Ndërlidhjet

Shqipëri: Vonesa në reformat zgjedhore


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni i Reformës Zgjedhore në pak ditë mbyll mandatin tre mujor të tij pa produkt përfundimtar. Shtyrja e afatit të Komisionit është një zhvillim i pashmangshëm, siç ishte edhe debati politik ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për përgjegjësinë e kësaj zvarritjeje. Por, një gjë e tillë, thotë eksperti i Ligjit zgjedhor, Kristaq Kume, nuk është surprizë.

“Nuk është se ndodhemi përpara një situate të pandeshur më parë, kjo është një situatë e përsëritur në të gjitha rastet, në të gjitha komisionet - është produkt i mënyrës së të punuarit, i edukatës së punës që ne kemi”, thotë Kume.

Ndërkaq analisti Lutfi Dervishi thotë se është herët të flitet për dështim të reformës, në një kohë kur duhet më shumë se një vit deri te zgjedhjet e radhës. Shqetësim, sipas tij, mbetet mungesa e thellë e besimit që dy forcat e mëdha reflektojnë gjatë procesit për hartimin e ligjit të ri zgjedhor.

Ndoshta më mirë mund të përdorej fjala vonesë apo një përsëritje e traditës të së shkuarës, sigurisht që mund të kishte hapa më të shpejtë

“Është shpejt për të përdorur fjalën dështim. Ndoshta më mirë mund të përdorej fjala vonesë apo një përsëritje e traditës të së shkuarës, sigurisht që mund të kishte hapa më të shpejtë apo ajo çfarë është më e rëndësishme për t’u theksuar është që dhe ky kod po amendamentohet me psikologjinë e kontrollit dhe mosbesimit reciprok. Kështu që ne rrezikojmë që të përsërisim atë që zgjedhjet t’i bëjmë më të mira se zgjedhjet paraardhëse, por jo aq të mira sa do të donin t’i shikonim”, vlerëson Dervishi.

Edhe analisti Kume mbështet arsyetimin se vullneti politik do të jetë përcaktues për fatin e reformës dhe se aty do të varet edhe cilësia e saj.

“Nuk është koha ajo që e limiton cilësinë e këtij produkti, por është vullneti për realizimin e tij si të tillë, sepse zgjedhjet janë në korrik të vitit 2013 dhe sipas të gjithë parametrave dhe standardeve për realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe demokratike, është e kërkuar që i gjithë kuadri ligjor të jetë i gatshëm 6 muaj përpara procesit”, thekson Kume.

Kur flitet për reformë zgjedhore, duket se dy partitë e mëdha kanë pjesën e “luanit” në vendimmarrje. Analisti Lutfi Dervishi i sheh partitë e vogla jashtë procesit, të përjashtuara në fakt, që prej vendosjes së sistemit të ri zgjedhor.

“Sigurisht që partitë e vogla janë të përjashtuara, sepse sistemi zgjedhor proporcional rajonal është i hartuar në mënyrë të tillë që vendin e çon drejt një sistemi bipartizan, bipartiak kështu që hapësira, vendi dhe roli i partive të vogla, ka ardhur duke u zvogëluar, pavarësisht presionit që ushtrojnë partitë e vogla, sidomos ato në opozitë, për të kërkuar më tepër hapësirë për të pasur më tepër garanci për votën”,
shprehet Dervishi.

Por, ndryshe shprehet analisti Kume. Sipas tij, Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore po ruan një frymë gjithëpërfshirëse:

“Një ndër arsyet, sipas mendimit tim, që produkti nuk është arritur të realizohet me kohë, ka të bëjë me faktin që Komisioni, Parlamenti kësaj radhe, është duke realizuar Reformën zgjedhore sipas një metodologjie të re, e cila ka si kryefjalë të saj gjithëpërfshirjen. Pra, unë nuk shoh përjashtim, të paktën, deri tani”.

Sikur kjo reformë të lidhej vetëm me zgjedhjet e vitit 2013, afati kohor i mbetur nuk i shtrëngon palët për ta përmbyllur atë. Por, kjo çështje është e lidhur me një tjetër zhvillim të rëndësishëm që duhet të marrë përgjigje deri në tetor të 2012 - statusi i vendit kandidat për në BE.

Shqipëria vjen këtë vit me shpresën për të fituar atë çfarë iu refuzua për dy vjet me radhë, për shkak të kritereve të paplotësuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG