Ndërlidhjet

Kundërshtime rreth projektligjit për shëndetësi


Ilustrim
Ilustrim
Projektligji për shëndetësi është miratuar në Kuvendin e Kosovës disa javë më parë. Ai ka kaluar në Kuvend me 64 vota pro.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se miratimi i ligjit për shëndetësi është shumë premtues, dhe bazamenti më i mirë i reformës shëndetësore.

Projektligji për shëndetësi, i cili është hartuar nga ministri Agani me ekipet e tij, dhe që ka kaluar në Kuvend, është një prej projektligjeve që i përmbush nevojat më të mira për qytetarët e vendit, dhe ofron shërbime shëndetësore më të mira, si dhe ofron një përgjegjësi më të lartë për profesionistëve shëndetësorë, duke i decentralizuar ata nga vendimet arbitrare politike. Ka pasur mbështetje edhe nga faktorët ndërkombëtarë dhe ekspertët e brendshëm, në kuptimin financiar dhe profesional”, thotë Abdullah Klinaku, këshilltar i në Ministrinë e Shëndetësisë.

Por Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk pajtohet se ky projektligj është i tillë.

Ata kanë kundërshtuar ashpër këtë draft-ligj.

Blerim Syla, kryetar i sindikatës pohon se barazia juridike në mes të sektorit publik dhe privat, e cila është shprehur me projektligjin për shëndetësinë, kundërshton krijimin e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë.

Sipas tyre, ai çon në privatizimin e institucioneve shëndetësore, si dhe ndalesë të ushtrimit të profesionit të punëtorëve shëndetësorë në dy sektorë, që sipas tij është e papranueshme për Sindikatën e Shëndetësisë.

Pika e parë partneritetit publiko-privat, Kosova ende nuk është e përgatitur që të hyjë në një aventurë të tillë. Pastaj është Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë, i cili tenton të shndërrojë në ndërmarrje publike, që nesër edhe të privatizohet me këto dy ligje, normalisht që e kundërshtojmë, është neni 41 brenda konfliktit të interesit me argument. U mundova ta shpjegoj që për momentin nuk mund të realizohet, dhe e katërta është kujdesi parësor, që në këtë ligj është i ‘sakatosur’ dhe nuk parashihet se ku do ta gjejë veten”, thotë Syla.

Ndërkaq, Luan Jaha, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtar i Departamentit për Shëndetësi, pohon se ligji i cili është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, nuk është projektligj i cili duhet përkrahet.

Sipas tij, versioni i projektligjit, i cili është sjellë në Kuvend, nuk është versioni për të cilin kanë diskutuar.

Ne kemi qenë pjesë aktive e gjithë kësaj procedure, dhe shprehim zhgënjimin tonë se versioni i ligjit që ka ardhur në Kuvend nuk është versioni që kemi dhënë aprovim të fuqishëm më herët. Jemi shumë të vetëdijshëm që Kosovës i duhet një ligj për shëndetësinë. Jemi angazhuar shumë sinqerisht që ky ligj të jetë i përbashkët i kosovarëve sepse shëndetësia është një segment e cila i tejkalon interesat e partive, por fatkeqësisht ligji që ka ardhur në Kuvend, nuk është ligj i cili duhet të përkrahet”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Abdullah Klinaku, deklaron se draft-ligji nuk ka pësuar ndryshime esenciale.

Ndryshime substanciale nuk ka pësuar në asnjë pjesë të tij. Sigurisht që evoluimet apo ndryshimet që kanë mundur të nënshtrohen kanë ardhur si rezultat i konsultimeve me faktorë të brendshëm dhe jashtëm. Është e rëndësishme dhe fakt që ky projektligj është ai që projekton reformën shëndetësore, dhe kjo për neve është shumë e rëndësishme”, shprehet Klinaku.

Sidoqoftë, vetë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se me projektligjin e ri do të bëhen reforma të thella shëndetësore.

Ai ka theksuar se do të parandalohet konflikti i interesit në sistemin shëndetësor, ndërsa do të aplikohen masa të rrepta për keqpërdorimet farmaceutike në veçanti dhe referencat nga institucionet publike në ato private.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG