Ndërlidhjet

Kriza financiare prek edhe Kosovën


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Paralajmërimet e Bankës Qendrore Evropiane se gjendja ekonomike e vendeve të eurozonës do të vazhdojë të dobësohet vitin e ardhshëm dhe të mos e rimarrë veten deri në fillim të vitit 2014, ngrit shqetësim edhe në Kosovë.

Banka Qendrore vlerësoi se ekonomia e eurozonës ka gjasa të tkurret me rreth 0.5 për qind këtë vit dhe ndoshta edhe 0.3 për qind në vitin 2013, para se të rifillojë rritjen me 1.2 për qind në vitin 2014

Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se kjo krizë ekonomike në shumë vende të botës e në veçanti në shtetet e Bashkimit Evropian do të prek edhe Kosovën.

Aty ku mund Kosova të preket nga kjo krizë ekonomike në eurozonë, janë remitencat, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.

Lekë Musa, ekspert i ekonomisë, thotë Radion Evropa e Lirë se ekonomia e Kosovës për vite të tëra është e varur nga dërgesat e emigrantëve, dhe kriza ekonomike në eurozonë do të ketë efektet negative.

Duke pasur parasysh trendet globale dhe rritjen ekonomike apo depresionin ekonomik që është në shumë vende të botës dhe kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian kjo do të reflektohet tek diaspora kosovare dhe gjithashtu do të ketë reflektime edhe në ekonomin e Kosovës”, thekson Musa.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e emigrantëve u treguan më stabile duke arritur vlerën prej 261.5 milionë në qershor 2012, që paraqet një rënie vjetore prej 0.7 për qind.

Bazuar në statistikat zyrtare, konsiderohet se afër 25 për qind e popullatës ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, del se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.

Në anën tjetër, Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi thotë se kriza ekonomike ne vendet e eurozonës përveç se do të reflektojë në rënien e remitencave në Kosovë do të ketë edhe rënie të investimeve të huaja.

Herën e parë kur ka pasur krizë financiare në botë në vitin 2008 shumë donatorë kanë larguar donacione nga listat e tyre, duke përfshirë edhe Agjencinë Britanike për Zhvillim e cila kishte larguar Kosovën si pjesë e vendeve kur duhet të investohet për shkak të krizës financiare dhe ka kanalizuar investimet e saj vetëm përmes fondeve të Bashkimit Evropian. E njëjta mund të ndodh në zvogëlimin e ndihmave të huaja dhe remtiencave”, thotë Demi.

Por, për ekspertin e ekonomisë, Lekë Musa brengosëse mbetet çështja se Qeveria e Kosovës nuk ka një plan për zëvendësimin e këtyre remitencave.

Është koha e fundit që ekonomia në Kosovë t’i kthehet burimeve të zhvillimit të cilat do ta kenë bazën këtu në Kosovë dhe jo të varemi edhe më tutje nga këto mjete që dërgohen nga jashtë në formë të remitencave”, thekson Musa.

Burimet tjera që do të zëvendësonin këto remitenca, sipas Lekë Musës është stimulimi i prodhimit dhe shërbimeve të ndryshme, ku e ardhura do të krijohet në Kosovë.

Një rekomandim për zëvendësimin e këtyre të ardhurave e bëjnë edhe përfaqësues të Institut GAP. Agron Demi thotë burim i zëvendësimit të remitencave është vendosja e kuotave për produktet e importuara e cila rrjedhimisht do të ulte deficitin tregtare dhe do të rriste prodhimin vendor.

Një gjë e tillë do të duhej të ndodhte pasi që Kosova gjithnjë po varet shumë nga krizat ekonomike të jashtme. Pasi që në Kosova ka një ekonomi të hapur dhe Kosova nuk ka politikë monetare që do të do të mund të ndikonte në mënyra tjera e vetmja gjë që mund ta bënte Kosova është krijimi i politikave për uljen e deficitit tregtarë”, thotë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG