Ndërlidhjet

Turizmi dimëror, i harruar nga Qeveria


Brezovica
Brezovica
Ekspertë të turizmit në Kosovë kritikojnë autoritetet kosovare për mungesë investimesh në fushën e turizmit dimëror në vend. Ata thonë se si pasojë e kësaj dhe për shkak të mungesës së infrastrukturës në rajonet turistike, interesimi i vizitorëve, si vendas, ashtu edhe të huaj, nuk është në nivelin e duhur.

Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova njihet si vendi me potencialet më të mira për turizëm dimëror dhe për sportet dimërore në tërë Evropën Juglindore.

“Kosova ka potencialet më të vlefshme për turizmin dimëror dhe sportet dimërore në tërë Evropën juglindore, por fatkeqësisht shumica e këtyre potencialeve janë të fjetura, në pamundësi të valorizohen dhe prej tyre të krijohen qendra të rëndësishme të turizmit dimëror”.

“Brezovica gjendet në një situatë të degradimit dhe që nuk është e gatshme që t’i pranojë turistët, pasi që teknologjia është shumë e vjetër dhe e pasigurt. Në qendrat tona mungon infrastruktura elementare mungojnë rrugët, energjia elektrike dhe kjo pamundëson pranimin e turistëve vendorë dhe të huaj”,
thotë Ceku.

Ndër rajonet turistike që dallohen në Kosovë konsiderohet se janë Brezovica e Rugova, si qendra skijimi dhe rekreacioni, dhe po ashtu Maja e Lubotenit, që njihet si maja më e lartë në Kosovë që e arrin lartësinë 2.656 metra.

Ekspertë të turizmit në Kosovë vlerësojnë se, si pasojë e mungesës së investimeve në resurse turistike, Kosova po humb edhe në aspektin ekonomik.

“Ne kemi shtetet fqinje si Shqipëria, Greqia Turqia etj, të cilat kanë nevojë të madhe për turizëm dimëror dhe për qendrat e skijimit, mirëpo në situatën që jemi, në nuk mund të lavdërohemi se mund të ofrojmë kapacitetet e nevojshme”, thekson Çeku.

Në anën tjetër, Hysen Sogojeva, zyrtar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Departamentin e turizmit, thonë se aktualisht janë duke u marrë me infrastrukturën ligjore. Sogojeva thotë se fillimisht turizmi në Kosovë do të rregullohet me ligj dhe me udhëzimet që dalin nga Ligji i Turizmit.

Tani kemi bërë plotësim-ndryshimin në ligjin ekzistues, është dërguar në Kabinet dhe Kabineti e ka përcjellë në instancat më të larta, në Ministri të Financave, pastaj në Qeveri dhe në Grupin Parlamentar të Kuvendit. Me plotësim-ndryshim të ligjit, që do të kemi, rregullohen shumë fusha që kanë të bëjnë më zhvillimin e turizmit dhe implementimi i atij ligji do të jetë më efikas”, bën të ditur Sogojeva.

Edhe Sogojeva thekson se Kosova ka potenciale mjaft të mëdha turistike dimërore. Ai veçon qendrën e skijimit në Brezovicë, si qendër mjaft atraktive për sportet dimërore.

Brezovica është rajon turistik veror dhe dimëror që shtrihet në juglindje të Kosovës, përkatësisht në komunën e Shtërpcës, rreth 60 kilometra nga Prishtina.

Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2,500 hektarë. Përveç dy hoteleve “Narcis” dhe “Molika”, në këtë qendër ekzistojnë edhe 300 vila, të cilat lëshohen me qira.

Megjithatë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk posedon të dhëna të sakta për numrin e vizitorëve, të cilët vijnë në Kosovë. Sipas informacioneve që ata posedojnë, numri i vizitorëve që vijnë në Kosovë është në rritje. Sogojeva jep më shumë hollësi:

“Nuk kemi shifër të saktë, por duke u nisur nga ajo se ende na mungon komunikimi i drejtpërdrejtë, informacionet i marrim nga policia kufitare dhe hotelet. Jemi në përpunim e sipër të të dhënave. Një është e sigurt, se dita-ditës kemi numër më të madh të vizitorëve nga të dhënat që i kemi nga bujtjet e tyre në Kosovë”.


Ndryshe, kohë më parë, sipas një studimi të kompanisë “Skyscanner”, e cila merret me vëzhgimin e turizmit, Kosova ka arritur që nga vendi i 100-të në listë, të zhvendoset në të 67-in. Ky studim ishte bërë në muajin maj të këtij viti.
XS
SM
MD
LG