Ndërlidhjet

A do të anulohet konkursi për drejtorë të klinikave?


QKUK
QKUK


Zgjedhja e drejtorëve të klinikave të QKUK-së, edhe kësaj radhe ka shkaktuar mospajtime, si nga kandidatët që nuk arritën të përzgjidhen në krye të klinikave, po ashtu edhe nga sindikalistë të shëndetësisë, duke e vlerësuar se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve ka pasur shkelje ligjore.



Doktoresha Sueda Latifi Hoxha, gjinekologe, është njëra nga kandidatet për drejtoreshë të Klinikës Gjinekologjike Obstetrike, e cila nuk është përzgjedhur si udhëheqëse.

Nuk ka shkuar në rregull. Bazuar në të gjitha veprimet dhe aftësitë profesionale të cilat i kam dëshmuar gjatë 33 vjetëve në profesion, e 25 në arsim, kam konsideruar se jam lider i denjë dhe strategjik për udhëheqjen e klinikës gjinekologjike".

"Por, komisioni ka vendosur ndryshe, dhe duhet të respektohet vendimi. Por, sa është i denjë komisioni që të na vlerësojë, është një gjë që duhet të diskutohet. Konsideroj se më është bërë e padrejtë”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Por jo edhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka njohuri se është bërë ndonjë shkelje procedurale.

Zoti Agani pohon se në mesin e atyre që kanë konkurruar dhe nuk janë përzgjedhur, e konsideron si normale të ketë ankesa.

Në mënyrë zyrtare ende nuk kam marrë asnjë ankesë. Nga anash kam marrë informata se është shpallë lista e drejtorëve dhe në mesin e atyre që kanë konkurruar, kanë pasur pakënaqësi e që e konsideroj se është normale".

"Por, në anën tjetër, jam i përkushtuar, siç kam qenë edhe deri tash, se lidhshmëria e procesit do të respektohet në tërësi, dhe në momentin që unë do të vërej ndonjë parregullsi, do të kërkoj nga sekretari që të ndërmerr masat e parapara ligjore
”, thekson Agani.

Blerim Syla, kryetar i sindikatës së shëndetësisë, pohon se sindikata në fjalë ka pasur mjaft ankesa lidhur me përzgjedhjen e udhëheqësve të klinikave.

Ne kemi shumë ankesa. Janë adresuar ankesat në këshillin e pavarur dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Se çka do të ndodhë, të shohim në ditët në vijim”, shprehet ai.

As ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, i cili njëherazi edhe është përgjegjës për procedurën në fjalë, nuk ka përgjigje lidhur me këtë çështje.

Raporti nga komisioni vlerësues ende nuk ka ardhur te ne”.

Derisa Nexhmedin Shala, anëtar i komisionit vlerësues për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave, deklaron se janë përzgjedhë gjithë ata që i kanë përmbushur kriteret, bazuar në statutin e QKUK-së.

Procesi ka qenë i rregullt, i bazuar në ligjet aktuale. Ankesa dhe zhurma ka pasur gjithmonë nga persona të caktuar që janë të pakënaqur dhe mendojë t’i realizojnë ambiciet e tyre përmes formave çfarë ata i mendojnë”, bën të ditur Shala.

Por jo edhe Xhemajl Selmani, kryetar i sindikatës së QKUK-së mendon kështu...

Kanë bërë shkelje rreth afateve ligjore dhe shkelje që i kanë evidentuar aktivistët tonë që kanë marrë pjesë gjatë përzgjedhjes së drejtorëve. Gjitha ankesat, edhe të ndara, por edhe grupore që i kanë bërë doktorët, ne do t’i analizojmë dhe pastaj do të dalim me qëndrimin tonë. Mos të dalë që ne po kundërshtojmë gjithçka, por kësaj radhe janë duke u ankuar shumë”, thekson Selmani.

Zyrtarë në Qendrën Klinike Universitare, kanë deklaruar se as nuk e mohojnë e as nuk e pohojnë anulimin e këtij konkursi.

Sa i përket anulimit, unë nuk e mohoj e as nuk e pohoj që do të ketë anulim. Një gjë dihet: komisioni ka vepruar në bazë të ligjeve në fuqi”, thotë Shpend Fazliu, zëdhënës në këtë institucion.

Sidoqoftë, klinikat brenda QKUK-së, për më shumë se dy vjet, udhëhiqen nga ushtrues detyre, gjë që konsiderohet si e kundërligjshme nga ekspertë shëndetësorë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG