Ndërlidhjet

Optimizëm për bërje biznesi


Ilustrim
Ilustrim
Përfaqësuesit e institucioneve kosovare, janë shprehur optimistë se raporti i Bankës Botërorë “Të bërit biznes”, do të jetë më pozitiv për Kosovën.

Sipas tyre, Kosova do të renditet më mirë, pasi që ka shënuar progres të theksuar në përmirësimin e ambientit afarist.

Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes”, për vitin 2013, do të publikohet në fund të këtij muaji.

Në këtë raport përfshin 183 shtete dhe klasifikon ekonomitë në 10 fusha të rregullave të biznesit, duke filluar nga hapja e një biznesi, zgjidhja e çështjes së falimentimit dhe tregtisë ndërkufitare.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, pas takimit të Këshillit Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik, theksoi se Kosova ka bërë ndryshime rrënjësorë në të bërit biznes.

Mimoza Kusari-Lila
Mimoza Kusari-Lila
Është bërë shkurtimi i dokumenteve për eksport- import nga 8 në 2, dhe nga 8 në 3, që ka qenë një procedurë më e gjatë, tash është thjeshtësuar dhe në përgjithësi regjistrimi dhe fillimi i të bërit biznesi në Kosovë është shkurtuar. Mund të them se jam e bindur që Kosova do të ketë një rangim më të mirë se në vitet e kaluara”, tha ajo.

Raporti i fundit i Bankës Botërore për vitin 2012, të quajtur “Të bërit biznes në Evropën Lindore”, Kosova e kishte radhitur në vendin e 117-të, pa asnjë ndryshim nga viti 2011.

Aty ku Kosova do të duhej të përkushtohej më shumë, ishin përmirësimi në nisjen e një biznesi, pasi në këtë aspekt ishte radhitë në vendin e 168-të, si dhe në mbrojtjen e investitorëve, pasi në këtë fushë ishte renditur e 174-ta.

Për nisjen e një biznesi, ministrja Kusari - Lila tha se janë ndërmarrë masa konkrete në shkurtimin e procedurave.

Ajo bëri të ditur se deri në vitin 2014, Kosova të jetë në 40 vende reformatore të Bankës Botërore në indeksin e të bërit biznes.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, është bërë shkurtimi i kohës për regjistrimin e biznesit nga 52 ditë në vetëm në tri ditë për shoqëri aksionare. Unifikimi i procedurës për marrjen e numrit të regjistrimit të biznesit me numrin fiskal dhe TVSH-në, në rast se dëshirojnë bizneset të bëjnë një gjë të tillë; hapja e 26 qendrave për regjistrim të bizneseve në nivel të Kosovës”, u shpreh Kusari - Lila.

Në takimin e këshillit Kombëtar Ekonomik është bërë aprovimi i udhëzuesit për rishikimin e lejeve dhe licencave.

Deri në fund të këtij viti do të reduktohet numri i lejeve dhe licencave. Deri më gjysmën e dytë të tetorit do të bëhet rishikimi i të gjitha lejeve dhe licencave dhe deri në fund të këtij muaji do të përgatitet draft ligji për leje dhe licenca.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka miratuar propozimin për rëndësinë e blerjes se produkteve vendore dhe shërbimeve nga ana e institucioneve të Kosovës.

Kusari - Lila ka bërë të ditur se në kontratat publike do iu jepet përparësi produkteve dhe shërbimeve kosovare.

Arian Zeka
Arian Zeka
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur disa reforma strukturore, por për t’u radhitur mirë në raportin e Bankës Botërore, ky mekanizëm i matë edhe disa indikatorë tjerë ku Kosova nuk qëndron mirë.

Raporti i Bankës Botërore matë edhe disa indikatorë tjerë siç është zbatimi i kontratave, edhe natyrisht këtu kërkohet një përkushtim më i madh nga ana e institucioneve gjyqësore të Kosovës që të ndikojë te gjykatat e Kosovës çfarëdo instance qofshin ato që të përshpejtojnë edhe ekzekutimin e vendimeve”, tha ai.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka për qëllim përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës, si dhe zbatimin e masave më efektive në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG