Ndërlidhjet

Maqedoni: E ardhmja e të rinjve, e varur nga politika


Shkup...
Shkup...
Shkalla e lartë e papunësisë në njërën anë, si dhe bllokimi i procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike në anën tjetër ndikon që e ardhmja e gjeneratave më të reja në masë të konsiderueshme të jetë e varur nga politika dhe jo aftësitë e tyre profesionale, theksojnë analistët në Maqedoni.

Të rinjtë thonë se është rregullimi shtetëror i tillë që krijon mundësi për përfshirjen e politikës në çdo pore të shoqërisë, pa mbajtur llogari për ruajtjen e vlerave individuale.

Këtu te ne, pa pasur ndonjë bazë përmes së cilës do të mbahesh, ju asnjëherë nuk do të jeni të përshtatshëm për punësim, sepse rrethanat e tilla janë nëse nuk je pjesë e partisë, nuk mund të jesh as i punësuar”, shprehet Ardian Kerimi student në USHT.

Ai, krijimin e perspektivave me mundësi të barabarta, ku prioritet do të kenë vlerat dhe jo lidhjet partiake, e sheh në organizimin e organizatave studentore dhe përfshirjen e faktorit ndërkombëtar me projekte konkrete.

Kjo duhet filluar nga OJQ-të apo organizatat e ndryshme nëpër universitete, për t’u dhënë mundësi studentëve, gjithsesi këtu rol mund të luajnë dhe organizata të ndryshme të vendeve të zhvilluara, të cilat i mundësojnë popullit, gjegjësisht të rinjve angazhim jashtë të qenit pjesë e politikëbërjes”, thotë Kerimi.

Edhe Besa Halimi është e mendimit se politikanët më shumë janë të interesuar për ruajtjen e privilegjeve të tyre, sesa krijimin e perspektivave për të rinjtë.

Mendoj se nuk do të kem të ardhme nëse nuk kyçem në politikë, sepse politikanët tanë shikojnë vetëm interesat e tyre dhe jam e mendimit se pa aktivizimin në politikë edhe do të jetë e kotë”, thotë ajo.

Ndërkaq Lindita Kadriu, nga sektori civil, konsideron se është e patolerueshme për një shoqëri siç është Maqedonia që perspektiva e vetme të shihet përmes politikës ose ikja larg vendit.

Vet fakti se të rinjtë, ëndërrojnë t’ia mbathin diku, tregon qartë se ata shpresë nuk kanë, e të mos kesh shpresë në një moshë të tillë, paraqet një parametër shumë të keq për shoqërinë në të cilën jetojmë”, shprehet Kadriu.

Nga ana tjetër, Adnan Jashari nga UEJL në Tetovë thotë se prezenca e politikës në masë të konsiderueshme në shoqëri ka marrë rolin determinues sa i përket kultivimit të vlerave individuale.

Së pari në këtë shtet vetë shoqëria është tepër e politizuar, dhe duke pasur parasysh këtë fakt, është shumë vështirë që dikush, e veçanërisht të rinjtë të sigurojnë një perspektivë të marrëdhënieve të punës, pa u përfshi paraprakisht në të ashtuquajturat rrjedha politike”.

E dyta, si arsye në të cilën unë thellë jam i bindur, qëndron në atë se tregu, për fat të keq nuk është e zhvilluar dhe në një mënyrë të mund të përballojë konkurrencën e lirë”, shprehet Jashari.

Sipas tij, është koha e fundit që autoritetet zyrtare të arsimimit të lartë të harmonizojnë programet studimore, duke pasur parasysh kërkesat në tregun e punës, në të kundërtën Maqedonia ndërton një gjeneratë akademike me perspektivë dëshpëruese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG