Ndërlidhjet

Konfuzion vendor e ndërkombëtar për veriun


Serbët në veri të Kosovës (Foto nga arkivi)
Serbët në veri të Kosovës (Foto nga arkivi)
Situata aktuale në veri të Kosovës është e trashëguar dhe me kontradikta të ndryshme, të cilat shtojnë konfuzionin, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Ditë më parë, zyrtarët e komunës së Mitrovicës, kanë kërkuar heqjen e barrikadave në rrugët që çojnë nga jugu i qytetit në drejtim të veriut të vendit, të cilat i kanë vendosur serbët lokalë, gjë që ka qenë kërkesë e mëhershme edhe e institucioneve të Kosovës në përgjithësi.

Ndryshe, Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka kërkuar nga Serbia që t’i tërheqë nga veriu i Kosovës strukturat e veta të sigurisë, ndërkohë që zyrtarët e lartë të NATO-s kanë theksuar se situata në veri të Kosovës nuk mund të zgjidhet me anë të forcës, por me bisedime politike.

Politologu Behlul Beqaj, vlerëson se situata kontradiktore e ka fillin shumë më herët.

“Ministri i rendit të Kosovës, pas një periudhe 10-vjeçare, e pranon se atje (në veri) janë të stacionuara forcat e sigurisë së Serbisë. Ndërkaq, në kohën kur ka qenë kryeministër, i ka mohuar këto. Në anën tjetër, forcat e NATO-s, në vend se të merren me çështje të natyrës së vet, ato merren me politikë”.

“Këto kontradikta, të cilat ekzistojnë, faktikisht situatën e kanë bërë konfuze dhe shpjegimi i gjendjes aktuale nuk mund të ketë zgjidhje përderisa ka konfuzion në mes të faktorëve kryesorë që vendosin për tejkalimin e kësaj gjendjeje, e cila është krijuar në veri”, thotë Beqaj.

Ndërkaq, eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, vlerëson se qasjet e të tria segmenteve, institucioneve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO- s, krijojnë konfuzion.

“Kur t’ia shtojmë kësaj edhe deklaratën e presidentit të sapozgjedhur, Nikoliq, i cili thotë se ‘unë nuk mund të jem më president në Prishtinë, por as Atifete Jahjaga nuk do të jetë në pjesën veriore të Kosovës’, flet qartë për një pozicionim dhe betonim të mëtutjeshëm të Serbisë, e cila nuk do të heqë dorë asnjëherë nga tentimet e destabilizimit në këtë pjesë të Kosovës, por edhe në pjesët tjera të vendit, për ta paraqitur Kosovën si shtet jofunksional”, konsideron Musliu.

Musliu shton se situata në veri dhe qasjet e ndryshme të faktorëve relevantë ndaj problemit të veriut, e rëndojnë punën e institucioneve të vendit ndaj këtij problemi.

“Pa u marrë vendimi në Bruksel së bashku me NATO-n, i përbashkët për të mirën e Kosovës - nuk po flas për të mirën e shqiptarëve ose të serbëve, por për të mirën e shtetit të Kosovës - nuk ka zgjidhje tjetër”.

“Por, për mua është shumë domethënëse, në aspektin dekurajues, deklarata e zotit Rasmusen, i cili e përjashton mjetin e dhunës nga kontesti kosovar, i cili është i pashmangshëm. Për mua është i pashmangshëm. Demokracia, tekefundit, duhet të zbatohet edhe me një dozë dhune”
, thekson Musliu.

Politologu Beqaj thotë se konkluzioni duhet të jetë i thjeshtë. Institucionet e Kosovës duhet të sillen në përputhje me realitetin dhe të ndërmarrin masat, të cilat këtë realitet e ndryshojnë konform ligjit. Sipas tij, nëse këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë duhet ta pranojnë se janë të pafuqishme.

“Nëse janë të pafuqishme, ato duhet ta pranojnë se janë të tilla. Atëherë duhet ta pranojmë se shteti nuk mund të funksionojë. Pse ekziston atëherë Ministria e Rendit, kur nuk ka gatishmëri, vullnet dhe përgjegjësi për të qenë në nivelin e detyrave që i shtron para vetes Kushtetuta dhe ligji?!”.

“Nëse tash trysnitë janë të mëdha, atëherë duhet ta pranojmë se ne nuk mund të krijojmë shtet funksional juridik përderisa në një pjesë të Kosovës nuk ka rend dhe rregull. Atëherë edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është korrekte, në kuptimin e mbështetjes që i bën sa i përket kërkesave të përmbushjes së standardeve jo vetëm brenda Kosovës, por edhe karshi Bashkimit Evropian, kur është fjala për sundimin e ligjit”, vlerëson Beqaj.

Ndryshe, sipas politologut Beqaj, është momenti i fundit që të eliminohet, siç e quan ai, hipokrizia e të gjithë faktorëve që e kanë krijuar gjendjen në veri, ashtu siç është tash.

Zgjidhja e kësaj situate, sipas tij, mund të gjendet vetëm nëse të gjithë faktorët sillen në mënyrë korrekte dhe objektive dhe duke përmbushur obligimet që lindin nga natyra e punës, nga Kushtetuta dhe ligji.
XS
SM
MD
LG