Ndërlidhjet

Jinping dhe Obama: Dy liderë që përballen me kriza të ndryshme


Jinping dhe Obama
Jinping dhe Obama
“Në të njejtën javë, ne mësojmë se kush do të jenë liderët e ardhshëm të dy superfuqive: Barack Obama dhe Xi Jinping. Dallimi i vetëm është se ne nuk e dinim nëse do të ishte Obama deri në votimet e ditës së martë. Për dallim nga rasti i Obamës, ne e dinim se do të ishte Xi, shumë kohë para fillimit të Kongresit Kombëtar në Pekin, nga i cili ai do të dalë si lideri i ardhshëm i Partisë Komuniste Kineze, duke u bërë në këtë mënyrë presidenti i ardhshëm e vendit, pranverën e ardhshme”, shkruan e përditshmja britanike, “The Guardian”.

Sipas gazetës, kjo rastësi çon deri te dy pyetje: cila superfuqi po bëhet më e fuqishme? Dhe cila fuqi përballet me krizë më të thellë të sistemit ekonomik dhe politik? Edhe pse mund të tingëllojë kontradiktore, përgjigjet janë: Kina dhe Kina.

Më tutje Guardian shkruan se Kina nëpërmjet madhësisë së saj absolute, përparësive zhvillimore, sipërmarrësve, historisë e shtetësisë perandorake dhe urisë individuale dhe kolektive për “pasuri dhe fuqi”, do të bëhet relativisht e fortë dhe për këtë arsye, SHBA-ja do të bëhet relativisht më e dobët.

Gjatë pesë viteve të kaluara, duke filluar që nga largimi i George Ë. Bushit, SHBA-ja është duke u ballafaquar me probleme të shumta, mirëpo edhe Kina parashihet të përballet me probleme të veta në pesë vitet e ardhshme.

“Të gjithë i dimë problemet e Amerikës, të cilat u përmendën edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe u pranuan nga Obama gjatë një fjalimi, që tingëllonte më shumë si leksion nga edukata qytetare. Deficiti dhe borxhet, Kongresi i bllokuar, një kod i taksave më i gjatë se Bibla, infrastruktura e neglizhuar dhe sistemi i edukimit, janë vetëm disa prej problemeve të Amerikës, dhe nuk duhet nënvlerësuar vështirësia e luftimit të tyre. Por ne i dimë të gjithë këto probleme, dhe ky është qëllimi. Ne nuk e dimë shtrirjen e gjerë të problemeve të Kinës, sepse mediave kineze nuk u lejohet të raportojnë si duhet”, shkruan “The Guardian”.

Sipas gazetës, disa nga sfidat e zhvillimit të Kinës do të ekzistonin edhe po të kishte ky vend sistemin politik më të përsosur në botë. Kina ka kaluar nëpër revolucionin më të madh dhe më të shpejtë industrial në historinë e njerëzimit. Popullësia urbane e këtij vendi është rritur për 480 milionë njerëz në 30 vjet; pra më shumë se gjysma e popullësisë së Kinës tani jetojnë nëpër qytete. Ajo duhet të mbështetet në kërkesat e saj të brendshme, sepse nuk mund të varet gjithmonë nga SHBA-ja, që është konsumatori i fundit.

“Lidhja e parave me politikën mund të jetë arsyja kryesore e bllokadës sistematike të Amerikës, por edhe e Kinës gjithashtu. Në ish Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore mund të shihen ish-liderë të Partisë Komuniste që janë super pasuruar. Edhe në Kinë, homologët e tyre janë super pasuruar, por vazhdojnë të mbesin liderë të Partisë Komuniste”, analizon më tutje “The Guardian”.

“Në Kinë, si çdokund, një krizë mund të përshpejtojë reforma apo revolucion. Shpresojmë të jenë reforma. Këto reformat shumë urgjente, nëse ndodhin, nuk do të rezultojnë në stilin demokratik e liberal në një të ardhme të afërt, apo ndoshta kurrë. Mirëpo të gjithë e dinë, madje edhe analistët e Partisë Komuniste Kineze se interesi nacional i Kinës ka nevojë të shkojë në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, sigurisë sociale dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekologjik”, shkruan “The Guardian”.

“Ne, pjesa tjetër e botës, kemi një interes ekzistencial në sukseset e reformave si në SHBA ashtu edhe në Kinë. Shtetet e pakënaqura, që nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet e tyre në shtëpi, ka më shumë gjasa që ta shfryejnë zemërimin e tyre jashtë. Ne duam që të dyja këto shtete të jenë të suksesshme”, e përmbyllë shkrimin e përditshmja britanike, The Guardian. (v.k.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG