Ndërlidhjet

Analistët në Shqipëri: Skeptikë ndaj marrëveshjeve për reforma


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë
Pas një ngërçi politik më shumë se dyvjeçar, dy partitë e mëdha të Shqipërisë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë gjetur mirëkuptimin për të avancuar në tri çështje të rëndësishme, si: reforma zgjedhore, ajo parlamentare, ndërsa kanë përcaktuar agjendë për miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar të përfaqësuesve të kuvendit.

Ky zhvillim pozitiv në konturat e një marrëveshjeje politike shihet gjithsesi me skepticizëm nga analistët, nisur nga mënyra se si është ngjizur.

Aleksandër Çipa kujton për këtë debatin që shoqëroi palët politike në komisionin parlamentar të ligjeve, vetëm një ditë pas kompromisit për disa çështje.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe lideri socialist, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe lideri socialist, Edi Rama.
“Palët politike vazhdojnë të jenë në një kah dialogimi, por nuk besoj ende se janë në një akt të pastër të marrëveshjes. Pra, përshtypja dhe perceptimi i një skepticizmi vazhdojnë të jenë në fuqi. Fakti i një debati që e mbajti gati të bllokuar këtë procedurë marrëveshjeje në komisionin e ligjeve, lë të besosh se të dyja palët do të vazhdojnë të kenë pragmatizmin e imponimit përmes kushteve”, thotë Çipa.

Analisti Andi Bejtja, megjithatë, thotë se marrëveshja duhet përshëndetur. Tekefundit, sipas tij, ajo pasqyron mënyrën se si janë marrë vesh palët politike të paktën në 20 vjetët e fundit.

“Është fare e qartë se është një marrëveshje e imponuar. Është e imponuar se është presioni ndërkombëtar që i solli në këtë pikë të dyja palët; është çështja e statusit (të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian)”.

“Por, po të kemi parasysh që në Shqipëri, që nga viti 1992, janë bërë 15 marrëveshje të tilla të ngjashme, është ndërruar kodi 15 herë, mund të thuhet se nga imponimi vijnë dhe gjëra të mira dhe është një marrëveshje që, pavarësisht imponimit, është për t’u përshëndetur”
, thotë Bejtja.

Sërish ashpërsim tonesh!

Analisti Çipa e sheh vitin 2012 si periudhën kur tonet e politikës do të ashpërsohen. Kjo përkon me zhvillimet e rëndësishme siç është zgjedhja e presidentit.

“Kushtet e një kalendari veprimtarish politike dhe aktesh politike, siç janë zgjedhjet presidenciale dhe, për rrjedhojë, pse jo edhe tendencat për një problematikë që mund të ndryshojë edhe kabinetin qeverisës në vitin e ardhshëm, në kuptim të rikompozimit të tij, mund ta rikthejnë sërish polemikën midis pozitës dhe opozitës”, shprehet Çipa.

Edhe për analistin Bejtja, zgjedhja e presidentit do të jetë një çështje për debat, në një kohë që shumë faktorë të tjerë do të duan të jenë pjesë e garës.

Ai kujton këtu dhe ish-kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili në vitin 2007 ishte një nga kandidaturat për këtë post.

“Do të rikthehet debati, sepse, përveç dy forcave politike që do t’i nxjerrin kandidatët e tyre, kemi dhe faktorë të tjerë që ndoshta s’janë parti politike... Kemi zotin Bamir Topi (presidenti i Shqipërisë), i cili sërish do të kërkojë të ridimensionohet, qoftë si president, qoftë si kryetar i një partie politike. Kemi zotin Nano që prapë do të jetë në lojë, siç ka qenë gjithmonë. Mund të kemi dhe faktorë të tjerë, prandaj ky debat do të ekzistojë”, thotë Bejtja.

Deri tani, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë rënë dakord për disa çështje, por ajo që mbetet të testohet, është sjellja e dy forcave politike në raport me kthimin në produkt të kompromiseve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG