Kosova duhet ta zërë vendin e vet në NATO dhe Bashkim Evropian, deklaruan të premten presidentja dhe kryeministri i Kosovës në konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hill”, që po mbahet në Prishtinë.
Në këtë konferencë po marrin pjesë ministra dhe ish-ministra të Jashtëm, si dhe përfaqësues nga mediat dhe shoqëria civile nga vende të ndryshme botërore.
Në fjalimin hyrës, presidentja Atifete Jahjaga tha se Kosova duhet të zërë vendin që i takon në të gjithë mekanizmat dhe organizmat ndërkombëtar, përfshirë edhe pjesëmarrjen nëpër misionet paqeruajtëse.
Ndërsa shprehu zotimin për trajtim të barabartë të gjitha komuniteteve në Kosovë, Jahjaga tha se në aspektin ndërkombëtar, Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër.
”Si shtet ne synojmë të ndërtojmë dhe forcojmë tutje partneritetin tonë strategjik dhe permanent me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndajmë përkushtimin për vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kosova ndjek politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet. Ajo është e ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e racore, kanë të drejtat e barabarta”, u shpreh Jahjaga.
Presidentja Jahjaga tha se në kohën kur Evropa i ka tejkaluar politikat e interesave të ngushta për t’u bashkuar dhe për të krijuar perspektiva të përbashkëta, edhe rajoni i Ballkanit e ka rastin që të përfshihet dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të gjitha vendet dhe popujt.
”Në këtë moment rajoni ka një mundësi unike dhe mbase të papërsëritshme që të jetë pjesë konstruktive e fuqishme dhe e zëshme e ndërtimit dhe e forcimit të infrastrukturës bartëse të këtij procesi integrues në këtë epokë të partneritetit”, deklaroi Jahjaga.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se rajoni i Ballkanit po ballafaqohet me sfidat e konsolidimit të shteteve të reja, përderisa Bashkimi Evropian po ballafaqohet me sfidën e krizës ekonomike financiare.
Duke pasur parasysh zhvillimin e ulët të vendeve ballkanike, Thaçi tha se duhet qenë vigjilent në mënyrë që kjo krizë të parandalohet për vendet e Ballkanit.
Thaçi tha, po ashtu, se falë ndërhyrjes së NATO-s dhe politikave që ndoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, sot në Ballkan është mbyllur historia e dhunës dhe luftërave të përgjakshme.
Tani kur Kosova është një shtet i pavarur, edhe Thaçi ngriti si prioritet integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
”Ne, me të drejtë kërkojmë të bëhemi pjesë e ndërtimit të Evropës së re, sepse pikërisht në Kosovë në vitin 1999 u testua parimi i drejtë i Evropës së lirisë, barazisë dhe drejtësisë për të gjithë evropianët. Ishte Kosova ajo që në masë të madhe bashkoi Bashkimin Evropian për të krijuar politika të reja, mekanizma të rinj për të ndëshkuar regjime që cenojnë të drejtat elementare njerëzore”, theksoi Thaçi.
Kosova është shtet evropian me borxhet më të vogla, kurse me rritjen më të madhe ekonomike, u shpreh me këtë rast Thaçi. Ai tha se vendet e Ballkanit mund të ecin përpara vetëm nëse përmbyllet me sukses integrimi i tyre në NATO dhe në Bashkim Evropian. Por, me këtë rast, Thaçi rikujtoi politikat e Serbisë karshi Kosovës, të cilat ai i cilësoi të papranueshme për një vend që aspiron Evropën e bashkuar.
”Është e patolerueshme që një shtet që aspiron anëtarësim në Bashkimin Evropian të përdorë standarde të dyfishta. Këtë e them për të tërhequr vëmendjen tuaj lidhur me standardet që përdor Serbia në raport me Kosovën dhe Bashkimin Evropian. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Një shtet që aspiron anëtarësim në BE, nuk mund të cenojë sovranitetin shtetëror të një shteti tjetër, i cili po ashtu synon anëtarësim në BE”, nënvizoi Thaçi.
Ndryshe, konferenca ndërkombëtare “Gërmia Hill” u tha se do të jetë tradicionale. Qëllimi i këtij organizimi u tha se është sensibilizimi i opinionit publik në njërën anë dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës në anën tjetër, duke përdorur si mjet diplomacinë publike.
Ishte paralajmëruar pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm të Francës, Bernar Kushner, dhe disa personaliteteve tjera të larta politike, por megjithatë organizatori njoftoi se ata nuk kishin mundur të vinin për shkak të agjendave të ngarkuara diplomatike.