Ndërlidhjet

A ka keqpërdorim të të dhënave personale?


Ilustrim
Ilustrim

Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë. Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa neni 3 përcakton në mënyrë eksplicite se fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe mjeteve e tjera të komunikimit janë të drejta të pacenueshme.

Ato, në raste të caktuara mund të kufizohen vetëm përkohësisht, dhe atë me vendim të gjykatës, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për vijimin e procedurës penale, apo edhe për të garantuar sigurinë kombëtare të vendit, në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Por, pavarësisht gjithë kësaj, në Kosovë, ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, i miratuar nga Kuvendi i Kovës në vitin 2010, sipas njohësve të çështjeve të telekomunikacionit dhe përfaqësuesve të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka nivel shumë të ulët të zbatueshmërisë, dhe moszbatimi i tij, thonë ata, lë hapësira të mëdha për keqpërdorim të të dhënave personale.

Eksperti i telekomunikacionit, dikur udhëheqës në PTK, Agron Dida, thotë se Kosova ka infrastrukturë shumë të dobët të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale.
Te ne ende duhet të punohet shumë në infrastrukturën ligjore, dhe këtu është çelësi i zgjidhjes së këtij problemi.
Ai thekson se shkelja e privatësisë në Kosovë nuk bëhet vetëm në aspektin e telefonisë, por edhe në aspektin e të dhënave, kur ka të bëjë me komunikime digjitale, siç është interneti.

Te ne ende duhet të punohet shumë në infrastrukturën ligjore, dhe këtu është çelësi i zgjidhjes së këtij problemi. Përndryshe, në të vërtetë, një përdorim i këtyre të dhënave pa bazë ligjore, mund të sjellë shumë pasoja të rënda, edhe personale, edhe në përgjithësi për njeriun”, thekson Dida.

Të dhënat personale, qytetarët e Kosovës i kanë dhënë edhe kur është bërë regjistrimi i përdoruesve të telefonave mobil.

Procesi i regjistrimit të përdoruesve të telefonave mobil u drejtua në përputhje me rregulloren për regjistrimin e numrave të përdoruesve mobil, që hyri në fuqi më 1 Tetor të vitit 2010, nën mbikëqyrjen e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

Në Kosovë janë katër operatorë mobil: “Vala”, “Ipko”, “Z-Mobile” dhe “D3”.

Prej tyre, operatori i parë mobil i licencuar në Kosovë - Vala (ish- Vala 900), operon në Kosovë që prej vitit 2000.

Krahasuar me operatorët tjerë të telefonisë mobile, Vala ka numrin më të madh të konsumatorëve, që është mbi 1 milion konsumatorë.

Megjithatë, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale të konsumatorëve të tyre, zyrtarë të këtij mekanizmi të telefonisë mobile nuk janë deklaruar.

Ndërkaq, përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), deklaruan se deri më tani nuk ka ndonjë ankesë nga qytetarët se të dhënat e tyre janë keqpërdorur.
ART nuk ka pranuar asnjë shqetësim apo ankesë nga një përdorues apo operator mobil...
Drejtuesi i ART-së , Ekrem Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi i përdoruesve të telefonave mobil është bërë sipas rregullores në fuqi.

ART nuk ka pranuar asnjë shqetësim apo ankesë nga një përdorues apo operator mobil, se të dhënat personale që kanë qenë të obliguara t’i renditen rregullores për regjistrimin e përdoruesve të telefonisë mobile, janë keqpërdorur”, thekson Hoxha.

Ai, ndërkaq, tregon se së fundi kanë bërë një plotësim në pyetësorin, i cili administrohet gjatë procedurave të regjistrimit, dhe në atë plotësim ka udhëzuar operatorët që të mos mbajnë në administrim kopje të dokumenteve personale, por vetëm deri sa të kryhen procedurat dhe më pas t’ia kthejnë konsumatorit dokumentin personal.

Në anën tjetër, hulumtues të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thonë se gjatë grumbullimit të të dhënave personale të regjistrimit të përdoruesve te telefonave mobil, nuk është përfillur fare ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ne e kemi vërejtur se kanë ndodhur disa procese, siç është regjistrimi i përdoruesve të telefonisë mobile, po ashtu ka qenë edhe regjistrimi i popullsisë që ka ndodhur, por që në bazë të intervistave që i kemi bërë më zyrtarët përkatës, është vërejtur se nuk është marrë përsipër ligji për mbrojtjen e të dhënave personale”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Mentor Vrajolli, hulumtues në qendrën kosovare për studime të sigurisë.

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se pavarësisht sigurisë që ofron ligji në këtë fushë, ata kanë shqetësime se po u cenohet integriteti personal.

Ata thonë se e dinë që ekziston ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, por thonë se derisa ky ligj nuk zbatohet atëherë të dhënat e tyre mund të keqpërdoren.

Flora Loshi thotë:

Unë kam njohuri sa i përket ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Por, ndërkohë kam shumë informata se të dhënat e tona janë keqpërdorur, sidomos sa i përket regjistrimit të telefonave mobil apo te regjistrimi i popullsisë. Për mendimin tim, duhet të jenë të ndaluara dhe të mbrojtura, pasi që ekziston edhe ligji”, thekson ajo.
...kam shumë informata se të dhënat e tona janë keqpërdorur, sidomos sa i përket regjistrimit të telefonave mobil apo te regjistrimi i popullsisë.
Ngjashëm mendon edhe Fisnik Gashi:

Në Kosovë ligji për mbrojtjen e të dhënave nuk respektohet, dhe deri sa ka shkelje të tij, atëherë dyshoj që të dhënat tona keqpërdoren nga individë të ndryshëm me interesa të ndryshme. Është shqetësuese”, thekson Gashi.

Qëllimi kryesor i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale është përcaktimi i të drejtave, përgjegjësive, parimeve dhe masave lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale.

Agjencia shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale është themeluar një vit pas miratimit të këtij ligji. Kjo agjenci është themeluar që t’u japë këshilla organeve publike dhe private për çështjet lidhur me mbrojtjen e të dhënave, të përkrahë të drejtat themelore për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ruzhdi Jashari, kryesues i kësaj agjencie, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e të dhënave personale është një lëmi e re në Kosovë, dhe përballë saj ka shumë sfida.

Ai thotë se nuk ka nevojë për shqetësim sa i përket keqpërdorimeve, pasi që, siç thotë ai, mekanizmat për mbrojtjen e këtyre të dhënave janë duke treguar punë të suksesshme.

Më parë, kur është bërë regjistrimi i përdoruesve mobilë, janë kërkuar më shumë të dhëna, se sa që ka qenë e nevojshme. Dhe kjo ka qenë në kundërshtim me ligjin, tani ne kemi nxjerrë 12 vendime për të gjithë operatorët e telefonisë mobile, të cilat janë duke i zbatuar në përpikëri”, thekson ai.

Ndryshe, sipas studimeve të bëra nga Qendra Kosovare për Studime të sigurisë, deri më tani nuk ka pasur asnjë kriter për verifikimin e rasteve të grumbullimit të të dhënave personale, në mënyrë të paautorizuar, sikurse edhe nuk ka pasur ndonjë kontroll adekuat për mënyrat se si procedohen të dhënat e grumbulluara në rastet kur ekziston një autorizim i tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG