Ndërlidhjet

Ambienti biznesor, progres apo regres?


Fabrikë tekstili në Kosovë
Fabrikë tekstili në Kosovë
Ambienti i të bërit biznes në Kosovë viteve të fundit nuk ka shënuar progres, por regres, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të ekzekutivit të vendit, që Kosova ka bërë progres të dukshëm në këtë fushë.

Sipas tyre, sfidat që po pengojnë përmirësimin e mjedisit biznesor në Kosovë, vazhdojnë të mbeten shkalla e lartë e korrupsionit, prania e ekonomisë joligjore, prokurimi publik dhe rregullat e tepërta burokratike në këtë fushë.

Suzana Aliu, është pronare në kompaninë prodhuese “Magjik” që bën prodhimin e akulloreve dhe produkteve të qumështit. Pavarësisht mbulimit në nivel të lartë të tregut kosovar me produktet e kësaj kompanie, ajo numëron disa probleme, me të cilat ballafaqohet, e që, sipas saj, janë politika të gabuara të Qeverisë.

Ajo thotë se politikat fiskale, rëndojnë situatën e komunitetin e të biznesit. Sipas saj, duhet shpejt të lirohen nga pagesa doganore për lëndën e parë, derivatet e naftës, të cilat shfrytëzohen për prodhim, duhet të lirohen nga akciza dhe dogana, si dhe të ketë kontroll më të madh të tregut kosovar, në mënyrë që të ulet niveli i ekonomisë joformale.

“Për të ekzistuar ky sektor, Qeveria duhet të aplikojë të njëjtat kushte sikur vendet në rajon, të rregullojë politikat fiskale dhe sistemin bankar. Madje, ka produkte, të cilat vijnë nga vendet në rajon, e që nuk kanë cilësi. Mendoj se në vendet nga vijnë nuk shiten, mirëpo në vendin tonë na pengojnë jashtë mase, sepse me vetë faktin se është çmimi aq i lirë, cilësia nuk është e mirë. Por, me atë çmim, ata janë konkurrentë, shkaku i krizës ekonomike, normalisht se njerëzit konsumojnë atë që është më lirë për xhepin e tyre”, thotë Aliu.

Aleanca Kosovare e Biznesit, vazhdimisht ka dhënë rekomandime për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Lumnije Ajdini, menaxhere në këtë subjekt ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur që të krijojë ambient të favorshëm për bizneset apo prodhuesit kosovarë.

“Nuk është vetëm ekonomia joligjore. Është edhe korrupsioni, një temë shumë e ndjeshme, por për fat të keq këtë e dimë të gjithë. Përveç ekonomisë joformale dhe korrupsionit, është edhe burokracia në disa komuna, siç është për lejen e ndërtimeve, sektori i ndërtimtarisë ballafaqohet më tepër me këtë. Ka shumë e shumë sfida dhe ne duhet të punojmë bashkërisht me Qeverinë, mirëpo kjo e fundit duhet të krijojë kushte për bizneset kosovare”, shprehet Ajdini.

Edhe vetë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, pajtohet se procedurat burokratike ende janë të pranishme, por kjo, sipas saj, nuk ndodh për shkak të neglizhencës së Qeverisë. Ajo thotë se për reforma në fushën e të bërit biznes nevojitet bashkëpunimi i të gjitha niveleve, prej legjislativit e deri te nivelet komunale.

Mimoza Kusari - Lila
Mimoza Kusari - Lila
“Mendoj se ambienti i biznesit dhe kushtet e të bërit biznes në Kosovë do të përmirësohen vetëm atëherë kur të gjitha nivelet dhe institucionet që kanë të bëjnë në një mënyrë me biznesin, por edhe vetë biznesi, kur ta kuptojnë qartë se duhet procedurë e rregullt dhe respektim i kontratës, vetëm atëherë do të themi se kemi pasur përmirësime të dukshme".

"Kjo për shkak se edhe biznesi është akter në kuadër të ambientit të biznesit, është zbatues i kontratës është tatim-pagues. Prandaj, të gjitha këto procedura kur kryhen dhe respektohen nga biznesi, kanë ndikim në ambientin e biznesit”,
deklaron Kusari-Lila.

Megjithatë, zëvendëskryeministrja, Mimoza Kusari- Lila, shprehet se Qeveria është duke u angazhuar në vazhdimësi për përmirësimin e ambientit në të bërit biznes, si në shkurtimin e procedurave, në shkurtimin e kohës për marrjen e lejeve të licencave si dhe në ngritjen e transparencës.

Ajo për këtë çështje thotë se kanë finalizuar një ligj adekuat, i cili shumë shpejt pritet të dërgohet në Qeveri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG