihmojë qeverinë në procesin për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Por, shoqatat e pronarëve shprehen të pakënaqura lidhur me metodikën e zgjedhur për të caktuar çmimet e tokës dhe faktin që këtë gjë e bëri vetë Qeveria e Shqipërisë.

Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës për Pronësi me Drejtësi, thotë se ky zhvillim ka ulur në mënyrë të paarsyeshme vlerën e tokës:

“Çmimet e tregut nuk mund të dalin nga një institucion që është i interesuar për ta ulur çmimin, siç është Qeveria. Grupimi i pronarëve mendonte që një institucion i pavarur apo një metodikë e pavarur nga ekspertë të pavarur, mund të nxirrte çmimet e tregut. Sot shikojmë që ka çmime jashtëzakonisht më të ulëta sesa ato që janë realisht në treg. Plus kësaj, kemi çmime jashtëzakonisht të ulëta në zonat turistike që nuk janë vlerësuar si të tilla".

Toro ndalet dhe në disa aspekte të tjera negative që ka prodhuar, sipas tij, harta e re e vlerës së tokës.

"Ka prodhuar dhe një fenomen tjetër, unifikimin e çmimeve. Të gjitha tokat bujqësore të rrethit të Vlorës, pavarësisht se ku ndodhen, në vijën e ujit apo në malësi edhe të rrethit të Sarandës, pavarësisht se ku ndodhen, në Sarandë apo Delvinë, në vijën e ujit apo bregdet ku ka infrastrukturë të zhvilluar, kanë çmim të njëjtë. Një unifikim i papranueshëm", vlerëson Toro.

Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Avenir Peka, pretendon të kundërtën kur thotë se çmimi i tokës, përpara miratimit të hartës së re, nuk ishte realist në raport me tregun.

"Ishte 7 apo 8 herë më i lartë sesa ndodhnin realisht transaksionet në terren. Normalisht që një pronar kërkon të maksimalizojë vlerën e pronës së tij, por kjo nuk do të thotë se qëndron pretendimi i ish-pronarëve. Agjencia ka marrë nga hipoteka rreth 150 mijë kontrata, ka bërë përpunimin e tyre, pra nuk është se është bërë në mënyrë arbitrare çmimi i tokës", sqaron Peka.

Me këtë hartë, në azhurnim të vazhdueshëm, Qeveria synon të përcaktojë dhe faturën e kompensimit të ish-pronarëve, një kërkesë kjo vazhdueshme e Komisionit Evropian. Siç thotë Peka, paralelisht po punohet për digjitalizimin e arkivit të kësaj agjencie, me të dhëna të plota mbi të gjitha vendimet e marra në rreth 20 vjet.

"Me përfundimin e digjitalizimit dhe bazës së të dhënave dhe në kombinim me hartën e re të vlerës, agjencia është në gjendje dhe shumë shpejt do të dalë me koston reale të kompensimit ose borxhit real që shteti shqiptar u ka ish-pronarëve", thekson Peka.

Ish-pronarët pretendojnë se fatura financiare është shumë e lartë ndaj dhe këmbëngulin në kompensimin fizik të pronës.

"Kemi nxjerrë një kosto kompensimi prej 20 miliardë eurosh për sa i përket subjekteve të shpronësuara dhe 10 miliardë eurosh për procesin e legalizimit (pronarët që toka u është zënë nga ndërtimet pa leje). Askush s’ka mundur të na e hedhë poshtë këtë vlerësim. Prandaj, ne e kemi mbështetur kërkesën tonë te kompensimi fizik, si përparësi", potencon Toro.

Peka garanton se shumë shpejt do të nisë procesi i kompensimit fizik të pronës:

"Aktualisht, Qeveria i ka kaluar agjencisë fondin e kompensimit fizik, që do të thotë prona të ndryshme shtetërore në vende të ndryshme në Shqipëri, që do të thotë, ne kemi bazën e dhënave të këtyre pronave".

Vetëm për vitin 2012 Qeveria e Shqipërisë akordoi një fond prej 3 milionë dollarësh për kompensimin financiar të ish-pronarëve.

Po aq para do të jenë dispozicion edhe për vitin 2013. Gjatë pesë muajve të fundit është proceduar me një numër të madh dosjesh të ish-pronarëve, rreth 1 mijë të tilla, duke u fokusuar kryesisht tek ato me një problematikë komplekse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG