Ndërlidhjet

Reagojnë për marrëveshjen


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Pozita dhe opozita në Prishtinë nuk i kanë të njohura ende detajet dhe përfundimet e raundit të fundit të bisedimeve në Bruksel ndërmjet delegacioneve nga Kosova dhe Serbia.

Megjithatë, në reagimet e para ka dallime të mëdha. Përderisa nga Qeveria e Kosovës thonë se çdo marrëveshje do të bazohet në Kushtetutën dhe respekton sovranitetin e Kosovës, nga tabori opozitar thuhet e kundërta.

Reagimet pasojnë deklaratat e zyrtarëve të BE-së si dhe atyre nga Kosova dhe Serbia në këtë dialog për arritjen e një marrëveshjeje që flet për menaxhim të integruar të pikëkalimeve kufitare ndërmjet dyja shteteve.

Paraprakisht, ishte paralajmëruar se do të ishte marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehet i bindur se delegacioni qeveritar i Kosovës në Bruksel ka arritur pajtimin vetëm për marrëveshje që siguron respektimin e plotë të sovranitetit, Kushtetutës dhe kufijve të Kosovës.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
“Çdo marrëveshje e Kosovës është në kuadër të Kushtetutës, mandatit që ka nga Kuvendi i Kosovës dhe në kuadër të parimeve evropiane. Ne do t’i kemi sqarimet adekuate me kohë, por ajo çka mund të themi është se Kosova i ka kufijtë e saj dhe ata do të jenë të respektueshëm nga të gjithë dhe me këtë marrëveshje, janë të respektueshëm edhe nga Serbia”, thotë Kuçi.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se delegacioni i Prishtinës e ka degraduar procesin me këtë marrëveshje. Ai thotë se ende nuk e ka parë tekstin e marrëveshjes eventuale, por nga ajo që është prezantuar, sipas Ramadanit, kuptohet se pala kosovare është tërhequr nga pozicioni i saj fillestar në dëm të interesave të vendit.

“Shihet qartë se ka një tërheqje të konceptit të menaxhimit të integruar të kufijve, ka tërheqje të Kosovës nga shtetësia e vet duke pranuar të mos flitet për kufirin, por për pikat e kalimit dhe njëkohësisht ka afrim të qëndrimit të Prishtinës kah Beogradi. Kjo është e dëmshme për Kosovën”, thekson Ramadani.

Pajtimi i delegacionit të Kosovës për këtë marrëveshje me Serbinë, sipas Burim Ramadanit është një thikë pas shpine për shtetin gjerman dhe kancelaren Angela Merkel, e cila gjatë kohës së mbajtjes së këtij dialogu kishte deklaruar se Serbia nuk i ka plotësuar kushtet për të fituar statusin e kandidatit për në BE.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
“Kjo është një thikë pas shpine shtetit të Gjermanisë, shtet ky që e ka mbrojtur në mënyrë të fuqishme këto javë dhe këta muaj pozicionin e Kosovës, duke e kushtëzuar Serbinë për statusin e vendit kandidat pa i normalizuar raportet me Kosovën. Por, Qeveria Thaçi i ka thënë Gjermanisë se Serbia është e mirë prandaj jepjani statusin e kandidatit për në BE. Ne shpresojmë që kjo marrëveshje të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe si e tillë të hidhet poshtë nga Kuvendi”, thotë Ramadani.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi rithekson se çdo marrëveshje që delegacioni qeveritar arrin me Serbinë, do të jetë në harmoni me Kushtetutën. Sipas tij, me këtë marrëveshje Serbia faktikisht po i pranon kufijtë shtetërorë të Kosovës.

“Kosova dhe bota demokratike i lexon dhe i di faktikisht dhe juridikisht se Kosova i ka kufijtë e saj. Kufijtë e Kosovës janë të njohur ndërkombëtarisht dhe me këtë marrëveshje janë pranuar edhe nga Serbia”, potencon Kuçi.

Sidoqoftë, konfuzioni rreth rezultateve të bisedimeve të fundit në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, është rritur pas deklaratave kontradiktore të dy udhëheqësve të delegacioneve, atij nga Serbia, Borisllav Stefanoviq dhe kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri.

Në Prishtinë, ka shumë dyshime që edhe nëse arrihet një marrëveshje finale, ajo të mund të zbatohet në praktikë për shkak të pozicioneve dhe qëndrimeve krejt të ndryshme që mbajnë qeveritë në Prishtinë dhe Beograd në lidhje me shtetin e Kosovës dhe institucioneve të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG