Institucionet e Kosovës planifikojnë që deri në vjeshtën e këtij viti do të organizojnë zgjedhje të lira në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, me çka besojnë se do t’i jepej fund funksionimit të strukturave paralele të Serbisë në atë pjesë.
Pas takimit të fundit të mbajtur në Bruksel më 19 dhe 20 shkurt midis kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbise Ivica Daçiq, zyrtarët në Prishtinë thonë se edhe Beogradi është pajtuar që të shuhen strukturat ilegale të sigurisë dhe të fillojë transformimi i strukturave tjera në kuadër të institucioneve legale të Kosovës.
Ramush Tahiri, këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga thotë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që në shtator apo tetor të mbahen zgjedhjet në tri komunat veriore, me tendencë që atje të themelohet edhe komuna e re e Mitrovicës së veriut në mënyrë që edhe atje më pas të zhvillohet procesi zgjedhor.
Pavarësisht përqindjes së pjesëmarrjes, me anë të zgjedhjeve do të themeloheshin organet e reja komunale dhe do të shuheshin strukturat paralele e ilegale, thotë Tahiri.
“Faza e parë, për të cilën institucionet e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare por edhe Serbia janë pajtuar, është që të shpërbëhen të gjitha strukturat ilegale edhe paralele që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë, policisë dhe gjyqeve të Serbisë që ekzistojnë atje dhe të krijohen institucionet e Kosovës".
"Kjo është faza e parë e cila duhet të përfundon me vjeshtën e këtij viti. Faza e dytë është se si do të ketë bashkëpunim ndërmjet komunave që janë krijuar përmes procesit të decentralizimit”, thotë Tahiri.
Përmes decentralizimit janë krijuar 10 komuna të reja, 9 me shumicë serbe dhe Mamusha me shumicë turke. Ndërkohë parashihet që të krijohet edhe komuna e 11 ajo e Mitrovicës së veriut.
Këto komuna me shumicë serbe, parashihet që të lidhin bashkëpunimin e tyre përmes një asociacioni.
Në Prishtinë, ky asociacion po përkufizohet si një organizatë joqeveritare, ndërkaq në Beograd si një bashkësi e komunave që do të nënkuptonte një nivel të tretë të pushtetit.
Duke folur për rolin dhe kompetencat e këtij asociacioni, Ramush Tahiri thotë se bëhet fjalë për një asociacion që nuk ka kompetenca legjislative dhe as ekzekutive.
“Asociacioni nuk nënkupton autonomi të nivelit të dytë komunal dhe të ndërmjetëm për nivelin qendror, por nënkupton një asociacion që është i paraparë me ligj".
"Ajo që është me rëndësi, në këtë asociacion nuk ka asamble, nuk ka numër të deputetëve që prezantohen në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive. Domethënë po i referohemi Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thotë Tahiri.
Entuziazmi i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, mund të zbehet nga mungesa e vullnetit të serbëve lokal në veri që t’i shkëpusin lidhjet me Beogradin dhe të orientohen kah Prishtina.
Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq thotë për Radion Evropa e Lirë se organizimi i zgjedhjeve sipas planeve që po prezantohen në bisedimet Prishtinë – Beograd do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.
Andaj, sipas tij, pavarësisht se çka merren vesh Prishtina dhe Beogradi, serbët e veriut nuk do t’i obligoj që ta respektojnë.
“Ajo që ne ia kemi thënë në disa raste qeverisë në Beograd është: Zotërinjë nëse dëshironi që t’i ktheni shpinën Kosovës, ndryshojeni së pari Kushtetutën e Serbisë dhe atëherë lejoni Prishtinës që të shtrij pushtetin në gjithë territorin e Kosovës”, thekson Jakshiq.
Përderisa Kosova është pjesë konstitutive e Kushtetutës së Serbisë, vijon Jakshiq, nuk mund të kërkohen zgjidhje të ndërmjetme.
Për organizimin e zgjedhjeve në komunat veriore, kryeministri Hashim Thaçi në deklaratat e tij ka ftuar publikisht OSBE-në që të organizoj dhe menaxhoj zgjedhjet.
Por, një zëdhënës i OSBE-së në Prishtinë, Nikolla Gaon i tha Radios Evropa e Lirë se se ky mision nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga qeveria e Kosovës, ndonëse OSBE, sipas tij, po përcjell nga afër zhvillimet në dialog.
“OSBE-ja nuk është konsultuar në lidhje me këtë çështje dhe nuk kemi ndërmarrë kurrfarë hapash në këtë drejtim, por natyrisht që përcjellim zhvillimet në kuadër të dialogut”, thekson Gaon.
Çështja e normalizimit të gjendjes në veri do të diskutohet në takimin e radhës që Thaçi e Daçiq pritet ta zhvillojnë më 4 mars në Bruksel me ndërmjetësim të baroneshës Catherine Ashton.
Kryeministri Hashim Thaçi ka diskutuar çështjet e dialogut edhe gjatë një bisede telefonike me zëvendës sekretarin amerikan të shtetit, William Burns.
Me këtë rast, Thaçi ka sqaruar se asociacioni i komunave serbe nuk mund të ketë kompetenca legjislative e ekzekutive.
Gjithashtu, ai ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara mirëkuptimin dhe mbështetje në këtë proces si gjatë negocimit të çështjeve ashtu edhe zbatimit të marrëveshjeve.