Ndërlidhjet

A do të ketë investime?


Ilustrim
Ilustrim

Investimet e huaja në Kosovë vazhdimisht janë vlerësuar si mjete të domosdoshme për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik.

Për këtë qëllim, institucionet kosovare kanë krijuar mekanizma ligjorë, agjenci për promovimin e investimeve, kanë organizuar konferenca të ndryshme ndërkombëtare duke i bërë thirrje investitorëve se Kosova ka resurse dhe potenciale për investime.

Por, pavarësisht këtyre, në raportet e ndryshme të Bankës Botërore, Kosova vazhdimisht është cilësuar si vend i pasigurt për investitorët e huaj.

Madje, që nga shpallja e pavarësisë, periudhë kjo kur pritjet kanë qenë më të mëdha, investimet e huaja kanë shënuar rënie.
Me qëllim të promovimit të resurseve ekonomike të Kosovës para investitorëve ndërkombëtarë, kohëve të fundit, Ministria e Punëve të Jashtme, me ekspertë të USAID-it, kanë hartuar një Strategji për Diplomacinë Ekonomike, e cila pritet të miratohet së shpejti.

Kështu thotë Artan Behrami, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke shtuar se me këtë strategji, synohet që të nxitet më shumë bashkëpunimi ekonomik me vende të ndryshme të botës.

Strategjia ka për qëllim përfaqësimin, mbrojtjen e interesave ekonomike të Republikës se Kosovës, qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, por ka edhe për qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë”.

Me këtë rast, ne kemi filluar që në këtë vit, të organizojmë konferenca dhe forume të ndryshme ekonomike. Deri më tash, ne kemi organizuar konferenca në Berlin, Romë dhe shumë kryeqendra të botës”, thotë Behrami.

Edhe njohës të rrethanave ekonomike e konsiderojnë të domosdoshme strategjinë për lobim në sektorin e investimeve të huaja, por sipas tyre, ky dokument duhet të bëhet publik, në mënyrë që të njoftohet se në çfarë mënyre ekzekutivi synon të arrijë një qëllim të tillë.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thekson se që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, autoritetet kompetente janë fokusuar në lobim për njohje, duke lënë anash promovimin e ekonomisë së vendit dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Kjo e ka të mirën e vet, mirëpo problemi mbetet se si Qeveria e Kosovës synon ta bëjë këtë, sepse kjo nuk mund të arrihet shumë lehtë, për shkak se nevojitet trajnim i stafit”.

Ne e dimë se deri më tani ambasadat apo ndërtimi i shërbimit diplomatik ka qenë një ndër shërbimet më të vështira për t’u ndërtuar, çoftë për shkak të kostos se lartë, çoftë për shkak të mungesës se kuadrove, dhe kjo merr kohë. Dhe kjo strategji për diplomaci ekonomike nuk mund të realizohet së shpejti”, thekson Demi.

Megjithatë, ai thotë se strategji të tilla janë të nevojshme, për shkak të rënies së investimeve të huaja, pas shpalljes së pavarësisë.

Rënia e investimeve ka ardhur për shkak të rënies se kredibilitetit të Qeverisë së Kosovës, qoftë për korrupsion, krim të organizuar, raporte të shumta të Bankës Botërore që e rangojnë Kosovën në mesin e vendeve më të këqija për të bërë biznes”.

Një investitor i huaj i ka 178 arsye që mos të vijë në Kosovë të investojë, për shkak se mund të gjejë një ambient më të përshtatshëm. Dhe krejt këto kanë ndikuar që investimet e huaja në Kosovë të bien”, bën të ditur Demi.

Sidoqoftë, sipas raportit të Bankës Qendrore së Kosovës, në vitin 2007, investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro; më 2008 - vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro; kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, investimet e huaja në Kosovë kanë qenë 157 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG