Ndërlidhjet

Jahjaga mund të takojë Nikolliqin pas 17 janarit


Jahjaga dhe Nikolliq
Jahjaga dhe Nikolliq
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është "e gatshme të takohet me këdo, kurdo dhe kudo, në përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës".

Zëdhënësi Arbër Vllahiu ka kujtuar se ky është qëndrim parimor i presidentes qysh në ditën e parë të mandatit të saj.

“Që në Samitin e katër presidentëve të shteteve të rajonit, të mbajtur në Ohër të Maqedonisë, në korrik të vitit 2011, presidentja Jahjaga pranoi propozimin dhe ndërmjetësimin e presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për të pasur një takim me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq. Gjithashtu edhe në takimin e katër presidentëve që u mbajt më 4 dhe 5 dhjetor të këtij viti, në Budvë të Malit të Zi, ftesa për pjesëmarrje i ishte bërë edhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq”, ka thënë Vllahiu.

Ai ka bërë të ditur se, në ditën e fundit të Samitit të Budvës, kabineti i presidentes është kontaktuar nga presidenca serbe dhe “është sugjeruar një takim i drejtpërdrejtë ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve”.

Vllahiu ka thënë se presidentja është kontaktuar edhe nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe është biseduar për mundësinë dhe modalitetet e takimit ndërmjet dy presidentëve.

“Presidentja Jahjaga i është përgjigjur pozitivisht një nisme të tillë, duke e konsideruar edhe si nismë të saj, sepse takimet ndërmjet liderëve të të dyja shteteve i kontribuojnë agjendës evropiane për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për zgjidhjen e çështjeve me anë të marrëveshjeve e dialogut”, ka thënë Vllahiu, për të shtuar:

“Pasi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me një mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja Jahjaga u ka sugjeruar liderëve te Bashkimit Evropian që të organizojnë dhe ndërmjetësojnë takimin e parë ndërmjet presidentes së Republikës së Kosovës dhe presidentit të Republikës së Serbisë dhe ky takim do të mbahej pas takimit të radhës të kryeministrave Thaçi dhe Daçiq”.

Takimi i radhës mes dy kryeministrave është caktuar për 17 janar të vitit të ardhshëm.

Sipas Vllahiut, presidentja Jahjaga konsideron se dialogu është e vetmja alternativë për gjetjen e zgjidhjeve evropiane dhe për zbatimin e tyre në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura.

“Takimet e presidentes me kryetarët e shteteve e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, ka theksuar Vllahiu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG