Më pak se një vit nga përfundimi i mandatit të tij si president i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka lënë hapur të kuptohet se do të krijojë një parti të re - një deklaratë që nuk tingëlloi surprizë, nisur nga marrëdhëniet konfliktuale me Partinë Demokratike, nga e cila Topi u largua në vitin 2007 për të marrë detyrën e kreut të shtetit.

Nëse Bamir Topi do të dalë me një parti të re në zgjedhjet e 2013-ës, kjo do ta shndërronte në faktor, thonë analistët. Por, shkalla e efektit gjithsesi pritet të testohet.

Analisti Sokol Balla llogarit si efekt minimal të kësaj lëvizjeje rigjallërimin e profilit të brendshëm të së djathtës shqiptare, që, sipas tij, vuan mungesën e komunikimit të brendshëm dhe me publikun.

“Për shkak të sistemit elektoral që kemi sot, është treguar se edhe lëvizjet që kanë elektorat, siç është LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim), kur veprojnë jashtë koalicioneve të mëdha, detyrohen të konsumojnë shumë vota për pak mandate”.

“Por, nisur nga fakti që Bamir Topi vetë mbetet një figurë popullore dhe nga fakti që, ndryshe nga disa politikanë, Bamir Topi ka dhe njëfarë lobingu ekonomik nga pas, në njëfarë mënyre them se efekti i Bamir Topit do të ndihet në vitin 2013”, shprehet Balla.

Për analistin Henri Çili janë dy arsye që do e shndërrojnë në faktor Bamir Topin në vitin 2013.

“Bamir Topi vjen nga një pjesë politike e Partisë Demokratike, e cila ka qenë e ndryshme, të themi, nga linja kryesore apo nga pjesa ‘berishiste’ e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, ai ka grumbulluar gjatë postit të presidentit një lloj influence të caktuar në rrethe të caktuara, në mjedise të caktuara, nëpërmjet një sistemi emërimesh dhe trafiqesh të tjera të interesit”.

“Por, tiparet e mëparshme të personalitetit të tij politik, mungesa e iniciativës bashkë me vështirësitë që ka sistemi elektoral për partitë e reja, e bëjnë të diskutueshëm premisën e rezultatit të tij elektoral”, thotë Çili.

Koalicion Topi-Rama?!

Analistët bashkohen kur thonë se Topi do të përbëjë një kërcënim elektoral për Partinë Demokratike. Çili thotë se Topi për PD-në përbën një rast të keqmenaxhimit politik.

“Është një investim i keq… Për ironi të fatit, Berisha ka investuar shumë te Bamir Topi, e zgjodhi në mënyrë problematike… Për ironi të fatit, ai sot - pasi ka vajtur atje në mënyrë problematike (në presidencë) dhe me kosto për Partinë Demokratike, pasi e ka përdorur gjatë gjithë kohës insitucionin për qëllimet e jetës së tij politike, pra nuk ka qenë i paanshëm - del me parti tjetër. Në këtë kuptim duhet menaxhuar si rast. Bamir Topi është i pari zyrtar shqiptar që e merr, e përdor presidencën për qëllim të nesërm politik”, thotë Çili.

Sipas analistit Balla, ky është një konflikt që do të favorizojë Partinë Socialiste.

“Bamir Topi, nisur dhe nga profili i tij politik, do të ketë një ndikim të ndjeshëm në spektrin e djathtë. Ky është i vetmi benefit që mund të ketë e majta shqiptare që futet në zgjedhjet e vitit 2013, me një të djathtë që ka një konflikt të ri në gjirin e saj”, thotë Balla.

Çili shton këtu qëndrimin se gjithçka që gatuhet tani, do të përkthehet në një aleancë të mundshme në 2013-ën mes Topit dhe Ramës.

“Le ta themi hapur, edhe pse mund të dalë vetëm në zgjedhje ose në një pol me Aleancën Kuq e Zi, sigurisht që bëhet në funksion të një qeverisjeje Rama –Topi”, thekson Çili.

Por, një koalicion i tillë për Sokol Ballën tingëllon i paarsyeshëm.

“Nuk mendoj që Bamir Topi do të bëjë një koalicion me Edi Ramën. E vetmja mundësi e Bamir Topit është që të bëjë një koalicion me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve, por, me sa duket, pa Sali Berishën”, thotë Balla.
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.