Ndërlidhjet

Dita e Mësuesit



Mësues, nxënës, profesorë dhe edukatorë gjithandej në Kosovë, po shënojnë sot 7 Marsin, atë që njihet si Dita e Mësuesit

Kjo ditë është zgjedhur për të shënuar këtë ngjarje për nder të hapjes së mësonjtores së parë në gjuhë shqipe në Korçë, 126 vjet më parë.

Përvjetori i mësonjtores së parë shqipe, ndryshe simbolizon rilindjen e shqiptarëve dhe luftën e tyre për identitet kombëtar.

Fusha e arsimit në përgjithësi në Kosovë vlerësohet të jetë përballë një procesi sfidues të reformimit dhe në kërkim të një niveli më cilësor të shkollimit.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, në një ceremoni të organizuar për nder të Ditës së Mësuesit, theksoi se Fakulteti i Edukimit, i cili përgatit mësimdhënësit e ardhshëm, është duke bërë përpjekje për të shtyrë përpara reformimin e sistemit të edukimit.

“Misioni ynë si mësimdhënës është të çojmë përpara vizionin për reformimin e vazhdueshëm të sistemit tonë të edukimit me përkushtim dhe profesionalizëm. Gjithashtu, ne jemi përgjegjës që të bëjmë të mundur edhe realizimin e kornizës së re kurikulare të Republikës së Kosovës, që tërë dijen e bazon në kompetenca”, tha Çeku.

Në Kosovë janë gjithsej 1200 objekte shkollore të ciklit fillor dhe të mesëm, në të cilat mësimin e vijojnë mbi 450 mijë nxënës, nën kujdesin e mbi 23 mijë mësimdhënësve. Mësimdhënësi në Kosovë sot paguhet mesatarisht mbi 250 euro në muaj.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ndërkaq vlerësoi se Kosova ka punonjës të mirë arsimorë, të cilët bëjnë që gjenerata të tëra të shënojnë arritje në fushën e dijës, duke u bërë konkurrentë në tregun evropian të dijes.

Ibrahim Gashi
Ibrahim Gashi
“Arsimi shqip është zhvilluar në rrethana dhe procese të ndryshme historike, duke kaluar etapa të errëta të shoqërisë sonë, në veçanti sakrificën e mësimdhënësve në vitet ’90, që e mbajti gjallë sistemin e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, duke krijuar një bazament të fuqishëm. Nga ky bazament, dolën shumë intelektualë, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm fillimisht në çlirimin e vendit, e më pastaj edhe në krijimin e shtetit të Kosovës”, theksoi Gashi.

Mësuesit kosovarë në këtë ditë nderohen për kontributin e tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave të tërë. Nga viti i kaluar Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ndan çmimin vjetor “Shaban Jashari”.

Merita Haxhiu, mësimdhënëse në Shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, është nderur me këtë çmim.

“Që në ditët e para të punës time si mësimdhënëse, e kisha parasysh se po shkoj në një rrugë të një misioni të shenjtë, siç është edukimi dhe arsimimi. Si mësimdhënëse, aq sa kam kënaqësi, kam edhe shumë përgjegjësi”, u shpreh Haxhiu.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, përmendi ditët e rëndë të arsimit gjatë viteve ‘90 dhe reformat arsimore që janë duke u bërë.

“Kemi hartuara kurikulat e reja, jemi në formësim dhe aprovim të kurikulave bërthamë, jemi në transformim të Fakultetit të Edukimit dhe duke e transformuar Fakultetin e Edukimit, me moton të bëjmë mësuesin e ri të epokës së re, ne transformojmë të gjitha fakultetet. Nëse kemi mësuesin e mirë, ne kemi inxhinierin e mirë, pilotin e mirë , mjekun e mirë dhe gjithë të tjerët të mirë”, deklaroi Buja.
XS
SM
MD
LG