Ndërlidhjet

Sistemi i (pa)sigurt bankar


Ilustrim
Ilustrim
Bankat komerciale, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë, janë të sigurta dhe të besueshme, kështu që qytetarët nuk duhet të brengosen për sigurinë e parave të depozituara në këto institucione financiare, thonë autoritete kompetente dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Mejdi Bektashi, anëtar i Bordit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, thekson se siguria e bankave në Kosovë është në nivel të lartë, dhe kjo, sipas tij, dëshmohet me rritjen e depozitave të qytetarëve në këto banka.

Aktualisht, janë mbi 2 miliardë euro depozita të qytetarëve apo personave juridik që mbahen në institucionet financiare në vend, thotë Bektashi.

“Nuk mund të ketë kurrfarë shqetësimi, sepse unë besoj që sistemi financiar në Kosovë është mjaft stabil dhe është një ndër storiet më të mira të suksesit në ekonominë e Kosovës”, thotë Bektashi.

Megjithatë, disa hakerë nga një shtet i Evropës Lindore, përmes klonimit të kartelave, kanë keqpërdorur llogaritë private të qytetarëve në “Teb Bank-ën” e Kosovës, Por, siç kanë njoftuar zyrtarë të kësaj banke, të gjitha masat janë ndërmarrë dhe të gjithë klientëve u janë kthyer mjetet në llogaritë e tyre.

Mejdi Bektashi thotë se këto raste ndodhin edhe në shtet më të zhvilluara të botës, por në këto situata asnjëherë nuk dëmtohen depozituesit, sepse, sipas ligjit, thotë ai, bankat janë të detyruara të kompensojnë të gjitha humbjet eventuale të shkaktuara ndaj klientëve.

“Ndërhyrja e hakerëve, apo tërheqja e mjeteve nga xhirollogaritë e caktuara të depozituesve, ato probleme shumë shpejt zgjidhen me rritjen e sigurisë ‘së urës së zjarrtë’, që kanë bankat apo institucionet financiare ndaj mundësisë së ndërhyrjes së hakerëve në rrjetet e bankave”, sqaron Bektashi.

Edhe Zana Haxha, drejtore ekzekutive në Shoqatën e Bankave të Kosovës, thotë se investimet e bankave në fushën e sigurisë janë shumë të mëdha, pasi, sipas saj, ekipe të tëra kujdesen për mirëmbajtjen dhe ngritjen e nivelit të tyre.

Në përputhje me këtë në Shoqatën e Bankave të Kosovës, që nga viti 2008, funksionin Forumi kosovar kundër mashtrimit me kartela. Ky forum ka për qëllim ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në lidhje me shërbimet financiare me kartela, dhe përmirësimin e sigurisë së tyre, në interes të kartel-mbajtësit apo depozitorit, natyrisht”, thekson Haxha.

Kurse, Ibrahim Rexhepi, ekspert për çështje ekonomike, konsideron se performanca e mirë e bankave tregon besueshmërinë dhe sigurinë që kanë ato. Ai, madje, thotë se pjesa më e madhe e depozitave që kanë qytetarët në banka janë kredi, kështu që gjasat për t’u rrezikuar mjetet e tyre janë të vogla.

“Depozitat, kursimet e qytetarëve mbështeten kryesisht në besimin e qëndrueshmërisë dhe suksesit të bankave, ku ata kanë depozituar mjetet”, pohon Rexhepi.

Ndryshe, në Kosovë aktualisht operojnë nëntë banka komerciale.

Lexoni edhe këtë:
Kriza në Eurozonë zvogëlon remitencat në Kosovë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG