Ndërlidhjet

Prodhimet vendore - primare


Foto: "Duaje tënden"
Foto: "Duaje tënden"
Afaristë kosovarë dhe njohës të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që t’i ndryshojnë politikat fiskale, në mënyrë që të ndihmohet sektori privat dhe ai prodhues në vend.

Këto kërkesa janë shtuar sidomos pas zbatimit të masave reciproke ndaj produkteve serbe, pasi, sipas ekspertëve, përkrahja e prodhuesve vendorë nga ekzekutivi do të ngushtonte hapësirën e tregut kosovar për prodhimet serbe.

Në këtë situatë, thonë ata, është e nevojshme ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, lirimi nga taksa doganore për lëndën e parë dhe zvogëlimi i kamatave për kredi.

Ismet Bojku, përfaqësues i kompanisë “Devolli Group”, beson se me përkrahje institucionale, tregu kosovar mund të mbulohet deri në 80 për qind me prodhime vendore.

“Ne paguajmë doganën për lëndën e parë. Importuesi që vjen nga rajoni - Maqedonia, Shqipëria dhe vendet tjera - nuk paguan doganë. Do të thotë, me 10 për qind që në start jemi më të shtrenjtë. Andaj, jemi shumë të hendikepuar dhe nuk mund të jemi konkurrentë me importin. E, ne kemi mundësi të garojmë me teknologji edhe më të avancuara se në rajon”, thotë Bojku.

Merdarë
Edhe Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se qeveria duhet bëjë reforma rrënjësore ekonomike, pasi, sipas tij, politikat aktuale ekonomike kanë ngufatur prodhuesit vendorë dhe njëherësh kanë dërguar në recesion ekonominë e përgjithshme të vendit.

“Qeveria e Kosovës, në rast se dëshiron të zhvillojë ekonominë vendore, duhet të përcaktojë dhe të zbatojë instrumente të politikës fiskale, monetare-kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme, të cilat janë funksion të zhvillimit ekonomik”.

“Përndryshe, nuk ka zhvillim. Mospërfillja e këtyre instrumenteve dhe mospërfillja e drejtë e një politike reale, objektive dhe zhvillimore e ka sjellë ekonominë e Kosovës në një situatë shumë të rëndë - në fazën më të ulët të zhvillimit”,
deklaron Limani.

Zyrtarë të qeverisë pohojnë se tashmë janë në finalizim të një pakoje fiskale, e cila është në favor të bizneseve vendore.

Por, zbatimi i këtyre reformave ekonomike nuk mund të ndodhë shpejt, thotë Menderes Ibra, këshilltar për politika i Ministrisë së Financave, sipas të cilit, nevojitet edhe adoptimi i bazës ligjore.

“Bëhet fjalë për lirimin nga taksa doganore për lëndën e parë, lirimin nga taksa doganore për ambalazh, lirimin e mjeteve kapitale nga pagesa e TVSH-së, pastaj zvogëlimin e kamatave që bizneset paguajnë në Administratën Tatimore, kur ato vonohen në pagesën e tatimeve”.

“Këto janë masat kryesore, të cilat konsistojnë në përkrahjen e bizneseve, me qëllim që prodhuesit vendorë të vendosen në një pozicion të barabartë me importuesit”,
thotë Ibra.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është tatim mbi konsumin. Gjashtëmbëdhjetë për qind është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha mallrat në Kosovë, pa marrë parasysh origjinën e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG