Ndërlidhjet

Perspektiva e dialogut


Kryenegociatorët në bisedime
Kryenegociatorët në bisedime
Nuk ka mbetur as një javë para raundit të ardhshëm të dialogut, që është thënë se do të nisë më dy shtator, ndërsa vetë perspektiva e këtij dialogu mbetet e paqartë.

Njëri nga organizatorët e debatit mbi këtë temë në Qendrën Mediale në Çagllavicë, Belul Beqaj, tha se dështimi i arritjes së marrëveshjes për vulat doganore, nxiti ngjarjet e dhunshme në korrik.

Prandaj, Beqaj tha se para se të rinisë dialogu, duhet të bëhet një “çarmatosje e strukturave kriminale” në veri, të cilat, sipas tij, edhe në të ardhmen mund të pengojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut.
Rruga e vetme që shpie drejt zgjidhjeve eventuale për pikat konkrete është çarmatosja e strukturave kriminele dhe jolegjitime.

“Prandaj, mendoj se rruga e vetme që shpie drejt zgjidhjeve eventuale për pikat konkrete, është jo vazhdimi i dialogut në format si po bëhet, por çarmatosja e strukturave kriminele dhe jolegjitime, ngase nëse nuk çarmatosen strukturat ilegjitime dhe kriminele, rezultati i dialogut bëhet shumë i kufizuar dhe shumë i paqëndrueshëm. Nëse ne vazhdojmë metodën e njëjtë, duke mos i eliminuar shkaktarët, të cilët paraqiten në momentin e caktuar si pengesë, atëherë mendoj se po bëjmë një punë të Sizifit”, tha Beqaj.

Këshilltari i presidentes, Ilir Deda, është i bindur se situata e re pas ndërhyrjes së policisë për të vënë kontroll mbi pikat kufitare më 25 korrik, është qartësuar shumë dhe tashmë ëndrra e Beogradit për ndarjen e Kosovës, sipas tij, ka përfunduar.

Ilir Deda
“Edhe dialogu, në bazë të ngjarjeve të reja, të një sigurie që e kemi fituar, të një qartësie se kufijtë janë ata ku janë dhe se nuk do të ketë aranzhim të brendshëm, e merr atë formën që është thënë më herët - e ajo është nivel teknik, që ka të bëjë me normalizim të marrëdhënieve të dy shteteve, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Çka do të ndodhë më 2 shtator apo më vonë, duhet t’ia lëmë BE-së dhe kryenegociatorëve nga Beogradi dhe Prishtina”, tha Deda.

Në anën tjetër, deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, konsideron se thelbi i problemit është se Beogradi ka hyrë në dialog për të zgjidhur çështjet territoriale apo që të kërkojë ndarjen e Kosovës. Ndërsa, Prishtina ka hyrë pa ndonjë vullnet në këtë dialog, sepse, sipas saj, nuk ka pasur ndonjë motivim se çka do t’i sjellë dialogu.
Jo vetëm prodhuesit në Serbi duan që të vazhdojnë raportet tregtare, por edhe biznesmenët në Prishtinë duan që sa më shpejt të rikthehen raportet.

“Nëse njerëzit në Prishtinë dhe në Beograd kanë përgjegjësi para banorëve, mendoj se do të gjejnë formë që këto bisedime, madje edhe pa presion ndërkombëtar, të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme. Presim të zgjidhet çështja e vulave. Asgjë nuk duhet të jetë e njëanshme; jo vetëm prodhuesit në Serbi duan që të vazhdojnë raportet tregtare, por edhe biznesmenët në Prishtinë, që kanë pasur monopol mbi prodhimet, duan që sa më shpejt të rikthehen raportet”, tha Rada Trajkoviq.

Në anën tjetër, politikani serb, Momçillo Trajkoviq, vlerësoi se dialogu do të jetë i vështirë për shkak të pozicioneve të palëve.

“Një nga problemet kryesore kur është në pyetje veriu, janë institucionet. Dikush i quan paralele, por ato janë të vetmet institucione. Për t’u zgjidhur ky problem, Qeveria e Kosovës dëshiron që këto institucione t’i eliminojë. Këto institucione ekzistuese duhet të shikohen mirë dhe të gjendet forma se si të transformohen dhe jo një palë të shuhen e të tjerat të fitojnë", tha Momçillo Trajkoviq, për të shtuar se nuk ka zgjidhje pa dialog dhe se dialogu nuk ka alternativë.

Në raundet e deritashme të bisedimeve, të ndërmjetësuara nga BE-ja, janë arritur marrëveshje për lëvizjen e lirë, regjistrin civil dhe njohjen e diplomave, por ende nuk ka ndonjë raport se sa janë duke u zbatuar ato.

Dialogu u ndërpre në korrik, pasi që pala serbe nuk u dakordua për marrëveshjen për vulat doganore. Kjo nxiti Prishtinën që të zbatojë masat e reciprocitetit, që nënkuptojnë ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Ndërkaq, për zbatimin e plotë të këtyre masave u desh ndërhyrja e policisë për të shtrirë kontrollin në pikat kufitare në veri, nëpër të cilat kalonte malli pa u kontrolluar.

Lexoni edhe këtë:
Veriu – i paevitueshëm në dialog

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG