Nuk ankohen shumë për kushtet, në të cilat studiojnë, thonë se janë të kënaqur edhe pse iu mungon shumëçka. Janë shumë modestë në kërkesat e tyre. Kërkojnë vetëm që sallat ku ata i mbajnë ligjëratat, të jenë më të mëdha, pasi që numri i studentëve në disa fakultete është shumë i madh.
Këto janë disa nga mendimet e disa studentëve të Universitetit Publik të Prishtinës, të cilët flasin në rubrikën e përjavshme VOX.
Absolventët në Universitetin e Prishtinës thonë se janë përmirësuar kushtet gjatë viteve të fundit, pasi që, siç thonë disa prej tyre, në vitet e para të studimeve ka pasur mungesë të shumë gjërave në fakultete.
Blerim Istrefi, i cili është duke mbaruar studimet në Fakultetin Juridik, kujton kohën kur ishte në vitin e parë të studimeve. Përveç mungesës së sallave, ai tregon se atëkohë nuk kanë pasur mundësi të realizojnë në praktikë mësimet e tyre, gjë që tani, sipas tij, ka ndryshuar.
“Tani hapësirë të mjaftueshme ka. Sa i përket praktikës, tani po realizohen disa në gjykata, në ministri. Nuk është as kjo e mjaftueshme krahasuar me numrin e madh të studentëve që ka Fakulteti Juridik, pasi që jo të gjithë mund të bëjnë praktikë. Ka mundësi për ndryshime, ka mundësi për gjithçka më mirë”, thotë Blerim Istrefi.
Për përmirësimin e gjendjes në Universitetin e Prishtinës flet dhe Florid Hasku, student i vitit të tretë në Fakultetin Juridik:
“Nuk bën të ankohemi, ka hapësirë të mjaftueshme për studentët e vitit të katërt, ka hapësirë, ka salla. Kemi një gjykatore në Fakultetin Juridik ku aty i mbajmë seancat e improvizuara dhe nuk bën të ankohemi shumë”.
Një ndër fakultetet me numrin më të madh të studentëve është Fakulteti Ekonomik.
Studentët e këtij fakulteti bëjnë të ditur se për të zënë një ulëse në sallat ku mbahen ligjëratat, duhet të shkojnë një orë më herët, pasi që, siç thonë ata, është e pamundur të dëgjohet profesori nga fundi i sallës.
Arbërie Pacolli, njëra nga studentet, e cila ndjek studimet në Fakultetin Ekonomik, thotë se për të çdo orë mësimi në fakultet është e vlefshme.
“Kushtet janë të mira, në këtë vit kanë bërë rregullime. Problem është numri i madh i studentëve. Për të ndjekur një ligjëratë, duhet të shkojmë një orë më herët dhe nuk arrin të ulesh në ,fillim por diku kah mesi - e nuk arrin të dëgjosh mirë profesorin”, tregon Arbërie Pacolli.
Ndërsa, për studentët e Fakultetit të Filologjisë, drejtimi i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, kushtet në objektet mësimore vlerësohet të jenë edhe më të vështira.
Studentët e këtij fakulteti thonë se problemi nuk është te numri i madh i studentëve, por te mungesa e pajisjeve që atyre u duhen gjatë studimeve.
Ata thonë se në mungesë të atyre pajisjeve, shpesh ndodh që të mbesin shumë prapa me studime.
Visar Sadiku, që studion Gazetarinë, shprehet:
“Në ambientin ku ne studiojmë, nuk kemi kushte të përshtatshme për të bërë praktikë, përveç një salle ku kemi një kamerë profesionale, e cila nuk është e mjaftueshme për 80 studentë. Detyrat që na i japin profesorët duhet t’i kryejmë në ndonjë medium tjetër. Profesorët e dinë që nuk kemi kushte dhe prapë se prapë detyra kërkohet të dorëzohet në datën e caktuar”.
Edhe Liridona Vllahiu, studente e Gazetarisë, nuk është aspak e kënaqur me kushtet, që i ofron fakulteti ku ajo studion. Ajo tregon për vështirësitë, me të cilat ballafaqohet çdo ditë:
“Puna praktike na mungon shumë. Kemi një numër të madh të studentëve dhe teknika që është në fakultet nuk iu mundëson të gjithëve që të mund të arrijnë të mësojnë diçka. Është mjaft e vështirë të studiosh në këtë fakultet. Pavarësisht se mungojnë këto kushte, profesorët kërkojnë që ne t’i dorëzojmë punimet me kohë, dhe të gjithë duhet të gjendemi vetë”.
Derisa studentët e gazetarisë ankohen për mungesë të sallave ku do të kryenin praktikën, ata të Fakultetit të Biologjisë janë shumë të kënaqur me kushtet, të cilat ata i kanë në fakultetet.
Ata thonë se i fakulteti ka edhe laboratorë të mjaftueshëm për të kryer praktikën e lëndëve të caktuara.
Arbenita Morina, studente në këtë fakultet, tregon:
“Kemi laboratorë dhe kemi salla të mjaftueshme të ligjëratave. Kushtet janë të mira vetëm duhet të mësojmë”.
Me hapësirë të mjaftueshme për të studiuar shprehen të kënaqur edhe studentët e Fakultetit Teknik.
“Kushte janë të mira, kemi salla të mjaftueshme, profesorët janë të një niveli të lartë dhe nuk kemi se për çka të ankohemi. Gjithçka është në rregull sa i përket fakultetit ku unë studioj”, thotë Gentian Maliqi.
Ndërkaq, ndryshe duken ankesat e studentëve të Fakultetit të Kimisë. Për disa nga ankesat e studentëve të këtij fakulteti flet Sara Mehmeti:
“Nuk është keq, por nuk është edhe mirë. Mund të jetë më mirë, më së shumti na mungojnë sallat. Ka ditë kur kemi disa gjenerata në të njëjtën kohë ligjërata dhe duhet të presim derisa të lirohet salla”.
Ndryshe, Universiteti i Prishtinës është themeluar më 18 nëntor 1969. Fillimisht Universiteti kishte katër fakultete, ndërsa aktualisht janë 14 fakultete dhe tri shkolla të larta.