Ndërlidhjet

Sistemi shëndetësor dhe mangësitë


Ilustrim
Ilustrim
Hetimet që kanë ndodhur kohët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, duke rezultuar me aktakuza të ngritura kundër sekretarit permanent, Ilir Tolaj, dhe 11 personave të tjerë brenda këtij institucioni, kanë bërë që të destabilizohet puna aty.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se lëvizjet e fundit që janë bërë në institucionin që ai drejton, kanë reflektuar negativisht në punën e kësaj ministrie, duke thënë se qëndrojnë keq sa i përket shërbimit civil me mungesën e personave që tashmë janë nën hetime.

“Ministria e Shëndetësisë qëndron mjaft keq sa i përket shërbimit civil. Ministria ka qenë subjekt i procedurave të ndryshme hetimore dhe kjo ka ndikuar që departamentet kryesore të ministrisë të jenë në nivel të ushtruesve të detyrës duke destabilizuar punën”, ka deklaruar Agani.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi. përfshirë edhe ish-sekretarin e përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, si dhe njëmbëdhjetë persona të tjerë,nga Ministria Shëndetësisë

Aktakuza është ngritur nga një prokuror i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Aktakuza ngarkon personat në fjalë për afera korruptive, shpërdorim të detyrës zyrtare etj.

E, vetë ministri Agani, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se institucioni që ai drejton, kohëve të fundit ka qenë shënjestër e hetimeve, pikërisht për shkak të sektorit farmaceutik që ka vepruar brenda ministrisë.

Por, Agani po e mendon një zgjidhje për këtë.

“Është e qartë se në sektorin farmaceutik, që ka qenë mjaft atraktiv në kuptimin negativ, është mundësuar të keqpërdoret paraja publike, dhe kjo është arsyeja kryesore. Me organogramin e Ministrisë së Shëndetësisë, ne nuk do ta kemi fare këtë departament dhe Ministria e Shëndetësisë nuk do të blejë më barna, por do të jetë ajo që ua lehtëson institucioneve shëndetësore që ta bëjnë këtë furnizim në kushte sa më të mira. Andaj mendoj se buxheti i dedikuar në sektorin e farmacisë ka qenë shkaku që janë ngatërruar gjërat dhe është bërë ky institucion si shënjestër e hetimeve”, ka sqaruar Agani.

Nazane Breca Anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se tash për tash, sistemi shëndetësor është në një gjendje shumë të rëndë.

“Unë mendoj se është në gjendje shumë të rëndë, por kjo nuk është e momentit, sepse prej pas luftës shumë pak është bërë për sistemin shëndetësor. Qeveritë asnjëherë nuk i kanë dhënë prioritet sistemit shëndetësor. Problemet janë akumuluar me vite të tëra. As Qeveria e fundit nuk i ka dhënë prioritet Ministrisë së Shëndetësisë dhe se buxheti edhe këtë herë është shumë i ulët”, është shprehur Breca.

Me miratimin e një rregulloreje të brendshme , ministri Agani ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk do ta ketë rolin që e ka pasur të menaxherit të institucioneve shëndetësore, por do të jetë institucion politikëbërës monitorues dhe institucion që do të mundësojë forma të bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe private në shëndetësi dhe më gjerë.

“Jemi në fazën përfundimtare të miratimit të rregullores për miratimin e brendshëm të Ministrisë dhe me rregulloren e re ne do të fillojmë me shpalljen e konkurseve të bartjes së këtyre departamenteve në bazë të organizimit të ri, ku reflekton në synimin e reformës në sistemin shëndetësor".

"Ministria e Shëndetësisë nuk do ta ketë rolin që e ka pasur të menaxherit të institucioneve shëndetësore, por do të jetë institucion politikëbërës, monitorues dhe institucion që do të mundësojë forma të bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe private në shëndetësi dhe më gjerë”,
ka shtuar Agani.

Lidhur me këtë, zonja Breca ka thënë se në qoftë se Ministria e Shëndetësisë do ta realizonte një projekt të tillë, do të mund të kishte lëvizje pozitive brenda këtij institucioni. Ajo e ka vlerësuar këtë projekt si hap shumë të qëlluar.

“Në qoftë se ndodh kështu, do të ishte shumë mirë, sepse ministriae Shëndetësisë është për politikëbërje. Por, ministria duhet të ketë rol monitorues, sepse ato politika shëndetësore që hartohen, do të implementohen në institucionet shëndetësore. Do të ishte një hap shumë i mirë, sepse vetë institucionet publike do ta marrin një përgjegjësi më të madhe dhe menaxhimi do të jetë më në rregull, nuk do të jetë i centralizuar”, ka thënë Breca.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG