Ndërlidhjet

Si do të mblidhet borxhi në veri?


Ilustrim
Ilustrim
Që nga përfundimi i luftës jo të gjithë konsumatorët i kanë paguar obligimet ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës.

Borxhe të mëdha vlerësohen të jenë në pjesën veriore të Mitrovicës, pasi që 13 vjet me radhë KEK-u nuk ka pasur qasje në atë pjesë, madje në këtë rajon veprojnë në mënyrë ilegale dy operatorë të palicencuar serbë.

Viktor Buzhala, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se tashmë nuk dihet vlera e borxhit në pjesën veriore të Mitrovicës

“Dihen rrethanat që kanë mbizotëruar që nga përfundimi i luftës, rrethanat politike, ekonomike, gjendja reale që ka mbizotëruar atje. Si pasojë e kësaj, KEK-u nuk ka pasur mundësi që të ketë qasje në leximin e njehsorëve dhe dërgimin e faturave, prandaj nuk mund të flasim për një shumë të borxhit të faturave”, thotë Buzhala.

Përderisa, zyrtarë të KEK-ut, nuk kanë ndonjë përllogaritje të përafërt, në muajin qershor të po këtij viti, Viktor Buzhala, i pati thënë Radios Evropa e Lirë, se borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, që nga përfundimi i luftës vlerësohet të jetë mbi 100 milionë euro.



“Është energji e jona, mirëpo nuk mund ta faturojmë as ta inkasojmë, për shkak të rrethanave tashme të ditura. Borxhi tashmë sillet mbi 100 milionë euro, sigurisht që nuk mund të flasim me shifra të sakta, si pasojë e mungesës se qasjes, mirëpo aty sillet shifra, pasi kohëve të fundit, krijohet një borxh prej 20 milionë euro në vit”, pati deklaruar Buzhala.

Kosova A
Kosova A
Por, si do t’i grumbullojë borxhet në atë pjesë kompania “Limak- Çalik”, tashmë pronare e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS)?

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thotë se problemet në veri të Mitrovicës në lëmin e energjisë elektrike, janë politike dhe ato duhet të zgjidhen në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Nga rezultatet e këtyre bisedimeve, Baxhaku konsideron se do të zgjidhet edhe problemi i inkasimit të faturave për energjinë e shpenzuar.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe me kufijtë e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, kjo nënkupton se edhe gjatë tenderit për privatizimin e Distribucionit dhe shpërndarjes është respektuar ky parim. Operatori privat i distribucionit dhe shpërndarjes, i cili do ta marrë kompaninë në maj të vitit të ardhshëm, duhet të funksionojë duke respektuar këto parime”, thekson Baxhaku për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve energjetike në vend, dyshojnë se pronari privat i KEDS-it do të arrijë t’i mbledhë borxhet e grumbulluara, pasi një gjë të tillë nuk kanë mundur t’a realizojnë autoritetet e energjetikës.

Njohësi Nezir Sinani, konsideron se nga pamundësia e grumbullimit të borxheve, operatori privat do të rrisë çmimin e energjisë, barrë kjo që do t’u bjerë konsumatorëve që paguajnë rregullisht faturat e shpenzuara.

“Se si mund të realizohet kjo është pastaj përmes formës direkt të subvencionimit të Qeverisë, apo përmes një reflektimi të tarifave të energjisë elektrike, në ç’rast, konsumatorët e rregullt në pjesë tjera të Kosovës, do të detyrohen që të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike, në mënyrë që KEDS-i, privat tashmë, të arrijë të inkasojë mjetet e veta në pjesën veriore të Mitrovicës”, vlerëson Sinani.

Ndryshe, nga mesi i muajit tetor, ekzekutivi i vendit ka nënshkruar kontratën me konsorciumin turk “Limak& Çalik”, për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike.

Ky rrjet është shitur për 26. 3 milionë euro, e që është kundërshtuar nga disa parti politike dhe nga shoqëria civile.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG