Ndërlidhjet

Pritje të ndryshme nga takimi i dytë Thaçi – Daçiq


Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq
Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, pritet që nesër në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton të zhvillojnë edhe takimin e dytë me radhë.

Paraprakisht, pritet që baronesha Ashton t’i takojë ndaras të dy kryeministrat në mënyrë që të përcaktohet edhe temat që pritet të nisin serinë e takimeve Kosovë - Serbi, me synimin që të dyja vendet në fund të arrijnë deri te një normalizim të marrëdhënieve reciproke.

Para nisjes së takimeve me homologun e tij nga Serbia, kryeministri Thaçi ka marrë paraprakisht një mbështetje nga Kuvendi i Kosovës me një rezolutë e cila kërkon nga qeveria që ta përfaqësojë vendin në mënyrë të barabartë dhe trajtojë vetëm çështje në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Jo vetëm partitë e koalicionit qeverisës, por edhe dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbështetur dialogun.

Por, me gjithë mbështetjen e dhënë, këto dy subjekte politike nuk dëshirojnë të jenë edhe pjesë e delegacioneve të Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri thotë se opozita do ta përcjell gjithë procesin dhe kontributin e vet e jep përmes Parlamentit.

Nëse veprohet konform kushtetutës, nuk cenohet sovranitet i vendit, integriteti dhe rregullimi i brendshëm dhe marrëveshjet eventuale ratifikohen në Kuvend, ne vazhdimisht kemi thënë që nuk shohim arsye që të mos ketë dialog dhe e kemi përkrahur si subjekt politik”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, partia e vetme politike në Kuvendin e Kosovës që kundërshton bisedimet me Serbinë është Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Glauk Konjufca nga ky subjekt politik thotë se bisedimet janë të pabarabarta dhe se ato, sipas tij, nuk janë në interesin e Kosovës, por më shumë janë në interesin e kryeministrit Thaçi.

Ai vlerëson se një proces i tillë bisedimesh me Serbinë me gjendjen aktuale në veri ku strukturat ilegale të pushtetit të mbështetura nga Serbia pamundësojnë shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në atë pjesë, vetëm sa mund ta përkeqëson situatën.

Po ashtu, Konjufca beson se procesi siç filluar, nuk do të përfundon me normalizim, por me përkeqësimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Krejt ky proces ka rrezik të përfundoj me një bosnizim të Kosovës dhe unë nuk mendoj që do të ishte ky një normalizim i marrëdhënieve me Serbinë. Përkundrazi, marrëdhëniet do të hynin në një fazë finale të armiqësimit total me ç’rast Serbia do ta kontrollonte një pjesë të territorit të Kosovës dhe do të na shantazhonte vazhdimisht duke na e destabilizuar Kosovën”, thekson Konjufca, duke aluduar në pjesën veriore e cila sipas tij, në bazë të këtij procesi mund të përfitoj një status special autonom.

Një qëndrim kritik ndaj procesit të bisedimeve në nivelin politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit shprehin edhe përfaqësuesit e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës.

Njëri nga liderët e veriut, Marko Jakshiq thotë se Qeveria e re në Beograd po vepron njësoj sikurse ajo e kohës së ish-presidentit Boris Tadiq, duke i lënë anash interesat e serbëve të Kosovës dhe vendosur si prioritet integrimet evropiane.

“Beogradit këtë e bën ngase më shumë i intereson Bashkimi Evropian sesa Kosova”, thotë Jakshiq, duke kundërshtuar tezën e presidentit aktual serb Tomsllav Nikolliq se para BE-së, Serbia do të zgjidhte Kosovën.


Mendimet e qytetarëve për bisedimet


Takimet e kryeministrave Thaçi e Daçiq i komentojnë në mënyra të ndryshme edhe disa qytetarë të anketuar në Prishtinë.

Rrahim Maçastena, pensionist nga Prishtina mbështet dialogun, por bën thirrje për maturi.

Duhet me të takohen. Por, duhet të takohen me mend. Pa e pasur programin, pa e pasur atë drejtimin se çka do të flasësh, çka do të bësh, këta (liderët) nuk duhet të shkojnë të bisedojnë. Duhet me t’i parashtrohen edhe kushte Serbisë, krimet që i ka bërë, dëmet, dhunimet, vjedhjet, a e dini se sa shtëpi na i ka shkatërruar”, thotë ky qytetar.

Pro-dialogut, shprehet edhe qytetari tjetër me emrin, Agim Sopjani.

Po në qoftë se deri më tani kanë qenë të vendosura si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimi Evropian, atëherë aty i kemi pritjet, shpresat”, thotë Sopjani.

Edhe Sabri Lahu, mbështet dialogun, por ai kërkon nga spektri politik që të jetë i unifikuar në këtë proces.

Duhet të bëhen të gjitha bashkë, të shkojnë të gjitha bashkë, ose asnjë hiq. Kjo është bisedë sikurse në Rambuje. Duhet me qenë bashkë. Edhe në Rambuje kanë qenë të gjitha partitë bashkë dhe për atë e kanë mbërri këtë pavarësi, sepse s’do të kishim mundur me e mbërri hiç”, thotë Sabri Lahu.


Takimi i parë


Takimi i nesërm Thaçi – Daçiq, pason atë të 19 tetorit, të zhvilluar ndërmjet dy kryeministrave, po me ndërmjetësimin e BE-së.

Ai takim ishte përshëndetur nga Uashingtoni dhe Brukseli duke shprehur besimin se në fund të procesit të dyja vendet deri te një stad i normalizimit të marrëdhënieve reciproke.

Në bazë të takimit të parë në Bruksel, agjenda e takimeve Prishtinë – Beograd mes tjerash parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet dyja vendeve, hapjen e zyrave ndërlidhëse, angazhimin e palëve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur të luftës, pastaj anëtarësimin e papenguar të Kosovës në nisma dhe forume ndërkombëtare e deri te mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë.

Po ashtu, në këtë dialog është përmendur çështja e zhbërjes dhe largimit nga Kosova të strukturave paralele të financuara nga Serbia, temë kjo që më pas besohet se mund të nisë edhe pjesën më të vështirë të këtij dialogu, atë të trajtimit të çështjes së pjesës veriore të banuar me shumicë serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG