Ndërlidhjet

Specializim pa pagesë?!


QKU
QKU
Derisa javën e kaluar kanë filluar specializimet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zyrtarë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke shqyrtuar mundësinë e heqjes së pagesës për specializantët me vetëfinancim.

Sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, jep më shumë detaje:

“Specializantët që janë me vetëfinancim, kanë për obligim të paguajnë një shumë të caktuar të mjeteve. Ne jemi duke shqyrtuar mundësinë që me udhëzimin e ri administrativ, të lirohen nga kjo pagesë, pasi konsiderojmë se edukimi i tyre i vazhdueshëm është nevojë dhe domosdoshmëri. Andaj, është edhe obligim i yni që t’ua ofrojmë atë mundësi”.

“Gjendja ekonomike e punëtorëve shëndetësorë nuk është e tillë që t’i ngarkojmë edhe me një barrë shtesë, kur vetë nuk mundemi t’i mbështesim financiarisht”,
thotë Tolaj.

Astrit Gashi, specializant me vetëfinancim, i cili tashmë ka filluar edukimin e vazhdueshëm të tij, thotë se heqja e pagesës prej 1,000 eurosh në vit - sa duhet paguar Ministrisë së Shëndetësisë - do të ishte lehtësim për të.

“Mendoj se do të ishte shumë mirë nëse e heqin pagesën për specializim, për shkak të të ardhurave të vogla për ne si doktorë, si dhe duke marrë parasysh që edhe gjatë studimeve nuk kemi pasur ndonjë ndihmë financiare nga shteti”, thotë Gashi.


Ngarkesë për doktorët e rinj

Brenda Ministrisë së Shëndetësisë është bërë një analizë dhe është vlerësuar se pagesa e specializantëve sjell benefite minore për këtë institucion, ndërsa ngarkesa në planin individual për doktorët e rinj është tejet e madhe. Ilir Tolaj thotë:

“Interesi jonë është që t’i ndihmojmë numrit maksimal të atyre që dëshirojnë ta vazhdojnë specializimin”.

Mentor Hajra, specializant me vetëfinancim, e vlerëson lart heqjen e pagesës, pasi, siç thotë ai, një hap i tillë nuk do t’i dallonte specializantët.

“Heqja e pagesës do të ishte një lehtësim shumë i madh, duke marrë parasysh kushtet ekonomike për shumicën. Por, mendoj se edhe një gjë është shumë e rëndësishme - që të mos bëhet dallimi mes specializantëve, të jenë njësoj të trajtuar të gjithë specializantët, jo dikush me vetëfinancim, derisa pjesës tjetër t’ia paguajë Ministria e Shëndetësisë", thotë Hajra.

Këtë vit, përfitues të specializimeve në mjekësi të rregullt janë 89 doktorë, derisa me vetëfinancim në të njëjtën lëmi janë 215; në stomatologji të rregullt është vetëm 1 stomatolog i financuar nga Ministria e Shëndetësisë, derisa me vetëfinancim janë 40 stomatologë; në farmaci të rregullt janë 2 farmacistë të financuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa 5 janë me vetëfinancim.
XS
SM
MD
LG