Ndërlidhjet

Qytetarët pa sigurime shëndetësore


Croatia - hospital, doctor,medicals, generic photo, undated
Croatia - hospital, doctor,medicals, generic photo, undated
Derisa ministri i Shëndetësisë është shumë optimist se ligji për sigurime shëndetësore do të jetësohet shumë shpejt, drejtues të KLMDNJ-së dhe sindikalistët e shëndetësisë, thonë se ky ligj do të mbetet vetëm një përshkrim i dëshirave, nga pamundësia për t’u funksionalizuar.


Ligji për sigurime shëndetësore ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se qysh në vitin 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës. Por, deri tani ky ligj asnjëherë nuk është jetësuar.


Shqetësimin e tyre e paraqitën në një tryezë të mbajtur të premten edhe drejtues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe sindikalistë të shëndetësisë. Ata thanë se ky ligj nuk do të mund të jetë funksional, si pasojë e buxhetit të mangët.

“Përderisa nuk ka para, ligji mund të jetë vetëm një përshkrim i dëshirave të mira, ndërsa mundësitë janë shumë të hendikepuara”, tha Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Shala tha se rreth 98 për qind e popullsisë në Kosovë janë pa sigurime shëndetësore, ndërsa edhe ai 2-përqindësh i tyre sa kanë sigurime shëndetësore, shërbimet nuk i kanë në nivel të duhur.

E, kreu i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha se ka pasur mundësi për krijimin e sigurimeve shëndetësore, por, sipas tij, ka munguar iniciativa.


Sipas Sylës, vetëm në Maqedoni për shërim shpenzohen rreth 27 milionë euro në vit nga qytetarët e Kosovës.

“Qeveria jonë dhe Fondi Ndërkombëtar thonë se jetësimi i ligjit kushton me miliona, në të njëjtën kohë Kosovës me miliona euro i dalin jashtë vendit për shërim. Nga po merren ato para?".

"Vetëm në Maqedoni harxhohen 27 milionë euro në vit nga kosovarët. Nëse këto 27 milionë shkojnë në Fondin e Shëndetësisë, një pjesë do t’i paguhej shtetit dhe fitojnë të gjithë”,
u shpreh Syla.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se dikasteri që udhëheq, do të synojë të themelojë një sistem të financimit të sektorit shëndetësor, i cili sistem nuk do të rrezikojë stabilitetin makrobuxhetor të vendit, por që do të mbështetet kryesisht në mobilizimin e kontributeve nga sektori joformal i punësimit.

Ferid Agani

“Mendoj se zgjidhjet ligjore që do t’i gjejmë duke provuar që të mobilizojmë resurse financiare nga sektori joformal i punësimit, do të mundësojnë një ndryshim kualitativ të dukshëm në sektorin shëndetësor".


"Normalisht, në këtë proces do të jemi kreativë dhe shumë të vendosur që gjitha zgjidhjet ligjore të jenë koherente me ndryshimet e tjera reformuese brenda sistemit shëndetësor”,
deklaroi Agani.

Edhe Arsim Çavdërbasha, nga Ministria e Shëndetësisë, në këtë takim pohoi se kjo ministri është duke punuar shumë për jetësimin e ligjit për sigurime shëndetësore.
XS
SM
MD
LG