Edhe pse ekziston ligji i aprovuar në Parlamentin e Kosovës për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, institucionet shëndetësore nuk i raportojnë në mënyrë të rregullt Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për këto sëmundje.
Naser Ramadani, drejtor i këtij instituti, deklaron se sëmundjet ngjitëse janë pjesë e sistemit të informimit shëndetësor, dhe se sipas tij, ky sistem ende nuk ka arritur nivelin e dëshiruar.
“Sa i përket paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse, ekziston ligji, tashmë i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe në këtë kuadër, Instituti Kombëtar i ka bërë të gjitha strukturat përgatitore që të jenë në nivelin e duhur, në analizë, raportim dhe në dhënie të rekomandimeve”.
“Ne, në këtë kontekst, jemi të kënaqur. Por, ka akoma për t’u bërë. Sëmundjet ngjitëse janë pjesë e sistemit të informimit shëndetësor, dhe ne e dimë se sistemi i informimit në Kosovë ende nuk e ka arritur nivelin e dëshiruar”, shprehet Ramadani.
E Izet Sadiku, nga grupi i ekspertëve të shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaron se asnjë institucion shëndetësor privat nuk raporton në mënyrë të rregullt lidhur me sëmundjet ngjitëse.
“Konsideroj që është shumë i rëndësishëm raportimi i sëmundjeve ngjitëse. Duke raportuar për këto sëmundje, krijohet informata e saktë sa dhe çfarë sëmundje ngjitëse ka në Kosovë, dhe janë parametër i rëndësishëm, që Ministria e Shëndetësisë bën strategjinë për parandalimin e atyre sëmundjeve”.
“Unë, sipas informative që i kam, kur kam biseduar me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, asnjë institucion privat nuk bën raportim të rregullt mujor lidhur me sëmundjet ngjitëse. Andaj, mendoj se Ministria e Shëndetësisë do ta marrë më seriozisht këtë çështje, dhe të krijojë mekanizëm për raportim, meqë raportimi i ndihmon vetë ministrisë që të krijojë strategji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse”, thekson Sadiku.
Ndërsa Naser Ramadani, nga IKSHP, thotë se institucionet private shëndetësore duhet ta kuptojnë rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve ngjitëse, duke e pasur parasysh përhapjen e shpejtë, dhe rrezikun potencial për të shpërthyer ndonjë epidemi.
“Sa i përket institucioneve private, ne, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, jemi duke bërë përpjekje që raportimi i obliguar me ligj të jetë i domosdoshëm për gjitha institucionet shëndetësore private. Shpresoj se kjo do të normalizohet, pasi që institucionet private shëndetësore ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e parandalimit dhe paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse, meqenëse ende nuk janë strukturuar sa duhet”.
“Mendoj se ka ardhur koha që çdo sëmundje ngjitëse është obligative të raportohet, qoftë nga institucioni shëndetësor privat, apo ai shtetëror, meqë çdo sëmundje ngjitëse është rrezik potencial për të shpërthyer epidemi në përmasa të gjëra, duke e pasur parasysh përhapjen e shpejtë të këtyre sëmundjeve”, thotë ai.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet shëndetësore private janë subjekt i inspektimit, më shumë sesa institucionet shëndetësore publike.
Por, as zoti Agani nuk është i kënaqur me raportimin sa i përket sëmundjeve ngjitëse.
“Unë, në raportet e rregullta që i marr nga inspektorati, 50 për qind janë të inspektuara nga institucionet private, andaj sa i përket raportimit, ato janë të njëjta, ashtu si institucionet publike shëndetësore. Nuk jemi të kënaqur me masën e raportimit, por kjo ka të bëjë me themelimin e sistemit të informimit shëndetësor”.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë intensive, që është e financuar nga qeveria e Luksemburgut dhe MSH-së, dhe shpresoj që pas themelimit të këtij sistemi të informimit shëndetësor, edhe raportimi do të jetë më mirë i rregulluar”, bën të ditur ministri Agani.
Sidoqoftë, Kosova, sipas profesionistëve shëndetësorë, vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë shpërthim epidemik nga sëmundjet ngjitëse.