Ndërlidhjet

Shqipëri: Tregu i shitblerjes së banesave - në krizë


Pamje nga Tirana
Pamje nga Tirana

Tregu i shitjes së banesave në Shqipëri po përjeton krizë. Bizneset e ndërtimit e konfirmojnë këtë, duke sjellë si fakt treguesit e rënies drastike të shitjeve.

Zëvendësdrejtori i shoqatës së ndërtuesve, Ilir Hebovia, thotë se situata e rëndë që ka prekur ndërtuesit është reflektuar dhe në buxhetin e shtetit.

Sigurisht që flasim për një krizë reale. Duke mos ju referuar biznesit të ndërtimit por shifrave zyrtare, buxheti i shtetit nuk arrit të marrë ato të ardhura të parashikuara nga biznesi i ndërtimit, të ardhura që riqarkulloheshin në investime”, shprehet Hebovia.

Si periudhë të artë kur dhe lulëzonte biznesi i ndërtimit për shkak të shitjeve të shumta, ndërtuesit identifikojnë periudhën përgjatë viteve 2000-2007. Pas kësaj, rënia ka qenë e shpejtë.

Emigrantët, një burim mjaft i mirë për tregun e banesave, ulën ndjeshëm dërgesat por edhe me kthimin e tyre në muajt janar apo gusht të pas vitit 2007 nuk blinin më banesa si dikur.

Në këtë pikë, siç thotë zoti Hebovia, ndërhyrja e shtetit për të përmirësuar situatën është pothuaj pa vlerë.

Sipas tij, kjo gjë duhet të kishte ndodhur në vitin 2007, kur bizneset e ndërtimit ofruan planin e tyre anti-krizë.

Është e pamundur ndërhyrja e qeverisë për të rregulluar ose mbajtur me injeksion biznesin e ndërtimit. Çfarë kemi kërkuar ne që nuk është bërë? Kemi kërkuar që investimet publike të mund të detajoheshin në mënyrë të tillë që të mund të furnizonin një ose dy kompani ndërtimi të përzgjedhura, por të gjitha kompanitë e ndërtimit në mënyrë që ato të arrinin të mbanin në radhë të parë njerëzit në punë, por të ruanin sigurisht edhe vlerat e këtyre kompanive si burim të ardhurash jo vetëm për kompaninë, popullatën dhe buxhetin e shtetit”, thotë ai.

Por, shoqata e konsumatorëve shqiptarë sheh të tjera arsye që lidhen me këtë rënie të ndjeshme të shitjeve në tregun e banesave.

Çmimet e larta, thotë kryetari Islam Cani, janë faktor kryesor, ndikuar dhe nga kriza ekonomike, por në themel ai vendos të tjera arsye:

Sjellja e keqe e firmave ndaj konsumatorëve, duke i marrë paratë, duke i vonuar 5 deri 10 vjet ndërtimin disa zhduken fare duke i lënë në themele. Një faktor tjetër, nuk janë të regjistruara në hipotekë. Nuk është e regjistruar as toka as ndërtimi, as shtëpia. Ka një problem tjetër, cilësi pa siguri nuk ka dhe anasjelltas, pra siguria është pjesë e cilësisë. Shpeshherë është përmendur që janë konstatuar rreze në hekur, në pllaka tjegulla tulla, a nuk është dhe kjo një frenim?”, thotë Cani.

Agjencitë që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme ndërkohë konstatojnë një fakt interesant. Qytetarët kanë etje për të blerë, por presin ulje të çmimit, edhe për shkak të krizës.

Ja si arsyeton Ilda Biçoku, drejtuese e një prej agjencive më të njohura në këtë fushë, që operon në Tiranë.

Besoj se konsumatorët shqiptarë janë gjithmonë e më shumë në pritje që dhe në Shqipëri të ndodhë fenomeni i rënies drastike të çmimeve, ashtu siç ndodhi për shembull në SHBA apo në Spanjë, apo dhe në vende të tjera të Evropës. Për fatin e keq të konsumatorëve, kjo gjë akoma nuk ka ndodhur në Shqipëri”.

Zonja Biçoku tregon dhe dy arsye të tjera që kanë frenuar shitjen e banesave.

Arsyeja e dytë që nuk çon në përfundimin e një transaksioni imobiliar është mungesa e kreditimit nga bankat. Përveçse kanë rritur interesat e kanë bërë edhe më të vështirë dhënien e kredive krahasuar me vitin e kaluar. Një faktor që e vështirëson blerjen po ashtu dhe kreditimin nga ana e bankave është çështja e hipotekimit. Të mos harrojmë se 80% e apartamenteve të reja në Tiranë janë pa hipotekë”.

Çmimet e larta të banesave Shqipëri, në disa zona të Tiranës më të larta ndoshta se dhe në disa vende të BE-së, shoqatat e ndërtuesve i lidhin me disa faktorë.

Sipas zotit Hebovia, ndërtuesit nuk abuzojnë me marzhin e fitimit, ai thotë se gjithçka është lehtësisht e verifikueshme.

Një nga faktorët ka të bëjë me burimin e lëndëve të para të cilat në 80 % të tyre nuk prodhohen në Shqipëri por vijnë nga importi, dhe në të gjitha rastet nuk kanë pësuar rënie asnjë nga këto produkte që furnizojnë kompanitë e ndërtimit”.

Kanë një kosto të konsiderueshme kompanitë e ndërtimit në zona të caktuara këtu në Tiranë shkojnë deri në 45%. Pra, do të thotë se 45% e gjithë sipërfaqes së ndërtuar shkon te pronarët e tokës, dhe në këtë mënyrë çmimi do të ketë një rritje për pjesën e mbetur duke u shkaktuar një kosto të shtuar qytetarëve, por jo se kompanitë kanë marzhe të ekzagjeruara të fitimit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG