Ndërlidhjet

Kosova pret që FIFA ta mbajë fjalën


FIFA...
FIFA...
Dashamirët e futbollit në Kosovë dhe institucionet që përkujdesen për zhvillimin e këtij sporti në vend, kanë të drejtë të jenë optimistë se në fund të muajit shtator, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), do të gjejë modalitetet që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshjet miqësore ndërkombëtare.

Kështu vlerësojnë zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Tashmë është e ditur se në muajin maj të këtij viti, kreu i FIFA-s, Sep Blater, pati komunikuar vendimin e Komiteti Ekzekutiv të këtij mekanizmi ndërkombëtar të futbollit, që Kosovës t’i jepet e drejta për takime miqësore në nivelin ndërkombëtar, duke thënë se ky vendim ishte i pakthyeshëm.

Por, kundërshtimet e Federatës së Futbollit të Serbisë dhe disa shteteve tjera, si dhe problematika e kësaj çështjeje edhe nga kreu i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Mishel Platini, e kanë shtyrë realizimin e këtij vendimi të FIFA-s deri në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të kësaj të fundit, që do të mbahet në fund të muajit shtator.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë garantuar nga kreu i FIFA-s, Blater, se vendimi nuk do të kthehet prapa.

Në fund të këtij muaji, me 27 dhe 28 shtator, mbahet mbledhja. Prandaj, presim që FIFA të dalë me një, ta quaj ashtu, modalitet. Ne e dimë se çfarë tendencash ekzistojnë, do të thotë që të minimizohet kjo. Por, në të vërtetë, edhe opinioni i Platinisë duket se është zbutur pak. Megjithatë, ne nuk presim shumë pozitive nga UEFA, por, besoj se në këtë rast dhe në këtë moment, qëndrimi i zotit Blater është decidiv dhe është vendimtar. Besoj se kësaj here do të bëhet diçka. Unë, kësaj here, jam optimist”, shprehet Salihu.

Në anën tjetër edhe zyrtarët e institucioneve të larta qeveritare që përkujdesen për sportin, thonë se janë duke i bërë të gjitha përpjekjet që sporti kosovar të depërtojë në botë dhe në këtë kuadër edhe futbolli.

Malsor Xhonbalaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, thotë se janë duke e mbështetur Federatën e Futbollit të Kosovës në përpjekjet për t’i thyer barrierat që i janë vënë futbollit kosovar.

Së bashku me Federatën e Futbollit të Kosovës, po mundohemi që të gjejmë rrugëzgjidhje që futbollistët kosovarë, përfundimisht, t’i thyejnë këto barriera, qoftë edhe duke zhvilluar lojëra miqësore. Ne presim që në fund të muajit të merret një vendim pozitiv për të lejuar kombëtaret tona të futbollit, reprezentacionet e Kosovës, që të luajnë me shtetet tjera”.

Në anën tjetër, ne si Ministri e Sportit jemi duke bërë çmos që infrastruktura sportive në përgjithësi e veçanërisht ajo e futbollit të përmirësohet. Në këtë drejtim jemi duke punuar dukshëm dhe presim që gjatë këtij viti të renovohen shumë stadiume”, thotë Xhonbalaj.

Por, Salihu thotë se çështja e përmirësimit të infrastrukturës për futbollin, e cila është një nga parakushtet për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare, po zvarritet tash e sa vite.

Ne, si Federatë, nuk mund të ndërtojmë stadiume. Për fat të keq, qe 30 apo 40 vjet nuk është investuar në këtë drejtim. E kemi potencuar tash e 3 apo 4 vite dhe ka pasur premtime pas konferencës së donatorëve, që është mbajtur para dy viteve, mirëpo nuk është bërë asgjë substanciale”.

Nuk është me rëndësi tash se ku do t’i zhvillojmë ndeshjet, sepse ajo vjen si kusht i veçantë, por, me rëndësi është që të fitohet leja për tu përfaqësuar si reprezentacion, si përfaqësuese e Kosovës. Ndërsa, për të tjerat, besoj se do të gjejmë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qeveria e më poshtë”, thekson Salihu.

Ndryshe, në muajin maj, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) e pati bërë të qartë se vendimi për lejimin e takimeve miqësore ndërkombëtare të klubeve të Federatës së Futbollit të Kosovës me ato të federatave që janë pjesë e federatës botërore, nuk nënkupton edhe pranimin e Federatës kosovare në Federatën Ndërkombëtare të këtij sporti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG